Hipertensioni/ Rrezik jo vetëm për zemrën, por edhe për trurin

Publicitet
Publicitet
Hipertensioni/ Rrezik jo vetëm për zemrën, por edhe për trurin
Tensioni i lartë luan rol vendimtar në rënien njohëse në tru. Kjo është arsyeja pse është çrregullim që gjithmonë duhet mbajtur nën kontroll. Mjekja, Ervehe Dervishaj, tregon se cilat janë këshillat e nevojshme për të mos dëmtuar trurin dhe si duhet të mbahet nën kontroll rritja e presionit të gjakut, përtej kufijve

Sonila Isaku

Hipertensioni, - thënë ndryshe si rritja e presionit të gjakut, përtej kufijve të përcaktuar në standard, -  nuk është vetëm rrezik për zemrën, por mund të lidhet edhe me dëmtimin e trurit i cili, nga ana tjetër, mund të përfaqësojë sëmundje degjenerative të tilla si Alzhaimer, demenca vaskulare dhe çmenduri senile. Hipertensioni luan rol vendimtar në rënien njohëse në tru. Kjo është arsyeja, pse është çrregullim që gjithmonë duhet mbajtur nën kontroll. Si të mos shkohet drejt kësaj situate? Mjekja, Ervehe Dervishaj, tregon cilat janë këshillat e nevojshme për të mos dëmtuar trurin dhe si duhet të mbahet nën kontroll, si rritja e presionit të gjakut përtej kufijve.

Hipertensioni, problemet që shkakton

Hipertensioni ndodh kur gjaku rrjedh nëpër enët e gjakut me forcë tepër të fortë, në mënyrë që shkakton probleme të tilla si atak në zemër, goditje ose sëmundje të veshkave. Në tru, në veçanti, presioni i lartë i gjakut vepron kështu: Shkakton prodhimin më të lartë të një proteine ​​të veçantë të dëmshme (amyloid beta), që mund të përshkojë pengesën e trurit, duke formuar pllaka në enët e gjakut. Studimet e fundit kanë treguar, në veçanti, se presioni i lartë i gjakut është faktor rreziku për sëmundjen Alzhaimer,  - sëmundje që prek më shumë se 50 milionë njerëz në mbarë botën dhe, çdo vit, ka 9.9 milionë diagnoza të reja. Në një hulumtim botuar në revistën Circulation, janë hetuar 1674 pacientë mbi 60 vjeç, pa shenja të demencës, të cilëve u është kërkuar të matin presionin e përditshëm. Pacientët u ndoqën për 5 vjet, duke vlerësuar jo vetëm presionin maksimal (sistolik) dhe minimal (diastolic) gjatë ditës, por edhe ndryshimin e presionit në mes të ditës dhe natës. Në fund të pesë viteve, 194 pacientë kishin zhvilluar shenja të demencës: 47 kishin demenca vaskulare, 134 sëmundje Alzhaimer. Të dy llojet e sëmundjeve u rritën me ndryshimin e presionit të gjakut sistolik dhe diastolik, pavarësisht nga vlerat absolute të vetë presionit.

Faktorët e riskut

Duke marrë kujdes të menjëhershëm të hipertensionit dhe duke reduktuar faktorët e rrezikut të enëve të gjakut, sëmundja do të parandalohej më mirë, në përgjithësi, dhe do të ishte një kontribut i vlefshëm për të mbrojtur trurin, madje, edhe zemrën nga ndërlikimet e mundshme të këtij çrregullimi. Duke filluar me dietën. Është e rëndësishme, për shembull, të kontrolloni kolesterolin, nivelin e sheqerit në gjak dhe të humbni kilet e tepërta. Miratimi i një jetese të duhur, do të thotë gjithashtu mbajtja e lëvizjes, ndalimi i pirjes së duhanit, dhe nënshtrimi i ekzaminimeve mjekësore.

Sëmundja dhe simptomat

Në pjesën dërmuese të rasteve, sëmundja e hipertensionit zhvillohet pa simptoma të dukshme, çka bën që pacientët të neglizhojnë kontrollet dhe zbulimin e sëmundjes në stadet më të hershme. Hipertensioni, në përgjithësi, nuk ka shenja shqetësuese, për vite me radhë, ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Kjo sepse rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Ndaj dhe konsiderohet si vrasës i heshtur. Megjithatë, disa nga simptomat që duhet t’ju orientojnë drejt ndihmës së shpejtë mjekësore, janë rastet në të cilat individi shfaq vazhdimisht: Dhimbje koke, dhimbje qafe, ndjenjë djegieje, shenja skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë, rrahje të shpeshta të zemrës, zhurmë në veshë, si dhe mungesë përqendrimi, apo hije para syve. Nëse vëreni praninë e këtyre simptomave, duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut, i cili më pas përcakton edhe llojin e trajtimit që duhet të ndiqet. Nëse arteriet apo tubacionet ngushtohen, apo bllokohen, atëherë zemra pompon më me vështirësi për t’u shpërndarë gjak indeve, dhe presioni në arteriet ngjitet lart.

Parametrat

Nëse gjatë matjes rezulton se tensioni juaj i gjakut është më poshtë se 120/80mmHg, atëherë ju keni presion normal të shëndetshëm të gjakut. Mbani këtë tension dhe kontrollojeni përsëri mbas disa muajve. Nëse tensioni juaj i gjakut, është mbi 120/80 mmHg dhe më pak se 140/90 mHg, jeni në rrezik për t’u bërë hipertensivë, prandaj duhet të merrni menjëherë disa hapa për të përmirësuar stilin e jetës, të tilla si ndalimi i pirjes së duhanit nëse jeni duhanpirës, reduktimi i peshës së trupit në nivel të shëndetshëm, të jeni më aktivë, të përfshini në ushqim më shumë perime dhe fruta, të zvogëloni sasinë e marrjes së kripës dhe të kufizoni sasinë e marrjes së yndyrës. Me fjalë të tjera, çdo ditë duhet të ushqeheni shëndetshëm, si dhe çdo vit duhet të kontrolloni presionin e gjakut tek mjeku. Kur tensioni juaj i gjakut është rreth, apo mbi 140/90 mmHg, ju duhet të kontaktoni me personelin e kujdesit shëndetësor, për të parë nëse keni tension të lartë të gjakut, apo nëse keni nevojë të filloni trajtimin me mjekime, për të parandaluar infarktin e zemrës dhe goditjen në tru.

Stili i jetesës

Ndryshimet e përshtatshme të stilit të jetesës, janë gurë themeli në parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të personit të lartë të gjakut. Gjithashtu, janë të rëndësishme në trajtimin e hipertensionit edhe ndjekja e rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist, në lidhje me përdorimin e trajtimeve medikamentoze. Sipas tyre, ndryshimet e duhura të stilit të jetesës, mund të vonojnë në mënyrë të sigurt dhe të efektshme, ose të parandalojnë hipertensionin në individët hipertensive, të vonojnë fillimin e terapisë, ose të parandalojnë terapinë medikamentoze te pacientët hipertensivë të stadit të parë, si dhe të kontribuojnë në reduktimin e tensionit të lartë të gjakut, tek individët hipertensivë që trajtohen tashmë me terapi medikamentoze, duke lejuar reduktimin e numrit dhe dozave të medikamenteve antihipertensive që duhen përdorur.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: