Interneti sfidon celularët, shqiptarët tani telefonata përmes aplikacioneve

Publicitet
Publicitet
Interneti sfidon celularët, shqiptarët tani telefonata përmes aplikacioneve
WhatsApp, Skype apo Viber përherë e më shumë po zgjidhen si rruga më e shkurtër për të kryer një bisedë me dikë, brenda apo jashtë vendit, qoftë kjo me zë, apo me shkrim

Telefoni i shtëpisë? Një zgjedhje gjithmonë e më e pakët për të dëgjuar zërin e dikujt. Madje, edhe ajo përmes celularit, e cila deri dje ishte mjaft e preferuar për shqiptarët.

Interneti, duket se po i sfidon që të dyja.

Pikërisht, përmes aplikacioneve të ndryshme në telefonat e cilësuar si “të zgjuar”, që duket se po rrëmbejnë “pjesën e luanit” të tregut të komunikimeve elektronike.

WhatsApp, Skype apo Viber përherë e më shumë po zgjidhen si rruga më e shkurtër për të kryer një bisedë me dikë, brenda apo jashtë vendit, qoftë kjo me zë, apo me shkrim.

Një dukuri kjo që thuajse të gjithë e ndeshim në jetën tonë të përditshme, por që tani konfirmohet edhe zyrtarisht.

Është vetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili e pranon ekzistencën e saj në raportin vjetor 2017, ku citon se përdorimi i internetit nga përdoruesit e telefonisë celulare, por edhe asaj fikse është rritur shumë.

“Fjala është për thirrjet që bëhen përmes Viber, WhatsApp, Skype apo FaceTime etj dhe teknologjive të tjera. Duke qenë se shumica e njerëzve kanë telefona të zgjuar, i përdorin ata për të folur përmes internetit dhe nuk e bëjnë më këtë gjë përmes thirrjeve klasike telefonike”, pohoi dje Ilir Zela, kryetar i këshillit drejtues të AKEP-it, teksa e prezantoi këtë dokument para deputetëve në komisionet parlamentare.

“Numri i përdoruesve të shërbimeve 3G/4G të internetit në celularë është rritur me 20% gjatë vitit të kaluar”, citon AKEP-i. Duke shtuar nga ana tjetër se numri i minutave të thirrjeve dalëse nga celularët ra me nivelin 2.6%, sikundër edhe mesazhet klasike SMS kanë shënuar një rënie vjet, deri në nivelin prej 13%. Për të treguar kështu se të tilla mënyra komunikimi nuk po preferohen më si dikur.

“Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare që kanë përdorur aksesin broadband në internet të paktën një herë gjatë vitit 2017 ishte rreth 3.3 milionë, duke shënuar një rritje vjetore me nivelin prej 22.2%”, saktëson më tej AKEP-i. Për të përfunduar se penetrimi i përdoruesve të internetit përmes celularit në fund të vitit 2017 arriti në nivelin prej 72%, krahasuar me 60% në fund të vitit pararendës, 2016.

“Në vitet 2016-2017 vihet re një rritje e ndjeshme e përdorimit të shërbimeve të aksesit internet, efekt ky i fillimit të ofrimit të shërbimeve 4G. Ku vetëm që nga viti 2013 kjo rritje ka arritur deri në nivelin prej 65%”, konfirmojnë dukurinë e lartpërmendur ekspertët e AKEP-it.

 

Telefonia fikse po vjen në rënie, por interneti përmes saj i qëndrueshëm

Familjet shqiptare nuk po e preferojnë më si dikur telefoninë fikse në shtëpitë e tyre. Por ama duket se e mbajnë atë për t’u lidhur me internetin.

Të paktën këtë ide të jep raporti i fundit i AKEP-it, sipas të cilit, ndërsa përdoruesit e telefonisë fikse në vend janë në rënie e sipër, shërbimi i internetit që ajo ofron, është në nivele të qëndrueshme.

“Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të 2016-ës ishte rreth 248 mijë, ndërsa në 2017 arriti në rreth 244 mijë, që përbën një rënie me nivelin prej 2%”, cilëson AKEP-i.

“Numri pajtimtarëve me internet fiks në fund të vitit 2017 arriti në rreth 294 mijë, që përbën një rritje me rreth 10.5% në krahasim me vitin 2016”, cilësojnë më tej ekspertët e AKEP-it, lidhur me këtë dukuri.

 

 

Shqiptarët po preferojnë paketat e kombinuara telefon-internet-TV

Një zgjidhje mjaft e mirë për shqiptarët duket se po paraqitet së fundmi edhe ajo që ofron tre shërbime: Telefon + Internet + TV.

Kjo pranohet edhe nga ekspertët e AKEP-it, sipas të cilëve “numri i pajtimtarëve të rrjeteve fikse që kanë akses në shërbime të integruara dyfishe ose trefishe (kombinim Telefoni/Internet/ TV) në fund të vitit 2017 arriti në rreth 198 mijë, rreth 6.5 % më shumë se në vitin 2016.

“Në vitin 2017 pajtimtarët me paketa të integruara përbënin 67% të pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse, ndërsa 34% janë me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV)”, sqarojnë ata, duke treguar kështu rritjen progresive nga viti në vit të këtij lloj trendi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: