GOCA E BABIT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

GOCA E BABIT! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Do bëhem individualiste këtë herë e do bëj atë që di të bëjë më keq, do të shkruaj për veten. Ma bëni hallall. Sepse nuk mund të them që po shkruaj për të, sepse kaq pak rreshta do i mbeteshin borxh njeriut që më bëri atë që jam.

Si goca babit që kam qenë e jam, sot do të shkruaj pak radhë për ditëlindjen tënde, sepse sot do të ishim bashkë në 67-vjetorin tënd.

Por kjo është jeta e nuk kam ndërmend të shpreh dhimbjen time këtu, por dy radhë për peshën që babi im ka pasur tek unë, po. Atë dua të mos e harroj kurrë, sepse ju nuk e dini por ai ka lënë peshë edhe në jetët tuaja, në fëmijërinë tuaj, në nostalgjinë tuaj, por pa tituj e pa grada.

Jashtë klishesë se gocat preferojnë baballarët, theksoj se sa herë që më dukej se lëndohej nëna ime, mundi i saj, vitet e sakrificave të saj, e i bukuri babai im anashkalonte kontributin e saj, unë isha një luaneshë e vërtetë që i kujtoja se sa me fat ishte që i ra për pjesë një grua si ajo. Por unë jam edhe njeri i letrave, për aq sa mundem të bëj, e si e tillë, pjesa ime më e rëndësishme, bota ime e dijeve mbi televizionin dhe artin, mban vulën e babait tim.

E dini se për çfarë do i jem gjithmonë mirënjohëse? Që ishte shumë shqiptar në shumë tradita por në një jo.

Babai im dashuronte lirinë e individit, e adhuronte frymëmarrjen personale jo vetëm me fjalë të bukura, ai ishte dhe vdiq si një qenie e lirë. Këtë liri ma transmetoi edhe mua, që në gen, madje në çdo vendim ose zgjedhje timen, ai pretendoi që unë të isha e lirë dhe po si qenie e lirë, të vuaja pasojat e dështimeve ose të shijoja fitoret e mia.

Ashtu siç më mësoi notin duke më lëshuar në ujëra të thella, po ashtu më bëri të kuptoj se nuk kishte tutelë që të më siguronte pathyeshmërinë e se vetëm e vetme, me forcat e mia, vlerat ose gabimet e mia, do të gjeja vendin tim në botë.

Im atë, Pëllumbi i Televizionit, siç e thërrisnin, ashtu siç punoi për 46 vite pas kuintave të artit dhe televizionit shqiptar, duke sjellë kontribut në jetën e shumë artistëve, ashtu qëndroi edhe pas kuintave të jetës time, duke qëndruar poshtë lartësive, që, nëse bija, të ishte gati të më priste.

Në një vend me meshkuj të frustruar, të pasigurt me veten dhe mashkullitetin e tyre, të rritur e ushqyer keq me dhunë, harbutëri dhe agresivitet ndaj femrës, babai im më dha një leksion të madh jete sepse unë u rrita me vizionin se femra ka peshë në shtëpi, në familje, në shoqëri dhe se nëna ime ishte pika e tij më e fortë, pa i prekur qime floku. U mëkova me idenë se duhet dialog në çdo kohë e se presioni është vetëm një pengesë e përkohshme.

Goca e babit, u rrit mes artistësh, regjisorësh, kameramanësh, piktorësh, kompozitorësh, virtuozësh, balerinësh, rrinte mes të rriturish, “vidhte zanatin” por edhe hiletë ose sekretet e këtij profesioni kaq fluid.

Sot që nuk rron më nuk i përulem figurës së tij prej babai të përkujdesur, që gatuante në mënyrë perfekte, që shkruante poezi e që këndonte këngë dashurie.

Atë pjesë e ndaj me të tërë familjen, nuk më përket vetëm mua. Por përulem përpara dashurisë së tij për njerëzit, kodeve etike dhe të mirënjohjes që më mëkoi e që sot nuk i gjen askund, idesë që më ushqeu se unë jam e lirë e se nëse nuk ndihem mirë me diçka ose me dikë, duhet të zgjedh gjithmonë veten të parën, të lirë politikisht, të lirë intelektualisht, të lirë që të mos tradhtoj besimin ose traditën për konjukturë, as për para.

Po të ishte gjallë, do ishte duke mallkuar me shpirt ata që duan të prishin teatrin e tij të dashur, po ashtu siç ndezi cigaren e tij të fundit kur nuhati që idealet e tija prej demokrati u tradhtuan brenda barkut, brenda llojit.

Jeta e tij dhe imja mes artistëve të bën edhe rebel, edhe autentik, edhe ëndërrimtar.

Por kështu jetohet në lirinë e falur por edhe të mëkuar, kështu jetohet i lirë në shpirt.

Kështu edhe vdekja merr vlerë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: