Interesi për bujqësinë sa vjen edhe po bie... Ku punojnë shqiptarët?

Interesi për bujqësinë sa vjen edhe po bie... Ku punojnë shqiptarët?
Gjithmonë e më pak të interesuar për t’u marrë me “punët e rënda” të bujqësisë. Duket se të punësuarit po zgjedhin më shumë “punët e lehta”, pikërisht ato që ofrojnë shërbime

Politika po bën të pamundurën që ta nxisë sektorin e bujqësisë, por ama shqiptarët nuk duket se shfaqin interes të lartë për të punuar në të.

Kështu tregojnë të paktën shifrat e fundit zyrtare, sipas të cilave, rezulton se nga viti në vit ka një rënie të dukshme të nivelit të të punësuarve në këtë sektor. Kurse nga ana tjetër, rezulton se po shfaqin shifra gjithmonë e më të larta, ata që zgjedhin të punojnë në sektorin e shërbimeve.

Konkretisht, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Anketën e fundit të Forcave të Punës, rezulton se ato në sektorin e bujqësisë, sa po vijnë dhe po pakësohen.

Përveç qarkut të Elbasanit, i cili rezulton këtë vit me një shtim të personave që merren me bujqësi, të 11 qarqet e tjera në rang vendi rezultojnë me rënie të tyre. Madje, ka edhe qarqe si Tirana, i cili e ka këtë shifër në nivele mjaft modeste, vetëm 7% të totalit të njerëzve që punojnë.

Një nivel ky i pandryshuar aspak gjatë dy viteve të fundit, megjithë fermat e reja të hapura, apo edhe subvencionet që shteti jep për çdo vit, pikërisht për të stimuluar prodhimin bujqësor si të tillë. Kundrejt kësaj, Tirana rezulton se ka nivelin më të lartë të të punësuarve në sektorin e shërbimeve.

E thënë më thjesht, shumica e atyre që punojnë në “zemër” të vendit, parapëlqejnë punët që cilësohen si “të lehta” dhe jo ato të rëndat e bujqësisë, pra të ofrojnë shërbime. Konkretisht, Tirana e ka këtë tregues në nivelin prej 66% të totalit të të punësuarve. Dhe nëse e krahasojmë me Elbasanin për shembull, ku ishin shtuar ata që merreshin me bujqësi, këtu ata që merren me shërbime janë pakësuar, duke arritur në vetëm 22% të të punësuarve, ose 2% më pak se dy vjet më parë.

Nga ana tjetër, shërbimet duket se po konsiderohen si “varkë shpëtimi” për të punësuarit, edhe në qarqe ku punësimi si i tillë është problem për popullatën vendase. Përmendim këtu atë të Gjirokastrës, ku ai sivjet ka shënuar një rritje të tij deri në nivelin prej 45%, nga 39% dy vjet më parë etj.

Ndërkaq, nëse bëjmë një krahasim në rang vendi, rezulton se sektori i bujqësisë ka shënuar një rënie të dukshme të tij sa u përket të punësuarve, respektivisht në nivelin prej 37.7%, krahasuar me atë prej 40.7% që ka qenë para dy vitesh. Dukuri kjo që nuk vlen në fakt për sektorin e shërbimeve, ku të punësuarit sivjet janë shtuar në 42.7% të të punësuarve, kundrejt 40% të tillëve që ishin dy vjet më parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: