Futbolli në festë... Nis sot Botërori Rusi 2018!

Futbolli në festë... Nis sot Botërori Rusi 2018!
Finalet e Kupës së Botës Rusi 2018 nisin sot në Moskë. Në Stadiumin Luzhniki 30 minuta para ndeshjes hapëse Rusi-Arabia Saudite do të zhvillohet ceremonia e çeljes së Botërorit, ku performon edhe këngëtarja shqiptare Era Istrefi

Aranit Muraçi

Perdja e finaleve të Kupës së Botës “Rusi 2018” do të ngrihet sot në Moskë, ora 16:30, me ceremoninë e hapjes, që do të zgjasë vetëm 30 minuta për t’i lënë më pas vend ndeshjes së parë të finaleve të këtij botërori, Rusi- Arabia Saudite.

Stadiumi i Moskës, “Luzhniki”, ku do të luhet ndeshja e parë, do të mbyllë gjithashtu një muaj më vonë botërorin e këtij viti, me ndeshjen finale.  Një koncert i madh festiv do të mbahet gjithashtu sot në Sheshin e Kuq të Moskës. Rreth 500 valltarë, gjimnastë dhe nga numra nga trampolina do të jenë pjesë e performancës ekstravagante të spektaklit rus. Gjithashtu në këtë ceremoni do të performojë edhe ikona e muzikës pop, Robbie Williams. “Jam shumë i lumtur që kthehem në Rusi, për një eksperiencë unike. Kam kënduar shumë në karrierë, por të hapësh finalet e Kupës së Botës në një stadium me 80 mijë tifozë si dhe të performosh para miliona e miliona shikuesve në botë, kjo është diçka përtej ëndrrës”, - theksoi Williams. Këtij të fundit do t’i bashkohet edhe sopranoja Aida Garifullina. Sipas FIFA-s, ceremonia e këtij viti do të jetë ndryshe nga herët e tjera, ku në fikus do të jetë muzika. Edhe yje të tjerë të muzikës ruse do të jenë pjesë e këtij spektakli.

Vlen të theksohet se në ceremoninë e hapjes, performon një shqiptare. Kënga zyrtare e Kupës së Botës Rusi 2018, e titulluar “Live It Up”,  i është besuar tre këngëtarëve, Will Smith, Nicky Jam dhe Era Istrefit. Kënga e tyre do të këndohet para ndeshjes dhe pas spektaklit në skenë vëmendja do të zhvendoset tek spektakli i madhe futbollistik. Kupa e Botës vlerësohet se eventi më i ndjekur dhe më i bukur sportiv në planet.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: