GARA PËR DEPUTETË DHE SHKRIRJA E PARTIVE TË VOGLA – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

GARA PËR DEPUTETË DHE SHKRIRJA E PARTIVE TË VOGLA – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Lëvizja e re e kalimit të deputetëve nga një forcë politike te një tjetër parti, kishte kohë që nuk kishte ndodhur. Së fundmi, ka qenë deputetja e Dibrës e PDIU-së, që deklaroi kalimin drejt shumicës, duke shtuar më tej peshën e PS-së në Parlament.  Ndonëse kjo, për shifrat e arritura nga socialistët në zgjedhjet e kaluara, nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor. Me 74 mandatet e fituara, Edi Rama jo vetëm fitoi bastin për të drejtuar timonin i vetëm, por dhe tejkaloi çdo pritshmëri, se mos shumica do të ishte e brishtë e vetme. Madje, graviteti i fitores ishte më i madh. Jo vetëm për faktin se 43 mandatet e siguruara nga PD-ja, e bënë të thellë distancën nga kundërshtari historik. As pse LSI-ja, ndonëse me rritje në zgjedhje, me 19 mandatet e saj nuk mund të bëjë asgjë më shumë, sesa të rikthehet në opozitë dhe të mendojë strategjitë për opozitarizëm. Graviteti i fitores së PS-së u reflektua që në fillim, kur Tom Doshi që kishte fituar nën siglën e PSD-së, deklaroi se bashkonte votën e tij me shumicën. Dhe deputetja e re Lala e PDIU-së, që tashmë u shpall si pjesë e grupit parlamentar socialist, prej kohësh e ndante votën e saj në mbështetje të qeverisë.  Tashmë mund të thuhet se, dy subjekte që arritën të marrin mandate në zgjedhjet e kaluara, PSD-ja dhe PDIU-ja, janë të shkrira dhe pa përfaqësim në Parlament. Pasi dhe deputetja e Elbasanit, nuk e sheh veten më si pjesë të PDIU-së, por si deputete e pavarur.

Tretja e partive të vogla që kanë arritur të marrin mandate në Parlament, është dukuria e fundit që prodhoi përfundimi i procesit zgjedhor, ndonëse efekti final u ndje pas një viti. Në fakt, kjo pati kohë që kishte nisur. Nxitimi për ta shprehur menjëherë këtë qëndrim, u bë pa i dhënë kohën e mjaftueshme për të gëzuar fitoren në këto zona, vetë subjektit politik që i ka kandiduar.

Nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajnë në vijim dhe dy deputetët e tjerë të PDIU-së që kanë fituar në Elbasan, por në rast se bashkëngjitja vijon, atëherë do të kemi të tjera shifra. Shumica e re, pa më të voglën lëvizje dhe pa patur nevojë për marrëveshje shtesë, do ta çonte numrin e mandateve të PS-së në dispozicion të kryeministrit, në numrin 78. Shifër kjo goxha e konsiderueshme dhe që zakonisht arrihet nga marrëveshje koalicioni.

Shkrirja e partive të vogla parlamentare do të bëjë të mundur arritjen e dëshirës së shprehur qartë nga kreu i PS-së Rama në fushatë, për pastrimin e zonës prej tyre. Sidoqoftë, sistemi bipartizan është ende larg. Tashmë në Shqipëri, evidentohen tre realitete politike të dukshme e të shquara qartë nga subjektet e tjera. Vetëm numri i mandateve të tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI, ka prodhuar 136 deputetë nga 140 që ka Parlamenti. Ndaj betejat dhe përballjet në vijim, janë ekskluzive midis tyre.

A mund të ketë dhe lëvizje të reja nga radhët e opozitës, për t'iu bashkangjitur shumicës? Si nga PD-ja dhe nga LSI-ja, duket se nuk ka unitet në bashkësinë e deputetëve dhe jo të gjithë kanë mbajtur vijën zyrtare të partisë ku militojnë. Ka patur raste që, deputetë të caktuar nuk kanë ndjekur bojkotin parlamentar kur opozita e ka shpallur si aksion politik, porse kanë qenë prezentë në komisione ose sallën e Kuvendit. Gjithashtu, ka patur dhe kritika të veçanta për mënyrën si po drejton lidershipi i partisë dhe për mënyrën e opozitarizmit.

Pavarësisht se brenda listës së PD-së do të vijojnë të jetojnë dhe për disa kohë realitete të disa partive më të vogla, si PR, LZHK dhe PDK e PBDNJ, besohet se mospërballja reale në fushatë e tyre duke mbajtur flamurin përkatës e jo atë të PD-së, më së tepërmi i ka penalizuar për të ardhmen e tyre. Sigurimi i një vendi fitues në listë, vetëm thjesht u ka siguruar mbijetesën për një mandat e jo më shumë. Dhe kjo mund të sugjerojë që, ndokush prej tyre të ndjekë dhe një vijë të ndryshme politike në të ardhmen, pikërisht për të siguruar mbijetesën parlamentare. Ndaj surprizat janë ende në pritje.

Deri më tani, lufta është bërë për këshilltarët bashkiakë në rrethe. Vetë PS-ja i ka shtyrë këto lëvizje, jo vetëm për të siguruar shumicat në këshillat bashkiake që sigurojnë votimin në favor të projekteve të saj, por edhe si shantazh politik. Dekurajimi i kundërshtarit në opozitë, ndërsa shihet braktisja dhe kalimi i këshilltarëve drejt shumicës, është një skemë që jep ende efekt. Dhe këtë e ka ndjerë më së tepërmi LSI-ja, që mbetet tek elektorati i majtë që e ndan së bashku me PS-në. Por, a do të ketë përveç këshilltarëve vendorë edhe deputetë që do të ndryshojnë seli partie? Gjasat janë se po. Dhe këtu mund të përfshihen si ata që janë luajnë politikë, ata që e shohin si të vetmen mundësi për të mbetur në politikë, ose edhe nga ata që e shohin veten të kërcënuar nga dosje prokurorie.

Gara duket se ka nisur. Porse, nëse themi se tretja e subjekteve të vogla nuk e ka shndërruar ende vendin me një sistem dypartizan PS- PD, basti i vështirë qëndron për LSI-në dhe të ardhmen e saj. Do rezistojë? Do tkurret apo do të tretet më së fundmi? Sidoqoftë, diçka është e sigurt. Pavarësisht se tashmë, element që nuk mund ta lësh jashtë llogarive, të dyja palët, si Rama dhe Basha, nuk do ta dëshironin më nëpër këmbë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: