“Joshje” nga biznesi, po shtohen femrat pronare e administratore

“Joshje” nga biznesi, po shtohen femrat pronare e administratore
Nuk po i tërheq më vetëm bota e politikës, por tashmë edhe ajo e biznesit. Femrat shqiptare duket se po e parapëlqejnë gjithmonë e më shumë faktin t’i futen “botës” së tij. Këtë e faktojnë shifrat në rritje të atyre që janë pronare apo edhe administratore kompanish.

Kështu, sipas Institutit të Statistikave, gjatë vitit të kaluar, niveli i këtyre femrave është rritur deri në 29.7% të totalit, nga 26.8% që ai ishte në vitin pararendës, 2016. Duke treguar kështu trendin në rritje të një femre që ka fuqinë e vendimmarrjes në një biznes.

Më tej, ekspertët sqarojnë se kjo në fakt është më e fortë në ndërmarrjet e vogla, pra ato që kanë vetëm 1-4 të punësuar.

“Në këto lloj kompanish, drejtueset femra janë deri në nivelin prej 30.2%, por gjithsesi, ka pësuar rritje në të gjitha kategoritë krahasuar me vitin paraardhës. Rritja më e madhe në vitin 2017, është regjistruar në ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar, ku ka 5% më shumë gra pronare ose administratore se një vit më parë”, sqarojnë ekspertët lidhur me një dukuri të tillë.

Ndërsa duke iu referuar profilit të kompanive, ku femrat janë më të pranishme si drejtuese, ata theksojnë se kjo ndodh pikërisht në ato të llojit të shërbimeve dhe më pak në sektorë ku prodhohet, si industria për shembull.

“Niveli i pranisë së tyre në këta sektorë është 36.3% për atë të shërbimit dhe 16.1% në të prodhimit”, janë shifrat konkrete që jep INSTAT-i, lidhur me këtë ndarje. Duke shtuar se rritja më e madhe ka ndodhur në sektorin e shërbimeve, me 9% krahasuar me një vit më parë.

Mesa duket, ky është një lloj biznesi që mund të drejtohet më lehtë nga femrat, ndryshe për shembull nga të tjerë si bujqësia, industria etj, ku drejtuesit figurojnë se janë kryesisht meshkuj.

 

INSTAT: Femrat dekurajohen për të punuar, por janë më të arsimuara

Shqipëria mund të mos jetë vendi ideal për femrat sa i përket tregut të punës. Pjesëmarrja e tyre në këtë treg është më e ulët sesa ajo e burrave dhe dekurajimi është një tendencë që shfaqet gjerësisht për këtë grup.

Por nga ana tjetër, femrat rezulton se janë më të arsimuara, sesa burrat pasi zënë përqindjen më të lartë të atyre që kanë arsim të lartë.

Të gjitha këto të dhëna u bënë publike dje gjatë prezantimit të “Burrat dhe Gratë në Shqipëri”, një studim i fundit ky i Institutit të Statistikave (INSTAT), i cili hedh dritë mbi realitetin shqiptar lidhur me popullsinë, shëndetin, arsimimin dhe vendim-marrjen, duke sjellë në fokus pikërisht çështjen e barazisë gjinore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: