ITALI REBELE APO BE JODEMOKRATIKE?! – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
Publicitet
ITALI REBELE APO BE JODEMOKRATIKE?! – ANALIZË NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në Itali, me zgjedhjet e 4 marsit dhe pastaj me qeverinë e 1 qershorit, ndodhi çfarë nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e demokracisë së Europës.

Në njërën anë, në Itali për herë të parë, fitoi një qeveri populiste.

Në anën tjetër, fitorja e populistëve në Itali, zbuloi se çfarë ishte në fakt Europa.

Vërshimi i populistëve në Europë, u kurorëzua më hapur në Itali - ekonomia e tretë me e fuqishme në Europë dhe zemra e kulturës dhe qytetërimit europian. Kjo furi populistësh u ka shtënë frikën në zemër kastave të vjetra politike, qeverive demagogjike që kanë distancë me popujt, liberalëve majtistë që kërkojnë Europë me kufij të hapur për emigracion masiv... Aq më shumë që, këta e lidhin populizimin në rritje me fitoren e presidentit Trump në Amerikë dhe me Brexit në Britani...

Fitorja e populistëve në Itali zbuloi se, Europa ka më pak demokraci se sa duket. Europa iu sul Italisë, për të mbytur votën, qëkurse ndjeu fitoren për populistët, duke dëshmuar sa pak demokraci ka mbetur në zyrat e Bashkimit Europian. Kjo javë me gjithçka ndodhi në Itali, zbuloi natyrën e vërtetë të BE-së.

Çfarë nuk kemi parë kurrë në BE

Sigurisht, BE-ja nuk mund të merrte një vendim të hapur se “ne, krerët e BE-së, jemi kundër votës së lirë”. Atëherë, askush nuk do të besonte se ndodhemi në këtë planet. Por një nga krerët e tre a katër shteteve themeluese të BE-së, siç është vetë Italia, u bë “kallauz”. Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, sfidoi demokracinë, hodhi poshtë vullnetin e shumicës së italianëve. Në vend të vullnetit të shumicës, presidenti i Italisë nxori nga mënga një kukull. Për herë të parë, demokracia në Europë u pa haptazi se si e fshiu legjitimitetin e votës.

Elitat qeverisëse në Europë, nuk heqin dorë nga kontrolli

Ajo që shpëtoi prej kontrollit të elitave të qeverive në BE, ishte vetëm Brexit i Britanisë. Shpëtoi, sepse eurokratët nuk e prisnin se do të ndodhte realisht. Ndryshe do t’i kishin prerë kokën votës “Leave”. Italia e dëshmoi qartë atë çfarë ndodh në themelet e Europës, për të mbrojtur interesat e elitave - mbi të gjitha.

Votuesit italianë shkuan në votime më 4 mars. Ishte paraparë se, do të votonin shumicë në favor të dy partive populiste - antisistem dhe skeptike ndaj Europës: 5 Yjet dhe Lega Nord. BE-ja e kishte shënuar fitoren e populistëve me votë si “vullnet i gabuar”. Për herë të parë, në fjalorin e demokracisë formulohet “vullneti i gabuar” i popullit. Presionet nga BE-ja nuk pushuan deri në orën e votimit. Pas votimit, presioni u afrua më shumë - nga Brukseli, në Romë, në Pallatin Quirinale. Fitimtarët e 4 marsit erdhën nga dy krahë të kundërt dhe u desh një periudhë e mundimshme për të arritur në një program dhe koalicion të vetëm qeverisës. Kjo ishte një sfidë e zgjedhjeve të fundit.

Elitat politike janë mjeshtre të kontrollojnë “pa u dukur”

Sapo nisi procesi për formimin e qeverisë nga fitimtarët me votë, u duk menjëherë se punët nuk shkojnë vaj. Por nuk pritej ajo çfarë ndodhi. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, nuk pranoi kandidaturën e një ministri. Vetë partitë fituese zgjodhën një “profesor puppet” si kryeministër, por sjellja e presidentit ishte më e dëmshme. Presidenti mund të thoshte ndonjë fjalë para popullit italian se, “pse zgjidhet një politikan fals” - siç është profesori i panjohur Giuseppe Conte, në Italinë e vlerave profesionale dhe politike... Por në vend të kësaj, Presidenti iu sul një ekonomisti të njohur, siç është Paolo Savona, i propozuar nga populistët për ministër i Financave. Presidenti tha “jo”. Pse? Sepse profesor Savona nuk kishte shprehur mjaft mbështetje për projektin financiar të BE-së... BE-ja, me anë të presidenti italian, po mbronte interesat e veta, duke prekur interesat e popujve anëtarë, siç italianët janë qysh prej fillimit.

Më mirë një gërshërë, se një reformë të vërtetë, sipas BE-së

Të dy liderët e partive fitimtare, gjatë procesit të formimit të kabinetit, ngritën alarmin se, BE-ja po fut duart, me qëllim që të mos krijohet qeveria populiste. Nën zë u përfol edhe kancelaria Merkel, por mbi të gjitha, BE-ja. Në fakt, gjithë shqetësimi u reflektua tek akti i presidentit Mattarella. Ai shkoi deri në pikën, saqë për Italinë të ofrojë më mirë një “gërshërë” se një qeveri të zgjedhur me votë. Si “gërshërë” njihet në Itali, Carlo Cottarelli të cilin Presidenti e paraqiti si kryeministër ose si sfidë kundër votës demokratike. Cottarelli, një nëpunës i FMN-së, njihet me nofkën “Mr. Scissors” (ose “zoti gërshëra”), për shkak se ka qenë aktiv në fushën e prerjes së fondeve në një situatë “austerity”, si në Greqi. Ndërsa profesori 81 vjeç, Paolo Savona nuk ishte pajtuar me ashpërsinë dhe jetën asketike (austerity), dhe prandaj është shpallur heretik për BE-në. Prof. Savona ka shprehur pakënaqësi ndaj gjithë projektit të bashkimit monetar, madje edhe me idenë se në disa vende si Italia - ku papunësia prek jetën e një të tretës së qytetarëve e sidomos të rinisë - mund të ketë nevojë për mekanizma të tjerë financiarë - deri daljen nga monedha. Presidenti i Italisë nuk mund të lejonte një masë të tillë “heretike” që prek eurokratët e BE-së, edhe pse prek interesat dhe vullnetin e popullit italian.

Po Brukseli, çfarë bën?

Mattarella e dinte se loja me “puppetin” e tij, nuk mund të ecte. E dinte mirë se, partitë populiste nuk e pranonin, prandaj populli do të kthehej në zgjedhje ku, BE-ja kishte shpresë se populistët nuk do të fitonin shumicë. Në fakt, ishte një llogaritje e gabuar, por ishte gjithashtu edhe një shans kundër populistëve. Në Itali, nisi një “impeachment” ndaj presidentit, por dihej se do të ndërpritej, pasi kishte BE-në pas tij.

Brukseli ishte bashkëpunëtor në këtë lëvizje që, në fakt, është akt i hapur kundër vullnetit të popullit. Sipas lojës, populli le të kthehej prapë në maskaradën e zgjedhjeve, mjaft që elitat të mos preken. Komisioneri i Buxhetit në BE, Gunther Oettinger, u rendit në fillim të funksionarëve të BE-së që bëri thirrje ekstreme. “Shqetësimi im dhe shpjegimi im është se, në javët e ardhshme do t’i shikojmë pasojat në tregun italian, ekonomia do t’u japë italianëve sinjale se sa gabim votuan kur votuan për populistët”, deklaroi komisioneri i BE-së.

Ndërsa në fund, në fund fare të radhës me retorikën mbi votuesit italian, u radhit presidenti i BE-së, Tusk. Ai iu drejtua anëtarëve të BE-së: “Të gjitha shteteve, ju them: Ju lutem, respektoni votuesit! Ne jemi këtu që t’i mbrojmë dhe jo të japim leksione për votuesit”.

BE-ja praktikoi dy lloj leksionesh.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: