Këshillat për të përballuar diabetin gjatë stinës së verës

Këshillat për të përballuar diabetin gjatë stinës së verës
Temperaturat e larta mund të bëhen shkak për prishjen e ekuilibrave të glicemisë. Prishja e këtij ekuilibri varet dhe nga mënyra si një person me diabet ushqehet, mban trupin të hidratuar dhe aktiviteti fizik që bën pacienti i prekur nga diabeti

Sonila Isaku

Personat me sëmundje kronike përfshirë këtu diabetin e sheqerit, si dhe personat që mjekohen për hipertension arterial ose sëmundje zemre (shpesh si ndërlikime kronike të diabetit), janë në rrezik të shtuar gjatë ditëve të nxehta të verës, sidomos nëse nuk janë të informuar rreth këtyre rreziqeve, pasi temperaturat e larta mund të prishin ekuilibrin e glicemive. Prishja e këtij ekuilibri varet dhe nga mënyra si një person me diabet ushqehet, mban trupin të hidratuar dhe aktiviteti fizik që bën. Temperaturat e larta dhe aktiviteti fizik mund të nxisin djersitjen e madhe të trupit, duke favorizuar dehidrimin dhe për pasojë rritjen e glicemive. Glicemitë e larta do nxisin urinimin e shpeshtë dhe në vazhdim thellimin e dehidrimit, për pasojë glicemitë do rriten më shumë. Nëse personi me diabet mjekohet me insulinë, dehidrimi do pakësojë volumin e gjakut, duke çuar në më pak fluks gjaku në lëkurë, për pasojë përthithje më të paktë të insulinës dhe prishje të ekuilibrit të glicemive.

Mbani trupin të hidratuar

Dehidrimi ose humbja e lëngjeve të trupit, është një situatë e shpeshtë gjatë ditëve të nxehta të verës. Kjo gjë mund të ndodhë si te personat me diabet dhe tek ata pa diabet, por tek personat me diabet të pa ekuilibruar, glicemitë e larta favorizojnë dehidrimin, për arsye të eliminimit të shtuar të sheqerit me urinë. Për të parandaluar dehidrimin, këshillohet të konsumohen sa më shumë lëngje pa kafeinë, pa sheqer (me preferencë ujë ose çajra pa sheqer). Ushqimi të shpërndahet 5-6 herë në ditë. Konsumoni sa më shumë perime, pasi ato janë të pasura me ujë, lëndë antioxidante, vitamina, fibra dhe kanë shumë pak sheqer (1-5 %). Konsumoni frutat e freskëta si nënvakte, por kujdes në sasinë e tyre sepse përmbajnë sheqer (15-25%). Ata që përdorin alkool ta kufizojnë sa më shumë atë, pasi alkooli favorizon dehidrimin.

Parandaloni goditjen nga të nxehtit

Personat me diabet, nëse punojnë ose bëjnë aktivitet fizik në mjediset jashtë shtëpie, për një kohë të gjatë në temperatura të larta, janë të rrezikuar për goditjen nga të nxehtit, pasi humbja e lëngjeve të trupit është më e madhe se lëngjet që merren, prodhimi i nxehtësisë në trup është më i lartë se ajo që eliminohet nga trupi. Shenjat që tregojnë për këtë gjë, janë: marrje mendsh ose këputje trupi, djersitje e theksuar, dhimbje të muskujve, lëkurë e ftohtë e lagësht, dhimbje koke, rrahje të shpeshta të zemrës dhe/ose nauze. Nëse një person me diabet ka ndonjë nga këto shenja, menjëherë duhet të shkojë në një mjedis më të freskët, të konsumojë sa më shumë lëngje pa kafeinë (ujë, çajra pa sheqer). Nëse situata nuk përmirësohet, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

Aktivitet fizik në vende të freskëta

Për të parandaluar dehidrimin, personat me diabet duhet të bëjnë aktivitet fizik në mjedise të freskëta si p.sh., orët e para të mëngjesit ose orët e pasdites kur temperaturat janë më të ulëta, si edhe në mjedise sportive si palestra, me ajër të kondicionuar.

Kontrolli i glicemisë të paktën 4 herë në ditë

Të bëhet kontrolli i glicemisë 4 herë ose më shumë, nëse nuk ndiheni mirë. Kujdes, temperaturat e larta mund të prishin ekuilibrin e diabetit.

Parandaloni Hypogliceminë

Mbani me vete gjithmonë sheqer për të korrigjuar hypogliceminë, nëse ndjeni shenjat e saj. Ruani glukometrin, fishat e glukometrit dhe penat e insulinës në vende të freskëta dhe të thata. Temperaturat shumë të larta ose shumë të ulëta mund t’i dëmtojnë si insulinën dhe fishat matëse të glicemisë ose dhe glukometrin. Asnjëherë mos të vendoset insulina në ngrirje ose të ekspozohet në diell, si edhe në vendet e nxehta të makinës me të cilën mund të udhëtoni rrugës. Të kontrollohet insulina para se të injektohet. Insulinat e tejdukshme duhet të jenë të tilla, ndërsa insulinat e turbullta duhet të jenë të njëtrajtshme, në të kundërt nuk duhet të përdoren.

Për personat me diabet që përdorin pompe insulinike

Për përdoruesit e pompës insulinike, djersitja e theksuar mund të jetë problem në ditët e nxehta të verës ose gjatë aktivitetit të theksuar fizik. Kjo mund të ketë pasojë dëmtimin e ngjitëses që lidh pompën insulinike me trupin. Nëse djersitja e theksuar përbën një problem, mund të provohet të përdoret një spray antidjersë në vendin e futjes së kanjulës pas përgatitjes tuaj rutinë të lëkurës. Vetë pompa insulinike është e mbrojtur ndaj nxehtësisë, por nëse keni shqetësim nga temperaturat e larta, mund të përdorni një xhep mbrojtës duke vendosur një xhel ftohës brenda tij, si një mënyrë për të mbrojtur insulinën nga të nxehtit. Nëse qëndroni gjatë në diell, mbulojeni pompën me një peshqir për ta mbrojtur nga efekti direkt i rrezeve të diellit. Mund ta shkëpusni pompën deri në 1 orë, si një tjetër alternativë, por nëse e shkëpusni për një kohë të gjatë, ju nevojitet të rregulloni ritmin e infuzionit të insulinës për të zëvendësuar dozat e insulinës të paaplikuar, ose mund të kalohet në mjekim me insulinë 4 herë në ditë (në konsultim me mjekun endokrinolog).

Shmangni djegien nga dielli

Djegia e lëkurës nga dielli është një stres për trupin dhe mund të shkaktojë rritje të glicemisë. Shmangni daljen në diell në orët e nxehta (11:00-17:00), përdorni krem kundër diellit, syze dielli, veshje të lehta dhe me ngjyrë të çelët.

Shmangni ecjen zbathur në plazh

Rëra e nxehtë mund të dëmtojë lëkurën e këmbës dhe të shkaktojë plagë që vështirë të mbyllen me pasoja të rënda deri në prerje të këmbës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: