ILIR META, NJË PRESIDENT MES LSI DHE TË GJITHA PALËVE – ANALIZË NGA ALFRED PEZA

Publicitet
Publicitet
ILIR META, NJË PRESIDENT MES LSI DHE TË GJITHA PALËVE – ANALIZË NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vetëm pak orë pasi njëri prej artistëve të Teatrit Kombëtar kërkoi në mbrëmje nga një ekran televiziv, prononcimin e Presidentit rreth debatit për shembjen ose jo të godinës së tij, Ilir Meta u takua në mëngjes me një përfaqësi të tyre.

“Presidenti i Republikës bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bën apel qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, të dëgjohen sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare”,- thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të kreut të shtetit.

Nëse e sheh me një sy të ftohtë, e gjitha çfarë ka ndodhur e u komentua më pas, është një qëndrim mjaft korrekt, brenda tagrit ligjor e kushtetues, si “përfaqësues i unitetit të popullit” dhe brenda formulës së betimit për të “respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve”, duke “i shërbyer interesit të përgjithshëm”. Sepse nuk është hera e parë që Ilir Meta e bën këtë, duke qenë shumë i vëmendshëm ndaj komunitetit të artistëve, sportistëve, gazetarëve, akademikëve, pedagogëve, studentëve, të rinjve, etj.

Është ky dimension i tij prej politikani me shumë përvojë tashmë, që e bën të mos neglizhojë as varrimin e Fadil Vokrrit, as përvjetorin e PS-së, as dhënien e pasaportës shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, as sensibilitetet e pakicave etnike e kulturore të vendit, ose aktivitetet simbolike kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët në Ballkan, por jo vetëm.

Pavarësisht se, përfaqësuesit e Grupit Parlamentar dhe gazeta e partisë, vazhdojnë që ta trajtojnë Ilir Metën, - në disa raste edhe publikisht, - si president të LSI-së, e vërteta është se nga pikëpamja formale, ai vetë, për afër një vit në detyrë, ka bërë e po bën çmos që të jetë në lartësinë e kryetarit të shtetit.

Kryeministri Edi Rama i pyetur, pak kohë më parë nga Gjirokastra, u shpreh se: “Ilir Meta nuk ka bërë asnjë gabim deri më sot. Nuk është se kemi shumë komunikim, po ka pak rëndësi. Ajo që unë vlerësoj, është pozicioni që ai mban. Nëse nuk do ishte Meta, por një person që s’do kishte bagazh nga e shkuara, do ishte shumë keq. Është Presidenti më i mirë që kemi pasur!”

Ky vlerësim i shefit të qeverisë është i parakohshëm, po të kemi parasysh se është thënë në formën e një konkluzioni përfundimtar të artikuluar si diçka e kryer, ndërkohë që Presidenti i Republikës nuk ka konsumuar as edhe 20% të kohës së tij në detyrë. Pra, ai është ende në fillimin e mandatit të tij të parë 5-vjeçar dhe sipas Kushtetutës ka të drejtë të zgjidhet edhe për një mandat të dytë. Nga ana tjetër, të jesh në krye të shtetit është një detyrë aq delikate dhe me përgjegjësi të lartë, sa edhe një faj i vetëm në një çast kohor të caktuar, mund të rezultojë përcaktues për cilësinë e gjithë presidencës.

Pa dashur për asnjë moment që ta paragjykoj, historia e këtyre 27 viteve të post komunizmit, ka treguar se nxitimi për të dhënë një përkufizim si ai i Kryeministrit për Presidentin, ka qenë jo në të gjitha rastet produktiv. Për aq kohë sa humoret politike të liderëve tanë politikë, jo rrallëherë janë luhatur nga një ekstrem i lavjerrësit në tjetrin, në varësi të interesave të gjithfarshme, të vetat personale ose edhe të momentit. Kjo mund të ndihmojë nesër teorikisht Presidentin, në dhënien e një avantazhi moral e politik në publik, për aq kohë sa nuk do të thotë që ai të ketë të drejtë në rast të një “përplasje” të mundshme, as “apriori”, as “aposteriori”.

Gjithsesi, ajo që duhet pranuar me gojën plot është se, Ilir Meta në mos “Presidenti më i mirë që kemi pasur”, është padyshim një nga variantet më të mira që mund të kishim, në këtë fazë të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Duke patur parasysh se, për shkak të karrierës së tij të gjatë politike, ai njeh po aq mirë si politikën shqiptare, ashtu edhe atë të jashtme. Si marrëdhëniet me partitë politike, ashtu edhe mes pushteteve të tjera, duke nisur nga legjislativi, ekzekutivi dhe ai i drejtësisë. Por, edhe raportet me median dhe grupet e tjera të interesit, përfshi këtu edhe lobet e fuqishme ekonomike.

Është ndoshta kjo arsyeja përse edhe përplasjet e tij si President Republike me drejtuesit e këtyre pushteteve dhe institucioneve të rëndësishme kushtetuese të vendit, kanë qenë deri tani relativisht më të pakta, se ato të paraardhësve të tij në godinën nr. 1 të shtetit shqiptar.

Padyshim, “përplasja” më e fortë dhe më e zhurmshme mes kreut të shtetit dhe qeverisë, ka qenë ajo që lidhej me dhënien e autorizimit për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për fillimin e negociatave zyrtare me Greqinë. Në lojë ishte çështja e kufirit detar mes dy vendeve tona, por edhe një listë çështjesh të tjera të bartura nëpër histori të problemeve të pazgjidhura mes Tiranës dhe Athinës. Kjo “përplasje” u shoqërua me debate të forta edhe në media e opinionin publik, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ka kudo për këto tema.

Pas qartësimit të keqkuptimeve dhe paragjykimeve të ndërsjella mes të dyja palëve, edhe për shkak të kazusit që ka prodhuar një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e detit, gjithçka u tejkalua më butë sesa u duk në fillim.

Në linjën e marrëdhënieve ndërkombëtare, një tjetër rast “përplasjeje” mes Presidentit të Republikës dhe ministrit të Jashtëm ka qenë ajo për votën e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për çështjen e njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Një votë që si rrallëherë, shkoi kundër asaj të SHBA-së dhe Presidentit Tramp. Përveç edhe Izraelit vetë, vetë nga 7 shtete e mbështetën SHBA-në; Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronesia, Nauru, Palau dhe Togo. Ndërkohë që të gjitha shtetet e Europës, përfshi edhe Shqipërinë, votuan në masë kundër SHBA-së.

Pika e fundit e “mosmarrëveshjeve” të deritanishme mes Presidentit dhe shumicës qeverisëse, është ajo që lidhet me mosdekretimin e Helidon Bendos në detyrën e shefit të shërbimit sekret shqiptar, një propozim ky i Kryeministrit Edi Rama. Vetë kreu i shtetit i pyetur për arsyet e këtij hezitimi, ka thënë se, “duhet të kemi në konsideratë se një vendimmarrje e tillë është shumë e rëndësishme, e cila kërkon kohë. Presidenti duhet të jetë i bindur se, një vendimmarrje përfundimtare siguron një institucion kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare”.

Propozimi për kreun e ri të SHISH-it, ka që nga 30 tetori i 2017 që qëndron mbi tryezën e z. Meta dhe megjithëse kanë kaluar rreth 230 ditë nga ajo kohë, ai ende me sa duket nuk është i bindur për ta firmosur dekretin.

Pavarësisht kësaj dhe të gjitha gjërave të tjera që u thanë ose që mund të mos jenë thënë këtu, një gjë ndoshta është e sigurt. Kur më 24 korrik të bëhet një bilanc edhe më i plotë i punës njëvjeçare si President i Republikës, pakkush mund ta mohojë se Ilir Meta ka bërë gjithçka për t’iu “larguar” LSI-së, duke u përpjekur maksimalisht për tu perceptuar si një President mes palëve. A do ia dalë dot deri në fund të mandatit, të jetë edhe mbi palët dhe “përfaqësuesi i unitetit të popullit”, më i miri që kemi pasur ndonjëherë? Kjo mbetet për t’u parë. Deri atëherë, ai do ketë zhvilluar shumë takime me artistë si kjo që sapo zhvilloi. Pavarësisht se deri atëherë, mund të jetë duke i duartrokitur në fund të një shfaqjeje, në sallën e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: