HALLI! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

Publicitet
Publicitet
HALLI! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Si mund të përkthehet në gjuhë të huaj “ja qaj hallin”?

Nuk ka Google Translate që e zgjidh dilemën.

Por si në shumë raste të tjera, një komb i vogël si yni ka bashkuar disa fjalë që nuk kanë gjetje në asnjë gjuhë të botës por që përshkruajnë një dukuri që hasim përditë.

Gjatë gjithë historisë tonë, por më së shumti në vitet e pasluftës, mes një kafeje dhe tjetrës, në shtëpi, në ballkon, në oborr, në fusha e ara, duke dëgjuar radio e parë televizor, duke bërë thashetheme ose duke punuar në zyra, kemi të gjithë, duam apo s’duam, një çështje me rëndësi kapitale për të sqaruar.

Ore si do ja bëjë Amerika?

Si do i vejë filli Trump-it me reformën e shëndetësisë?

Po me ata të Koresë së Veriut kur dhe si do të takohet?

Po ata italianët komshinj a e formuan dot qeverinë?

Po presidenti francez si ja bën me këtë grua kaq të madhe në moshë?

Po Erdogani me Rusinë si i ka punët?

Që e vogël më kanë bërë të mendoj shumë bisedat e pleqve me kapele borselino në stolat në park. Në ato vite, i qahej halli revizionizmit dhe popujve të shtypur nga kapitalizmi. Ndërkohë buka merrej me triskë e një pako gjalpë ishte vakti i një jave. Uji vinte me orar e dushi ndiqej me “gulçimat” e teneqesë me vajguri, çdo të shtunë, sepse të dielën dilej xhiro në bulevard. Por këto nuk kishin rëndësi sepse me punët tona merrej partia, e ne ishim gjithë sy e veshë duke u qarë hallin treçerekut të botës tjetër që “jetonte në hall të madh”, mes mirëqenies dhe lirisë.

A e kemi lënë mënjanë këtë huq mistrec? Aspak.

Prej disa dekadash Shqipëria është një vend i lirë por shqiptari ende e ka vizionin në kafaz. Xhepshpuar në pjesën më të madhe të popullatës, me mijëra të rinj të shkolluar që kanë ethet e emigrimit, me spitale ku nuk bën dot një eko pa lek në xhep, me ilaç mbushur me miell që as në gjumë nuk të vënë dot, me bukë me miza, qumësht me rrezatim, mish kontrabandë, drita sa gjysma e rrogës, ujë me era fekale, shtëpi që kushtojnë sa një vilë në çdo vend tjetër, diploma që nuk njihen askund, alkool që bëhet nëpër qilarë, veshje që mbajnë era gomë, beton që na merr frymën, lumenj të ndotur që ujisin domatet gjoja “bio”, administratë që ka një librezë me shkëputje “politike” e nuk merr dot as një kredi, fëmijë që luajnë vetëm me celular, femra që kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër për t’u bërë të pasura, meshkuj që rrahin gratë e mbrojnë motrat.

Halle brenda gardhit tonë kemi plot, aq shumë sa që zemra po na dobësohet që në mesin e jetës.

Por jo, këto nuk na tundin nga të qenit me sy e veshë nga bota.

Sa shumë ja qajmë hallin çdo gjëje që ndodh kudo tjetër, ndërsa për atë që na mundon përditë vetëm kuisim sporadikisht në FB.

Pak vite më parë populli më i lumtur në Evropë, këtë vit populli më pak i lumtur. Kurba e cilësisë së jetës bie, por shqetësimi ynë se si do të shkojë qeveria e Trump jo, ai ngrihet.

Se ne Hillarin e mbrojtëm dhe e deshëm si ta kishim njeri të shtëpisë, por ndërkohë kampionët tanë harrojmë edhe t’i përmendim.

Kjo sjellje plot inferioritet vjen nga njerëz që aq shumë thurin profeci për nacionalizmin, por që ushqimet serbe i hanë përditë, pa ju dridhur dora.

E duam aq shumë “malenaken” por ja qajmë hallin Sanremos se pse i ka rënë audienca dhe muzika bullgare na përdhunon trurin përditë.

Halli hallit nuk i ngjan, por duke qenë se vitet ikin e nëse nuk do veten, askush nga jashtë kufirit nuk të do, ndoshta duhet t’ia qajmë hallin më parë vetes sepse vetëm atëherë fitojmë të drejtën për të qenë “mendjendritur” mbi zhvillimet e reja nga fronti i perëndimit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: