Grupi puçist, “materialet e zeza” që sollën dënimet e pashembullta të ‘74-tës në ushtri

Grupi puçist, “materialet e zeza” që sollën dënimet e pashembullta të ‘74-tës në ushtri
INTERVISTË/ Flet dr. Mikado Shakohoxha, ish-kolonel: Udhëheqja politike kërkonte “sebepe” për t’i dënuar ushtarakët e lartë dhe ato i sajoi. Por Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, kurrsesi nuk duhej të dënoheshin. Në asnjë mënyrë, jo. “Grupi puçist” në ushtri u sajua për t’u goditur me paramendim

“Nuk gjykohet vetëm ai që flet, por edhe ai që hesht; jo vetëm ai qe vepron, por edhe ai që duron. Këto janë disa nga mësimet e shumta të dramës së madhe të Ushtrisë në vitet 1973-1974”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ish-koloneli Mikado Shakohoxha, sipas të cilit, Petrit Dumja, Beqir Balluku dhe Hito Çako, të njohur si drejtuesit e “grupit puçist” në ushtri mbeten simboli dhe ikona e ushtrisë shqiptare. Sipas tij, grupet e punës në ushtri kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, sipas porosive të udhëheqjes politike. “Ajo kërkonte “sebepe” për t’i dënuar dhe ato i sajoi. Por ata kurrsesi nuk duhej të dënoheshin. Në asnjë mënyrë që jo. Unë mendoj se “grupi puçist” në ushtri u sajua për t’u goditur me paramendim”, shton ai. Duke përfunduar se politika vendos t’u priten kokat disave që janë në krye të ushtrisë në mënyrë, që të mbledhin mendjen të tjerët. “Udhëheqja politike, kur iu deshën, i afroi, aktivizoi, i shfrytëzoi dhe u mori maksimumin, ndërsa më pas (se duheshin ndryshuar kuajt e karrocës), i flaku dhe i masakroi familjarisht, barbarisht dhe padrejtësisht”, thekson Shakohoxha...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Të ashtuquajturat “materialet e zeza”, edhe sot ngjallin shumë diskutime. Kush i hartoi dhe pse iu dha kaq shumë rëndësi atyre? Kush i shkroi ato dhe kush e pësoi prej tyre?

Është e vërtetë, edhe sot më pyesin shumë për to. Në vitet 1962-1963 u përpilua dhe u vu në përdorim në ushtri, i ashtuquajturi “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes” nga gjeneralët  Spiro Shalsi, Ernest Jakova e Thoma Xhixho. Në vitin 1967, me porosi të Komandantit të Përgjithshëm, Mehmet Shehu paraqiti tezat e Këshillit të Mbrojtjes ku paraqiteshin idetë e kuadrove kryesore dhe planifikimi, por ekzagjeroheshin fortifikimi dhe mundësitë e forcave vullnetare, si edhe vihej për herë të parë si një kapitull më vete “Operacioni i kalimit nga lufta në front të rregullt, në atë partizane”. Për shkak se vendimet e Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror të PPSH-së për ushtrinë nuk qenë të suksesshme, u krijuan disa grupe pune. Në vitin 1971, ai me Spiro Shalsin, Agron Çomon, Ilo Furxhinë dhe Hysen Burbën; ndërsa në janar të vitit 1972, u krijua komisioni i ri i kryesuar nga Beqir Balluku, në përbërje të të cilit ishin Rrahman Parllaku, Spiro Shalsi dhe Ernest Jakova. Më përpara kishte punuar me këtë material edhe shefi i Sektorit Shkencor të Ushtrisë, Elami Hado, ish-atashe ushtarak në Kinë. Pastaj filloi “sherri” Petrit-Beqir. Për mua, grupet e punës kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, sipas porosive të udhëheqjes politike. Ajo kërkonte “sebepe” për t’i dënuar dhe ato i sajoi. Por ata kurrsesi nuk duhej të dënoheshin. Në asnjë mënyrë që jo. Unë mendoj se “grupi puçist” në ushtri u sajua për t’u goditur me paramendim. Udhëheqja politike me atë ushtarake, përgjithësisht kudo në botë, vijnë dhe evidentohen në një kohë që përplasen midis tyre për nivele, merita, aftësi, reputacione, besueshmëri, kontribute, etj. Atëherë, politika vendos t’u priten kokat disave që janë në krye të ushtrisë, në mënyrë që të mbledhin mendjen të tjerët (nëse u ka mbetur pak mend). Kështu që ata ia futën pa përjashtim njëri-tjetrit, duke menduar se nga këto qëndrime personale nuk do t’u vinte radha edhe vetë atyre. Sidoqoftë, ata pritën radhën.

Nga udhëheqja politike kërkohej që ne të fshihnim me “fshesë të hekurt” çdo ndikim te tyre. Ne përpiqeshim të pastronim bronket, se akuzat nga lart ishin të rënda dhe kategorike. Ne u solidarizuam me vendimet e partisë, duke thënë e stërthënë sa e sa gabime dhe faje të tyre, pavarësisht se ndoshta as nuk kishim pasur kontakte direkte me ta. Vendimi i Gjykatës së Lartë, përgjigja e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe pushkatimi në një ditë, me gjithë kërkesën për falje, flet shumë. Për vite të tëra, atyre nuk u dihej varri. S’ka gjë më të rëndë se të jesh varrhumbur! Mallkimi “Të humbtë varri” u qëlloi atyre burrave si Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, me gjithë ato merita, por që u vunë para pushkatimit në buzën e një grope kolektive në Linëz të Tiranës dhe u varrosën në Vranisht të Vlorës, në fshehtësi të madhe, së bashku me rrobat e trupit dhe me hekura ndër duar. E ç’mund të ndodhte pastaj me ne?! Udhëheqja politike, kur iu deshën, i afroi, aktivizoi, i shfrytëzoi dhe u mori maksimumin, ndërsa më pas (se duheshin ndryshuar kuajt e karrocës), i flaku dhe i masakroi familjarisht, barbarisht dhe padrejtësisht. Vërtet u zëvendësuan, por dhe sot nuk ka dalë asnjë lidership që të mbulonte boshllëkun që lanë ata, sepse ekip i ngushtë frymëzues nuk erdhi dhee s’pamë më. Por e vërteta është se për disa gjëra i kishim duart të lidhura, jashtë integritetit tonë moral e profesional.

Ngjarjet më të rëndësishmet në jetën e ushtrisë shqiptare të regjimit komunist?

Për mua mbeten ngjarjet e vitit 1974. Ato qëndrojnë si një testament i madh për oficerët e ardhshëm, që të mbajnë barazpeshim, si me eprorët, ashtu edhe me vartësit. Diçka të vërtetë ka këtu, por jo gjithçka. Mesa mbaj mend, në aktivet e Durrësit që drejtoheshin nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo (madje pothuaj prej gjithë Byrosë Politike), nga Brigada e 5-të u dënuan: Hito Çako; Rrahman Parllaku; Halim Ramahito e Andon Sheti. Por në këtë kuadër e pësuan edhe shumë të tjerë që nuk ishin të kësaj brigade, si  Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Todi Naçi, Vaskë Gjino, Abaz Fejzo, Edip Ohri, Arif Hasko, Dilaver Poçi, etj. Historia e ushtarakëve të djeshëm dhe të sotëm, sa u përket dënimeve, ka ngjashmëri. Udhëheqja politike mbas LANÇ-it, fillimisht dënoi ata që kishin mbaruar studimet në Perëndim e më vonë edhe gjeneralë që kishin mbaruar shkolla prestigjioze në Lindje. Edhe sot u gjetën parti që të lënë ushtarakët pa status, megjithëse ne i mbështetëm proceset demokratike. Mesa duket, oficerët i duan për kohë lufte, për të shtrirë hapin para tribunave, që të duartrokasin në Pallatin e Kongreseve, që të marrin pjesë në votime, të ruajnë qendrat e votimit, etj. Fakti që disa komandantë brigadash, divizionesh e koparmatash të luftës u dënuan, apo u pushkatuan, flet shumë. Ndërsa sot për ta, fjala “armik”, “agjent”, “poliagjent”, “tradhtar”, ka përftuar një inflacion te madh. Në jetë, në punë dhe në dosjen e memories shumë nga ne e kanë një ngjarje që e veçojnë. Një ngjarje që u reziston viteve përballon çdo lloj pastrimi “general”, (lavazh) të trurit, që të mundon e s’të ndahet për tërë jetën. Ato lloj ngjarjesh të dalin në gjumë, në ëndërr, në kujtime e përkujtime, në sa e sa variante stërvitore si edukatorë të mrekullueshëm, si luftëtarë legjendarë, si eprorë të mëdhenj, në reforma të ndryshme të edukimit e të përgatitjes së kuadrove, komandave, shtabeve dhe të trupës në të gjitha nivelet. Por të traumatizon kujtimi i atyre analizave të shumta në organizatat-bazë të Partisë, ministrisë, në Durrës dhe kudo ku kuadrot e ushtrisë u denigruan dhe u poshtëruan, deri në jetën intime. Shpesh këto të bëjnë të ndjehesh fajtor, pa qenë i tillë. Duke u nisur kryesisht nga këto raste mendoj se njerëzit në diktaturë nuk mund të jenë gjithmonë vetvetja. Aty u pa një “fluks” i pafre akuzash, denoncimesh, kritikash, autokritikash deri në marrëzi, dëshmi e një epoke të dhimbshme për lidershipin ushtarak të cilat nuk ka kush m’i kundërshton, sepse në mjaft analiza kam qenë vete i pranishëm. Tellallëve të veçantë, “të palodhur”, daullja iu ça shpejt, ndërsa të regjurit në lagështinë e tradhtisë dhe tymin e servilizmit, s’ngelën pa rrugëdalje. Sidoqoftë, me ankesa e me lot s’bëhet kurrgjë. Të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë për ngjarjet, për aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes në ato vite. Por më të besueshëm janë ata që e pësuan dhe ata që i jetuan direkt ata muaj dhe periudhën e mëvonshme. Vërtet na kanë ngelur gjëra të pathëna. Jo se nuk deshëm, por nuk mundëm, ndërsa sot është vonë, ose biem ndesh me keqkuptime. His-toria e atyre viteve na mëson: Nuk gjykohet vetëm ai që flet, por edhe ai që hesht; jo vetëm ai qe vepron, por edhe ai që duron. Këto janë disa nga mësimet e shumta të dramës së madhe të Ushtrisë në vitet 1973-1974.

Si ka rrugëtuar karriera juaj deri në Shtabin e Përgjithshëm?

Nga batalioni i Lekbibajt të Tropojës, pas një inspektimi vjetor të suksesshëm në rang ushtrie, më transferuan në Shtabin e Korpusit të Shkodrës.

Po më pas?

Më pas, kam qenë më afër Hito Çakos dhe familjes së tij si adjutant. Më vonë, natyrisht kam qenë më rrallë pranë tij, por lidhjet nuk i ndërpreva, madje edhe tani. Kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm në vitet 1972-1974, i pranishëm në shumë analiza e detyra që shtronte Petrit Dumja. Në muajt e fundit të jetës  së tij kam qenë shumë pranë në të gjitha mbledhjet në Tiranë e Durrës që bëheshin për dënimin e tij me shokët e mynxyrës. Kam mbështetur orientimin e buletinit Nr. 5 të Komitetit Qendror për dënimet në Organizatën e Partisë, në Komitet dhe në dy Aktivet e Durrësit. Ata kanë mbajtur qëndrim dinjitoz dhe nuk doli asgjë armiqësore e tyre. Mbaj mend që ditët e fundit, ai erdhi e më takoi atje ku bëja punën  fizike me Xhelon dhe Çumanin, dy shokët e mi të vjetër, si edhe me Luto Haxhiun e Xhevat Alibalin dhe më porositi të takoja e të falënderoja Sul Domin për qëndrimin që mbajti në Aktivin e Durrësit. Petrit Dumja dhe Hito Çako janë simboli dhe ikona e ushtrisë shqiptare. Me qëndrimin e vet, Hito Çako e mori vetë hakun e tij në Aktivin e Durrësit. Petrit Dumja dhe Hito Çako janë simboli dhe ikona e ushtrisë shqiptare. Ekspe-rienca e shumë ushtrive dhe fitoret, apo humbjet e betejave, kanë vërtetuar pa kundërshtim nevojën e përqendrimit të drejtimit ushtarak në një dorë. Ndryshe, në mënyrë të pashma-ngshme, katastrofa, kaosi, paniku e krijimi i shumë pushteteve do të ndodhin duke mos e kuptuar, apo pranuar, shkakun e humbjes. E them këtë, sepse kjo ka qenë një nga kritikat e forta ndaj të ashtuquajturit Grup Puçist. Udhëheqja politike mbajti në dorë armën e shkatërrimit, ndërsa shkrepjen e bëmë ne. Arti ushtarak është shkencë dhe s’ka të bëjë me ideologji, qofshin ato borgjeze, qofshin komuniste. Kuadrot kryesore të ushtrisë, Beqiri, Petriti, Hitua, Rrahmani, Vehbiu, Arifi, etj, u ngjitën aty, jo thjesht se i ngjiti koha, por koha i zgjodhi dhe ushtria i pranoi në udhëheqje. Ndërsa në Shtabin e Përgjithshëm qëndrova pak deri te dalja e të ashtuquajturit “Grup armiqësor” dhe për largimin tim është një vendim i Byrosë Politike ku thuhet shprehimisht: “Të largohen nga Ministria e Mbrojtjes Rrahman Parllaku, Mikado Shakohoxha, Ernest Jakova dhe Spiro Shalsi”. Këta tre të tjerët ishin nga gjeneralët më me emër në ushtri. Në grupimin (Korpusin) e Tiranës, ku vajta nga ministria, qëndrova rreth 10 vjet. Nuk besoj të ketë qëndruar kaq shumë dikush në një funksion të tillë si shef shtabi grupimi.

 

KUJTIME

“Me Mehmet Shehun kam pasur mbi 10-15 takime”

“Me Mehmet Shehun kam pasur mbi 10-15 takime, a më shumë. Nga këto, edhe me ditë të tëra në një orar të zgjatur, madje edhe në makinë e  në salla mbledhjesh. Në të gjitha ato raste, unë gjithmonë me metodikën e stërvitjes, harta, dylbi, busull, bllok e laps në dorë. Është xhiruar edhe një film dokumentar kushtuar stërvitjes “Semani” (rreth 2 orë). Mehmeti ishte shumë konfidencial dhe unë e ndjeja veten shumë mirë pranë tij. Dy herë i ndërhyra për të ndihmuar një gjeneral të dënuar, që është gjallë edhe sot dhe më tha: “Paska gjetur mik të fortë. Por do t’ia gjejmë një punë edhe atij”. Dhe në fakt “ia gjeti”. E futi në burg... Me Mehmet Shehun më ka njohur puna në stërvitje të mëdha, të organi-zuara në atë kohë. Ai ishte ushtarak i lindur, i pajisur me cilësitë e një strategu. Ishte përvoja e gjatë ushtarake, por edhe shkollimi i tij, që e bënin të pakonkurrueshëm. Ka qenë padyshim njohësi më i thellë i vendit, i të gjithë hartës. Të gjithë vendin e kishte shkelur me këmbë  dhe për pasojë, e dinte shumë mirë se ç’duhej bërë, kur duhej bërë dhe si duhej bërë. Por ai, si shumë bashkëpunëtorë të tjerë, hëngri frytet e politikës së vet. Të çudit fakti se ata shikonin se çfarë po bëhej dhe prisnin radhën “për t’u graduar” si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerë më parë”.

 

“Beqir Balluku, ishte njeri frymëzues e mësimdhënës”

“Me Beqir Ballukun rrallë herë kam pasur lidhje. Nuk e pruri rasti që mua, me detyrat që kryeja, të më lidhte puna me të. Vetëm disa herë kam pasur kontakte të shkurtra (thuajse më këmbë), në çastet kur i kam dorëzuar ndonjë hartë të Drejtorisë Operative, a për diçka tjetër kësaj natyre. Di që gëzonte simpati të madhe në ushtri, jo vetëm se kombinonte bukur kompetencat si ministër me aspektin human e social të raporteve me oficerët, por falë edhe përvojës së tij graduale (si komandant i Njësiteve Guerile të Tiranës; të batalionit Krujë- Ishëm, të Brigadës II Sulmuese, të Divizionit të Korçës; si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si anëtar i Byrosë Politike qysh nga Kongresi i Parë i PPSH- së dhe si zv/kryetar i parë i Këshillit të Ministrave. Kontakti me të ishte frymëzues e mësimdhënës. Terminologjia ushtarake, diksioni dhe paraqitja e jashtme e tij në analizat vjetore dhe ato festive ishin të papërsëritshme”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: