FIFA “prezanton” 4 ekipet favorite, Brazili dhe Tite më entuziastët

Publicitet
Publicitet
FIFA “prezanton” 4 ekipet favorite, Brazili dhe Tite më entuziastët
Aranit Muraçi

Edhe pak ditë na ndajnë nga botërori “Rusia 2018” dhe ky aktivitet konsiderohet si më i paparashikuari nga FIFA ndër dekada, pasi janë të paktën 4 ekipe favorite që kanë potencial ta ngrenë trofeun. Mes 32 ekipeve pjesëmarrëse, “FIFA.com” analizon pikërisht katër ekipet që premtojnë më tepër të triumfojnë në Rusi: Brazili, Gjermania, Spanja e Franca:

Brazili

Gati i transformuar nën drejtimin e Tite, Brazili ishte vendi i parë pas organizatorëve, që preu biletën për në “Rusi 2018”. Fantazmat e humbjes 7-1 me Gjermaninë në gjysmëfinalen e kaluar, Brazil 2014, nuk ekzistojnë më. Për të vërtetuar këtë, Brazili fitoi një miqësore ndaj Gjermanisë pak javë para botërorit, në Mynih, 1-0. Gabriel Jesus, autori i golit në atë ndeshje, Alisson e Coutinho, u panë qartë se e kishin rritur ndjeshëm performancën krahasuar me katër vjet më parë. Duke shtuar edhe shumë lojtarë të tjerë që i janë bashkuar kohët e fundit, duket sikur “Seleçao” janë balancuar në atë nivel që ta kërkojnë për triumfin. Për Brazilian “qershia mbi tortë” është Neymar, i cili la pas dëmtimin me PSG dhe shihet gati. Me 54 gola të realizuar me kombëtaren, ai është shumë pranë rekordit që kanë vendosur emra më histori tek ky ekip si Romario, Ronaldo dhe Pele. Rikthimi i tij me gol në një miqësore të fundit ndaj Kroacisë, 2-0 për Brazilin, ka shtuar edhe më tepër “drithërima” në kampet kundërshtare, sidomos tek ato të Gjermanisë e Spanjës. “Brazil është favorit për Kupën e Botës. Por futbolli varet nga tërë fushata, niveli, performanca dhe rezultatet. Ne megjithatë jemi një nga ekipet që mund ta fitojmë trofeun,” – tha trajneri brazilian Tite, pas mbërritjes në Rusi.

Franca

Didier Deschamps arriti në Rusi me një ekip të mbipopulluar nga emra të shumtë talentësh. Në listën me 23 lojtarë mund të përmenden emra si Pogba, Griezmann, Mbappe e Dembele, që jo vetëm garantojnë por edhe tejkalojnë parashikimet.  Deschamps nëse gjen formulën dhe merr më të mirën e yjeve të tij, ai atëherë do të jetë i treti pas Mario Zagallo e Franz Beckenbauer – që fiton trofeun edhe si lojtar, edhe si trajner. Antoine Griezmann, i jashtëzakonshëm në Euro 2016 dhe heroi i Atletico Madrid në edicionet e fundit të Champions League, ka treguar se është njeriu i duhur për shfrytëzuar raste apo ngjarje të mëdha, siç janë finalet e Kupës së Botës.  - “Kemi shumë ambicie dhe nëse shohim ekipet e tjera, janë vetëm dy në Europë (Spanja dhe Gjermania) para nesh, dhe një është në Amerikën e Jugut, Brazili”, tha trajneri  francez, Didier Deschamps

Gjermania

Të rifitosh trofeun është edhe më e vështirë, sepse nuk e ka arritur asnjë ekip përveç Brazilit pas vitit të largët, 1962. Gjermania, megjithatë, mbërriti në Rusi me një grup lojtarësh që duken më të fortë se ata që i sollën krenarinë katër vjet më parë. Lojtarë të rinj e të talentuar si Timo Verner, Leon Goretzka e Joshua Kimmich, janë të gjithë gati të kontribuojnë në mbrojtjen e titullit kampion nga ana e gjermanëve. Ata do të udhëhiqen nga Mesut Ozil, i shkëlqyer, kreativ dhe me parametrat e duhur për të bërë diferencën në fushë. “Ndaj Gjermanisë kundërshtarët tanë do të luajnë si kurrë më parë dhe prandaj një forcë mbinjerëzore na duhet, nëse duam ta fitojmë sërish Kupën e Botës”, - tha trajneri Joachim Low.

Spanja

Pasi u largua shpejt nga finalet e botërorit të kaluar, “Brazil 2014” si dhe nga “EURO 2016”, Spanja ka rigjetur veten në vigjilje të botërorit “Rusi 2018”, duke u rikthyer në “embrionin” e 2010-ës. Me një ekip ku përzihen heronjtë e titujve kampionë Europe dhe bote, 2008-2012, dhe me një gjeneratë të re lojtarësh gati për të shpërthyer, Spanja  premton shumë nën drejtimin e Julen Lopetegui. David Silva, veterani me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare, pritet të luajë një rol vendimtar në ecurinë e Spanjës gjatë këtij botërori. Tani, 32-vjeç, pas pesë golave që shënoi në kualifikuese si dhe me paraqitjet e bëra te Manchester City, ai ka shansin të tregojë veten në Rusi, si njeriu që duhet të udhëheqë iberikët. - “Titullin prej favoriti e merr kur fiton. Futbolli spanjoll kaloi momente të jashtëzakonshme në periudhën 2008, 2010 e 2012, por pas kësaj skuadra nuk gjeti të njëjtën vazhdimësi. Kemi ambicie të mëdha dhe vijnë në këtë Kupë Bote me dëshirën për të treguar veten,” – tha trajneri Julen Loptegui.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: