Kanceri beninj i gjirit, si duhet ndjekur dhe trajtuar

Kanceri beninj i gjirit, si duhet ndjekur dhe trajtuar
Fibroadenomat njihen si një lloj tumori beninj (jo kanceroz) i gjoksit, i cili kërkon ndjekje dhe ekzaminime të herëpashershme. Mjekja onkologe, Ervehe Dervishaj, tregon se këto gjëndra nuk janë kërcënuese për jetën, por që në shumë raste kanë nevojë për trajtim

Sonila Isaku

Fibroadenomat janë tumore të ngurta beninje (jo kanceroze) të gjirit, që shfaqen më shpesh te vajzat adoleshente dhe femrat nën moshën 30 vjeç. Mund ta përshkruani fibroadenomën si një masë të ngurtë, e kufizuar mirë dhe e butë në prekje. Është një formacion në gjoks që mund të ndihet lehtësisht poshtë lëkurës, por që zakonisht nuk sjell dhimbje.

Gjetja e një gjëndre në gjoks mund të jetë një përvojë e frikshme, por jo të gjitha gjëndrat dhe tumoret janë kancerogjene. Një lloj tumori beninj (jo kanceroz), quhet fibroadenoma. Ndonëse nuk është kërcënuese për jetën, fibroadenoma mund të kërkojë gjithashtu trajtim. Fibroadenoma është një tumor jokanceroz në gji, që zakonisht gjendet te gratë nën moshën 30- vjeçare. Fibroadenomat diagnostikohen në rreth 10% të grave në Shtetet e Bashkuara. Tumori përbëhet nga indet e gjirit dhe indet lidhëse (stromale). Ndërsa shumica e grave kanë vetëm një tumor, 10-15% e grave kanë gjëndra të shumëfishta. Fibroadenomat mund të shfaqen në një ose të dy gjinjtë.

Shkaqet

Disa fibroadenoma janë aq të vogla, sa që nuk mund të ndjehen. Kur jeni në gjendje të ndjeni një, atëherë ajo është shumë e dallueshme nga indet përreth. Kufijtë janë të përcaktuara qartë dhe tumoret kanë një formë të dallueshme. Ato janë të lëvizshme nën lëkurë dhe zakonisht nuk janë të butë. Shkaku i saktë i shfaqjes së fibroadenomave nuk dihet, por mendohet se hormonet si estrogjeni, mund të luajnë rol në rritjen dhe zhvillimin e tumoreve. Po kështu edhe marrja e kontraceptivëve oral para moshës 20 vjeç, është shoqëruar me një rrezik më të lartë të zhvillimit të fibroadenomave. Këto tumore mund të rriten veçanërisht gjatë shtatzënisë. Gjatë menopauzës, ato shpesh tkurren. Është gjithashtu e mundur që, disa lloje fibroadenomash, të zhduken vetë.

Llojet

Ka dy lloje të fibroadenomash, të thjeshta dhe fibroadenomat komplekse. Tumoret e thjeshta nuk rrisin riskun e kancerit të gjirit dhe duket e gjitha njësoj kur shihet nën një mikroskop. Tumoret komplekse përmbajnë komponentë të tjerë, të tilla si makrocistite (qeska të mbushura me lëng, të mëdha të mjaftueshme për t’u ndjerë dhe për t’u parë pa mikroskop) dhe kalcifikime . Fibroadenomat komplekse mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit. Shoqata Amerikane e Kancerit deklaron se, femrat me fibroadenomë komplekse kanë afërsisht dy herë më shumë riskun e zhvillimit të kancerit të gjirit, sesa gratë pa gjëndër të gjirit.

Diagnoza

Fillimisht do të kryhet një ekzaminim fizik me palpimin e gjoksit (ekzaminimi manual). Më pas, mund të kërkohet ekzaminimi me ultratinguj (eko e gjirit) ose mamografi. Gjatë ekzaminimit me ultratinguj, pacienti shtrihet në shtrat, ndërkohë që një pajisje e quajtur trasduktor lëvizet nga ekzaminuesi përgjatë lëkurës së gjirit, duke krijuar një pamje në ekran. Një mamografi është një x-ray e gjirit, gjiri ngjishet në mes të dy sipërfaqeve të sheshta. Mund të nevojitet gjithashtu një shpim i vogël me gjilpërë, për të hequr indet që do të çohen për biopsi. Kjo përfshin futjen e agës në gji dhe heqjen e copëzave të vogla të tumorit. Indet pastaj dërgohen në një laborator për ekzaminim mikroskopik, për të përcaktuar llojin e fibroadenomës dhe për të përcaktuar nëse është kanceroz.

Trajtimi

Nëse një femër është diagnostikuar me praninë e një fibroadenome, ajo nuk duhet domosdoshmërish të hiqet. Në varësi të simptomave fizike, historisë familjare dhe shqetësimeve personale, mjeku specialist përcakton nëse do të hiqet ose jo. Fibroadenomat që nuk rriten dhe përfundimisht nuk janë kanceroze, mund të monitorohen nga afër me ekzaminimet klinike të gjirit dhe me testet imazherike, siç janë eko dhe mamografia. Vendimi për të hequr një fibroadenomë zakonisht varet nga sa vijon, nëse ndikon në formën natyrale të gjirit, nëse kjo shkakton dhimbje, nëse ka zhvillim të kancerit, nëse ka një histori familjare të kancerit ose nëse biopsitë kanë qenë të diskutueshme.

Të jetosh me fibroadenomë

Për shkak të rrezikut të rritur të kancerit të gjirit, femrat të cilat kanë fibroadenoma, duhet të kryejnë kontrolle të rregullta me mjekun dhe të planifikojnë eko dhe mamografi të rregullta. Gjithashtu duhet të kryejnë vetë ekzaminimin e gjirit, si pjesë të rregullt të rutinës. Nëse ka ndonjë ndryshim në madhësinë ose formën e një fibroadenome ekzistuese, duhet të kontaktohet menjëherë mjeku specialist.

Operacioni

Mjeku mund t’ju sugjerojë që të hiqni fibroadenomën, nëse një nga testet – ekzaminimi klinik i gjirit, testi imazherik ose biopsia – nuk rezulton normal.

Procedurat për heqjen e fibroadenomëve janë:

Biopsia ekscizionale – kirurgu heq një pjesë nga indi i gjirit dhe e dërgon në laborator për të kontrolluar për kancer.

Krioablatzon – Është një mundësi tjetër e biopsisë ekscizionale, ku mjeku fut një pajisje të vogël nëpërmjet lëkurës te fibroadenoma. Në këtë rast përdoret një lloj gazi për të ngrirë indin. Disa fibroadenomë janë shumë të mëdhenj për t’u ngirë dhe kjo procedurë përdoret vetëm nëse diagnoza është e sigurt.

Edhe pas heqjes së fibroadenomës, ekziston mundësia që të shfaqen masa të tjera beninje. Gjëndrat e reja të gjirit duket të kontrollohen me anë të ekove të gjirit, mamografive dhe biopsisë, për të përcaktuar nëse gjëndra është fibroadenomë ose kancer.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: