Industria e turizmit po gjeneron miliarda , fluks agjencish e hotelesh

Publicitet
Industria e turizmit po gjeneron miliarda , fluks agjencish e hotelesh
Industria e turizmit po njeh fuqizim të saj nga viti në vit në Shqipëri. Këtë e tregojnë shifrat gjithmonë e në rritje të gjenerimit të miliarda lekëve. Këto, të ndara sipas aktiviteteve që janë të lidhura në mënyrë direkte me turizmin.

Një dukuri e tillë faktohet nga të dhënat më të fundit që Instituti i Statistikave ka dhënë për këtë lloj industrie, duke pranuar se “aktivitetet e lidhura direkt me turizmin, gjeneruan rreth 39 miliard lekë vlerë të shtuar gjatë vitit të kaluar 2017, duke kontribuar me rreth 2.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto”. Për të shtuar më tej edhe faktin se duke marrë në konsideratë efektet indirekte të shpenzimeve të turistëve në aktivitete të tjera ekonomike, ky kontribut është edhe më i lartë.

Konkretisht, sipas ekspertëve, rezulton se vetëm nga aktiviteti i akomodimit të turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë, ekonomisë shqiptare i janë futur plot 8 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Ndërsa pjesa më e madhe të këtyre parave që ekonomia përfiton nga turistët, duket se vjen nga shërbimi që atyre u ofrohet për pije dhe ushqim, kryesisht nga baret dhe restorantet në rang vendi, sidomos ata përgjatë rivierës.

Kështu, sipas të dhënave të INSTAT-it, janë plot 25.5 miliardë lekë që ekonomia jonë ka përfituar vetëm nga një shërbim i tillë ndaj turistëve gjatë vitit të kaluar, ose pjesa më e madhe e të ardhurave që ajo gjeneron prej tyre. Duke lënë pas, kështu edhe atë të ofruar nga agjencitë e udhëtimeve, operatorët turistikë apo qeratë e makinave, të cilat vjet shënuan një normë fitimi prej 5 miliardë lekësh. Por që gjithsesi, sipas ekspertëve, edhe ajo ka qenë në rritje në krahasim me vitet e mëparshme dhe flet në këtë mënyrë sipas tyre, për një trend progresiv të tij.

 

Sa turistë të huaj mund të akomodohen në vendin tonë?

Në vitin 2016, në gjithë vendin funksionuan 1.242 struktura akomoduese. Kjo është shifra e konfirmuar zyrtare për to, duke përfshirë këtu hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afat-shkurtra, të vëna në dispozicion për turistët e huaj të cilët e zgjedhin Shqipërinë si një destinacion pushimesh. “Numri gjithsej i dhomave në këto struktura ishte 17.692 dhe shtretërit ishin 41.376 mijë. Gjatë viteve 2013-2016, numri gjithsej i strukturave akomoduese (që funksiononin gjatë periudhës) u rrit mesatarisht me 20.3% dhe numri i shtretërve në to u rrit mesatarisht 13.3%”, janë disa shifra të tjera që japin ekspertët, lidhur me njësitë akomoduese në rang vendi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: