Franca në botëror, Kupa e Botës 20-vjet larg   

Publicitet
Publicitet
Franca në botëror, Kupa e Botës 20-vjet larg   
Një nga katër ekipet favorite të Kupës së Botës 2018. Franca dhe kundërshtarët e saj në Grupin C, historia, trajneri, pikat e dobëta dhe çka pritet në Rusi nga të besuarit e Didier Deshamps

Aranit Muraçi

Franca merr pjesë për herë të 15-të në finalet e Kupës së Botës. Pjesëmarrëse në Grupin C të këtij botërori, Franca konsiderohet një ndër katër ekipet favorite për të ngritur trofeun e lakmuar në Rusi 2018. Kampione e botës më 1998 dhe nën-kampionë më 2006, Franca kërkon të lërë pas zhgënjimin e dy eventeve të fundit, falë edhe një gjenerate lojtarësh tepër të talentuar, tek të cilët Didier Deschamps do të bazohet për të rifituar krenarinë e Francës.

Trajneri

Didier Deschamps luajti 103 ndeshje si lojtar me kombëtaren e Francës, duke qenë kapiten i ekipit që fitoi Kupën e Botës 1998, si dhe Kampionatin Europian, 2000. Ai u emërua trajner në vitin 2012, ndërsa karrierën e nisi si trajner i Monaco, duke arritur në finalen e Champions League me këtë ekip, në vitin 2004. Ai ka fituar gjithashtu tituj kampion me Juventus në Itali, si dhe me Marsejën në vendin e tij. Trajneri 49-vjeçar i Francës udhëhoqi “Les Bleus” deri në çerekfinale të Kupës së Botës 2014 dhe çoi Francën në finalen e madhe të Euro 2016. Ndonëse ka pasur kritika se Deschamps nuk po arrin të marrë më të mirën nga një ekip që përbëhet nga lojtarë me potencial e të talentuar, madje disa prej tyre vlerësohen të një klasi botëror, Franca i besoi sërish atij, për ta udhëhequr në Rusi 2018. Edhe pse skema  4-4-2 nuk i është përshtatur si duhet disa lojtarëve që mund të jepnin më shumë për Francën, nën drejtimin e Deshamps kombëtarja franceze ka shënuar disa rezultate impresionuese: 45 fitore, 13 barazime dhe vetëm 15 humbje në 73 ndeshje.

Kapiteni

Ishte një sezon i jashtëzakonshëm me Totenhem për Hugo Lloris, i cili kritikohej kur bënte gabime por nuk thuhej e njëjta gjë për pritjet e tij të jashtëzakonshme. Si portier ai ka vërtetuar vazhdimisht se ç’është në gjende të bëjë, ndaj edhe Franca i besoi portën madje edhe shiritin, për ta udhëhequr në Rusi 2018. Portieri 31-vjeçar ka luajtur 9 nga 10 ndeshjet kualifikuese për të prerë biletën në botëror. Me 96 ndeshje në kombëtare, Lloris është lojtari më me eksperiencë në radhët e skuadrës së drejtuar nga Deschamps. Ai ishte pjesë e Francës që shkoi në çerekfinale të Euro 2012, si dhe arriti në të njëjtën fazë edhe në botërorin 2014, për të prekur finalen e Euro 2016.

Lojtari kryesor

Ekipi francez përbëhet nga lojtarë të shkëlqyer sulmi, prandaj Deschamps përpiqet të marrë më të mirën prej tyre. Puna e tij është bërë më e lehtë që kur N’Golo Kante shkëlqeu te Leicester dhe vazhdoi të rritej, duke kthye në një lojtarit të klasit botëror te Chelsea. Kante kthehet edhe në një mesfushor bazë si dhe ndihmon mbrojtjen në rast nevoje, duke lejuar dhe duke i dhënë më tepër liri partnerit të tij, Paul Pogba, të shpërthejë para, pa qenë i shqetësuar se pas do të ketë hapësira pas për kundërshtarin. Kante, 27-vjeç, ka fituar 22 ndeshje me Francën që kur debutoi në fund të sezonit që u shpall kampion te Leicester, 2015/16. Ai ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit kombëtar në Euro 2016 dhe një vit më pas fitoi edhe Çmimin e Lojtarit të Vitit në Francë. Olivier Giroud e Antoine Griezmann janë sulmuesit më të mirë, me nga katër gola secili në kualifikueset e Francës.

Për t’u parë

Kylian Mbappe, pa dyshim. Do të jetë turneu i tij i parë ndërkombëtar me Francën dhe me aftësitë që ka ai nuk është çudi që të jetë surpriza e madhe e këtij botërori. Nëse Brazili shpreson te Neymar, përse Franca të mos ketë besim te Mbappe? Të dy iu bashkuan PSG gjatë verës së kaluar, përmes shifrave marramendëse. Mbappe, i ri dhe ende i pa-ekspozuar në një botëror, i talentuar dhe i jashtëzakonshëm, ka të dhëna të mjaftueshme për të shpërthyer në botëror. Bashkë me të Franca shpreson edhe tek  Presnel Kimpembe, qendërmbrojtësi i PSG, i cili fitoi vendin e titullarit pas dëmtimit të Laurent Koscielny. Raphael Varane e Samuel Umtiti parashikohet gjithashtu që jenë lojtarë titullarë të Francës në mbrojtje, por performanca e mirë e Kimpembe, 21-vjeç, mosha dhe talenti e bëjnë atë një lojtar edhe më interesant.

 

Ndeshjet e grupit:

E shtunë, 16 qershor: Francë-Australi (Kazan Arena)

E enjte , 21 qershor: Francë-Peru (Yekaterinburg)

E martë, 26 qershor: Danimarkë-Francë (Moskë)

 

Historia

Historia e Francës si ekip kombëtar nis më 1904. Kjo kombëtare e njohur edhe si “Les Bleus” ishte një nga katër ekipet evropiane që mori pjesë në turneun e parë të Kupës së Botës, 1930. Në vitin 1998 Franca e udhëhequr nga Zinedine Zidane, si vend organizator ngriti për herë të parë trofeun, duke mundur Brazilin 3-0 në finale. Ka fituar edhe dy herë Kampionatin Europian, më 1984, koha e Mishel Platini, dhe 2000.

 

Franca, vlera mbi 1 miliardë euro

Më 14 qershor vëmendja e botës do të jetë në Rusi, kur nisin edhe finalet e Kupës së Botës. Sa u përket vlerës së lojtarëve të ekipeve pjesëmarrëse ajo kryesohet nga Franca, e cila ndiqet nga Spanja dhe Brazili. Në vendin e fundit është Panama me 9 milionë euro. Renditja e bërë nga e përditshmja franceze “L’Equipe”, bazuar në të dhënat e “transfermarkt.com” vlerëson se Kombëtarja franceze vlen plot 1 miliard e 80 milionë euro, 40 milionë euro më shumë se Spanja. Në vendin e tretë është Brazili (952). Gjermania, Anglia, Belgjika, Argjentina dhe Portugalia vijnë pas tyre.

 

Statistika

Pjesëmarrja në Finalet e Kupës së Botës: 13

Statistika në botëror: Ndeshje-54, F-25, B-11, H-18, Gv: 96-68

Koificenti i fitoreve në botëror: 46.29%

Kupa bote: 1 (1998)

 

Skuadra e botërorit

Portierë: Hugo Lloris (Tottenham), Steve Mandanda (Marseille), Alphonse Areola (PSG)

Mbrojtës: Lucas Hernandez (Atletico M), Presnel Kimpembe (PSG), Benjamin Mendy (Manchester C), Benjamin Pavard (Shtutgart), Adil Rami (Marseille), Djibril Sidibe (Monako), Samuel Umtiti (Barcelona), Raphael Varane (Real M)

Mesfushorë: N'Golo Kante (Chelsea), Blaise Matuidi (Juventus), Steven N'Zonzi (Sevilla), Paul Pogba (Manchester U), Corentin Tolisso (Bayern M)

Sulmues: Ousmane Dembele (Barcelona), Nabil Fekir (Lyon), Olivier Giroud (Chelsea), Antoine Griezmann (Atletico M), Thomas Lemar (Monaco), Kylian Mbappe (PSG), Florian Thauvin (Marseille)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: