FRIKA E POLITIKËS NGA REFERENDUMET – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

FRIKA E POLITIKËS NGA REFERENDUMET – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në Shqipëri, gjatë 27 viteve pluralizëm mbahet mend të jetë zhvilluar vetëm një referendum. Ishte viti 1994 kur qeveria e PD-së dhe ish-presidenti Sali Berisha kërkuan verdiktin popullor për të miratuar Kushtetutën e hartuar prej tyre dhe që atakohej me forcë nga opozita e majtë e atëhershme për nene të veçanta të saj. Rezultati ishte një surprizë e papritur për të djathtët, të cilët ishin ende të dehur nga atmosfera e demonstratave antikomuniste të viteve të shkuara dhe që gjykonin se aureola e lavdisë nuk do të terej kaq shpejt. Projekt-Kushtetuta u rrëzua dhe që nga kjo datë, shqiptarët nuk u thirrën më në votim për të vendosur për çështje madhore, përveç zgjedhjeve parlamentare, apo ato për pushtetin vendor. Referendumi u shndërrua kështu në një ngjarje të veçantë, gati unikale, aq sa nisi të shërbejë dhe si simbol apo njësi ndarëse e historisë së pluralizmit në vend. Ngjarjet pas dhe para referendumit ishin po kaq të largëta me njëra-tjetrën, siç mund të jetë epoka e gurit me historinë moderne të demokracisë shqiptare. Kështu, nëse nuk do të marrim për bazë faktin se në zgjedhjet e vitit 1997, elektorati u ftua të votojë edhe se për çfarë sistemi shtetëror dëshiron, pra monarki apo republikë, mund të thuhet se referendumi i dhjetorit 1994, është i vetmi i llojit të tij në hapësirën e Republikës së Shqipërisë. Viti 1997 kishte të tjera probleme dhe vështirësi për t'u kapërcyer, çka bënte që nisma e Leka Zogut për të vënë në krye kurorën mbretërore, të mos merrej shumë seriozisht.

Së fundmi, ka patur edhe një nismë për të rregulluar me ligj çështjen dhe të drejtën e referendumeve, çka në vetvete është diçka pozitive. Në vende të tjera, krahas zgjedhjeve të përgjithshme apo atyre vendore, përveç garës për përfaqësim, zhvillohen dhe referendume, qofshin kombëtare apo rajonale, që prekin interesat e zonave të caktuara. Dhe kjo përbën betejë, pasi kështu vendosin qytetarët për çështjet që preokupojnë jetën e tyre të përditshme. Duke nisur që nga çështje taksash vendore dhe deri në ato për infrastrukturën apo të mjedisit.

Në Shqipëri, ky fenomen është i panjohur. Madje dhe kur ka patur iniciativa të veçanta, ato janë bllokuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nuk ka lejuar votim mbi to. Për këtë mund të kujtojmë si thirrje për referendum për çështje politike, si rasti i partive të vogla që kërkuan që reforma zgjedhore dhe sistemi i ri elektoral në 2009-tën, të bëhej jo nga një marrëveshje midis dy të mëdhenjve PD-PS, por që të vendoste populli. Po kështu, ka patur dhe kërkesa të tjera sidomos për probleme të investimeve të ndryshme, që lidhen kryesisht me çështjen e mjedisit. Më të famshmit kanë qenë ai i qarkut të Vlorës për referendum, nëse duhej lejuar ndërtimi i TEC-it atje apo jo. Si edhe kërkesa për ndërtime HEC-esh në zona të caktuara, si për shembull në Valbonë. Po kështu, kërkesa ka patur edhe me reformën e re të ndarjes territoriale, ku zona të veçanta kanë kërkuar të jenë të vetme, apo të mos bashkohen me njësi më të mëdha administrative.

Duket se ekziston një frikë ndaj referendumeve. Të dyja kahet e politikës kanë qenë abstenues në këtë aspekt dhe më së shumti kanë preferuar që t’i zgjidhin çështjet ndërmjet tyre e larg vëmendjes mediatike, sesa ta hedhin për votim ku të gjykojnë qytetarët. Dhe kjo ka ndodhur edhe në kushtet kur tensioni politik midis tyre ka qenë në faza të agravuara, çka dëshmon se enët komunikuese midis tyre funksionojnë. Madje edhe sot, ndërsa opozita ka shpallur një përshkallëzim të marrëdhënieve me mazhorancën, duke shkuar deri te thirrja për mosbindje civile, nuk ka as dhe një të vetmen iniciativë që të thërrasë elektoratin në një betejë referendum për një problematikë që prek vendin. Në të kundërt, kërkon thjesht që të mbivendoset në pushtet duke premtuar se do t’i zgjedhë çështjet menjëherë sa të hipë në fron.

Është një paradoks i vërtetë që në Shqipëri, ndonëse vend pluralist, të jetë zhvilluar një referendum i vetëm gjatë 27 viteve. Për më tepër, kur vendi ende nuk është shkëputur nga epoka e tranzicionit, kur transformimet në politikë dhe ekonomi nuk janë të qëndrueshme, por me virulencë kaotike, pjesëmarrja më e gjerë e popullit në vendimmarrje është domosdoshmëri për të vendosur rregull. Në demokraci, referendumet janë diçka e zakonshme dhe është gjëja më normale që për çështje të rëndësishme, të vendoset nëpërmjet votës së qytetarëve. Në Italinë fqinje, një sërë forcash politike apo lëvizjesh, të gjithë aktivitetin e tyre e mbështesin mbi kryerjen e referendumeve. Lista Panella, apo ajo Bonino, nuk kanë synuar pushtetin, apo përfshirjen në mazhorancat qeverisëse. Referendumet kanë qenë për ta flamur beteje për nismat e tyre politike, apo në përkrahje të lëvizjeve shoqërore. Dhe këtë lojë, e kanë kryer mjaft mirë, përderisa vijojnë të votohen nga qytetarët pikërisht për këtë qëllim.

Po Shqipërisë pse i kanë munguar referendumet? Ato nuk kanë qenë të nevojshme përderisa gjithçka zgjidhej nëpërmjet makinacioneve politike. Padyshim, kjo nuk është shprehje demokracie në vend, porse kastës sonë politike i pëlqejnë me tepri makiavelizmat dhe lojërat e vogla me perde të mbyllura. Vendimmarrja është në posedim të plotë të tyre dhe kryeja e referendumeve do tu hiqte nga duart këtë lodër të preferuar. Populli mund të shprehet edhe për shumë çështje të tjera, që nga prona, problemet e mjedisit, të drejtat qytetare dhe deri në prioritetet e zhvillimit. Derisa të vijë ky moment, referendumet mbahen peng nga politika.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: