Jeni para një ndërhyrje kirurgjikale? Ja këshillat që duhet të ndiqni

Publicitet
Publicitet
Jeni para një ndërhyrje kirurgjikale? Ja këshillat që duhet të ndiqni
Mjekët rekomandojnë të mos konsumohet duhan deri në tre muaj para, të matet glicemia, të mos konsumohet alkool si dhe të bëhet një jetë e shëndetshme

Sonila Isaku

Aftësia e kirurgut është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e suksesit të ndërhyrjes dhe gjendjes suaj, gjatë dhe pas operacionit. Veprimet tuaja ndikojnë më shumë nga sa mund të mendoni. Zbuloni tetë mënyrat që ju ndihmojnë të jeni në formë të mirë, para se të kryeni një ndërhyrje kirurgjikale.

Matni gliceminë

Nivelet e larta të sheqerit në gjak gjatë operacionit, katërfishojnë riskun e vdekshmërisë gjatë një operacioni në zemër dhe e trefishon rrezikun e infeksionit të plagës. Sipas një studimi të botuar në revistën “Nutrition”, një e katërta e pacientëve të cilët kishin kryer ndërhyrje kirurgjikale edhe pse të pa diagnostikuar më parë me diabet, shfaqën nivele të larta të sheqerit në gjak në ditën e operacionit. Nëse keni planifikuar t’i nënshtroheni një ndërhyrjeje kirurgjikale, sigurohuni të kryeni analizën për matjen e glukozës.

Asnjë cigare

Nikotina dhe përbërës të tjerë në tymin e duhanit, ngushtojnë enët e vogla të gjakut, duke rritur rrezikun e Infarktit të Miokardit gjatë operacionit, dhe kufizojnë rrjedhjen e gjakut të nevojshme për shërimin e plagës. Nëse duhanpirësit reshtin së konsumuari duhan, qoftë edhe vetëm për një muaj para operacionit, rezultatet janë të ngjashme me personat që nuk kanë pirë kurrë, thotë Varghese. Megjithatë, konsumi qoftë edhe i vetëm një cigareje para operacionit, mund të çojë në rritjen e presionit arterial dhe reduktimin e oksigjenit në organet vitale.

Mbathni atletet

Pas kryerjes së mijëra operacioneve të ezofagut, kirurgu i kraharorit, Mark Oringer, i Universitetit të Michiganit, arriti në përfundimin se pacientët të cilët nuk kishin përmasa të arsyeshme trupore para ndërhyrjes kirurgjikale, shoqëroheshin me rezultate të dobëta postoperatore. Sot, ai nuk operon pacientët e aftë për punë, të cilët nuk mund të ecin një milje. Robert Cima, Drejtori Mjekësor për Kërkimet në Kirurgji pranë Klinikës Mayo, beson: "Kryerja e një ndërhyrjeje kirurgjikale, është si të vraposh në një maratonë, është si të shkosh në luftë. Duhet të jesh i përgatitur për shërimin nga trauma madhore."

Kujdes me alkoolin

Varësia nga alkooli mund të shkaktojë vdekjen gjatë ose pas operacionit, thonë mjekët. Alkoolizimi mund të shkaktojë konvulsione, dëmtime të sistemit nervor, aritmi dhe ndalim të frymëmarrjes (arrest respirator). Konsumimi i moderuar, zakonisht, nuk është problem, por mjeku juaj duhet të dijë, nëse konsumoni më shumë se një ose dy pije në ditë.

Shmangni përdorimin e suplementeve

Ginkgo biloba, - një bar që shumë njerëz e marrin për të rritur kujtesën, mund të shkaktojë gjakderdhje të rrezikshme gjatë operacionit. Ginseng që merret për të përmirësuar sistemin imunitar, mund të ndikojë në nivelin e sheqerit në gjak. Valerian që shpesh merren për çrregullime të gjumit, mund të shkaktojë anestezi të rrezikshme. Pra, nevojitet të ndërprisni përdorimin e të gjitha suplementeve bimore dy javë para operacionit, dhe të informoni mjekun mbi çfarë po përdorni.

Gërhitja gjatë gjumit

Pacientët me apne të gjumit, kanë më shumë mundësi të shfaqin probleme të frymëmarrjes gjatë operacionit. Ky shqetësim është tejet i përhapur. Një studim i publikuar në Sleep Medicine, gjeti se mbi 80 për qind e pacientëve të cilët i nënshtrohen kirurgjisë, me rrezik të lartë për apne të gjumit, janë të pa diagnostikuar para operacionit. Nëse ju gërhisni, shpesh, ose ndiheni të lodhur gjatë ditës, bëni me dije mjekun. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, mjeku mund të shmangë dhënien e lëndëve narkotike - të cilat mund të shkaktojnë probleme të frymëmarrjes.

Bëni kujdes me mjekimin që merrni

Holluesit e gjakut mund të shkaktojnë probleme të gjakderdhjes (humbjes së gjakut), gjatë operacionit. Nga ana tjetër, ndërprerja e marrjes së disa medikamenteve, mund të jetë njëlloj e rrezikshme. Për shembull, ndalimi i papritur i beta-bllokuesve trefishon rrezikun e një ataku kardiak pas operacionit. Para operacionit, sigurohuni që mjeku të dijë se cilat barna përdorni.

Lëngje frutash dhe perimesh

Përqindja e pacientëve të cilët konsiderohen të kequshqyer, ndërsa nevojitet t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale, është e konsiderueshme. Kjo gjendje rrit ndjeshëm riskun për ndërlikime që mund të përshkallëzohen më tej. Konsumimi i pijeve ushqyese, për katër apo pesë ditë para operacionit, mund të përgjysmojë këtë rrezik.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: