ITALI/ Masakrohet për vdekje prostituta shqiptare, 20-vjeçaren e rrahën dhe e flakën nga makina

ITALI/ Masakrohet për vdekje prostituta shqiptare, 20-vjeçaren e rrahën dhe e flakën nga makina
Një 20-vjeçare shqiptare ka ndërruar jetë mbrëmjen e së dielës në spitalin Santa Croce në Moncalieri, e masakruar nga persona ende të panjohur.

Angela Meçani u flak në rrugë nga një makinë në zonën Nichelino, në jug të Torinos.

Policia italiane thotë se nga informacionet paraprake mendohet se shqiptarja prostituonte në rrugë, por ende nuk dihet motivi dhe autorët e krimit.

Vajza është gjetur mbrëmjen e së shtunës thuajse pa jetë nga një shofer që kalonte në rrugë. Një tjetër person kishte parë skenën se si ajo ishte flakur nga një makinë në ecje e sipër dhe kishte njoftuar policinë.

Mjekët thanë se vajza kishte dëmtime të shumta në pjesët e brendshme të trupit, të shkaktuara kryesisht nga përplasja e fortë me asfaltin, por kishte gjithashtu shenja dhune që ishin shkaktuar përpara kësaj përplasjeje.

Nga ekzaminimi mjeko-ligjor, ka rezultuar se vajza ishte rrahur egërsisht përpara se të flakej në rrugë.

Ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për tutorë, klientë apo grupe kriminale rivale që mund të kenë kryer krimin.

Mediat italiane shkruajnë se policia në Torino po punon për identifikimin e automjetit nga i cili u hodh 20-vjeçarja, për të arritur më pas tek autorët e krimit.

Po kërkohet edhe nëpërmjet kamerave të sigurisë në zonë, për të gjetur pamje filmike që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: