Fibromialgjia, sëmundja që shkakton dhimbje në gjithë trupin

Fibromialgjia, sëmundja që shkakton dhimbje në gjithë trupin
Trashëgimia, sëmundje të tjera kronike, lindjet te femrat dhe stresi, janë shkaktarë të kësaj sëmundjeje, e cila shfaqet më tepër te femrat sesa meshkujt. Mjekët specialistë këshillojnë për një regjim me gjumë, aktivitet fizik dhe relaksim, për të larguar dhimbjet e vazhdueshme të saj

Sonila Isaku

Fibromialgjia nuk është sëmundje, por një çrregullim nga i cili mund të vuajë kushdo. Shfaqet me dhimbje muskulo-skeletike, shoqëruar me lodhje, çrregullime të gjumit, memories dhe humorit. Edhe pse këto ankesa mund t’i ndeshni te shumë sëmundje të tjera, veçanërisht te fibromialgjia dhimbjet e gjithë trupit, lodhja, çrregullime të gjumit, memories dhe humorit, janë shenja të cilat fillojnë menjëherë pas një traume fizike, ndërhyrjeje kirurgjikale, infeksion ose stres psikologjik; në disa raste të tjera, shenjat grumbullohen gradualisht pa gjetur një shkaktar që i shpërthen. Mjekja Laerta Kakariqi tregon si shfaqet kjo sëmundje dhe simptomat bashkëshoqëruese.

Sëmundja

Fibromialgjia  është një nga çrregullimet e karakterit neurologjik, e cila prek në radhë të parë komponentët jokockorë, pra, është fjala për indet e buta. Preken muskujt, tendinat dhe shumë shpejt edhe vetë lëkura. Kryefjala e këtij çrregullimi është dhimbja. Është një dhimbje me karakter kronik, dhimbje e vazhdueshme, dhimbje që nuk arrin pikën maksimale, siç janë dhimbjet karakteristike të karakterit inflamator, që janë dhimbje të thikta, të menjëhershme dhe me intensitet shumë të lartë. Në fibromialgji, dhimbja është e mefshtë, por është e vazhdueshme. Pacientët kur referojnë dhimbjen ndërsa vuajnë nga ky lloj çrregullimi, tregojnë se kanë një dhimbje që nuk pushon asnjë herë, dhimbje që i shoqëron përgjatë 24-orëshit, ditë pas dite. Pra, kroniciteti i dhimbjes është një nga elementët kryesorë. Dhimbja prek muskujt, të gjithë muskujt e trupit, duke filluar nga koka e deri në ekstremitete.

Ky sindromë është  hasur mjaft vite më parë, duke filluar qysh nga vitet 1900, ku për herë të parë është përdorur termi fibrovitis. Por kjo emërtesë ishte e gabuar, pasi nuk kemi të bëjmë me një sindromë inflamatore siç pretendohej në fillesat e saj, nuk është sëmundje autoimune - siç është pjesa më e madhe e patologjive që mjekët reumatologë trajtojnë - por është një sëmundje e karakterit neurologjik. Epiqendra fillon pikërisht nga sistemi nervor qendror dhe pastaj simptomat shfaqen në periferinë e organizmit.

Simptomat

Përveç dhimbjes që është element kryesor i kësaj sëmundje, hasim edhe lodhjen kronike që shpesh herë shoqërohet edhe me paaftësi në kryerjen e detyrave të përditshme, që janë të lehta për t’u kryer nga çdo njeri. Komponenti i tretë dhe shumë i rëndësishëm, është edhe ngurtësimi i muskulor; pra, është një ulje e fleksibilitetit dhe ndjeshmërisë së indeve të buta ku, këta pacientë në mënyrë tipike, ankohen në mëngjes; më i vështirë është zgjimi mëngjesor. Kjo simptomë shpesh ngatërrohet me ngurtësimin mëngjesor, që është tipik për artriti reumatoid, por janë elementë të tjerë ata që ndajnë këto dy diagnoza. Simptomë e këtij çrregullimi, është edhe elementi depresiv, ku pjesa më e madhe e këtyre pacientëve kanë ngarkesë të madhe emocionale, duke pasur probleme me ndjeshmërinë, ankthin dhe jo tamam depresionin.  Po kështu, simptomë tjetër është edhe një lloj mjegullimi i aftësisë për tu përqendruar, vështirësi për tu përqendruar e mbi të gjitha për të memorizuar informacionet e reja. Në disa raste, pacientët ankohen edhe për dhimbje koke të tipit migrenoz, por jo vetëm. Element tjetër janë edhe çrregullimet gastrointensinale, siç është sindroma e zorrës së irrituar. Kjo simptomë bashkëgjendet mes simptomave të tjera, duke pasur jashtëqitje të shpeshta dhe dhimbje intensinale. Elementi i fundit i simptomave  të kësaj sëmundjeje, është edhe vështirësia e gjumit, duke pasur një cilësi jo të mirë të tij.

Shkaqet

Shkaqe të mirëfillta nuk ka, por trashëgimia është shumë e rëndësishme, sepse është parë dhe tashmë është vërtetuar se gjendet shpesh në pacientë të cilët kanë histori familjare. Ky është i vetmi element që njihet si shkaktar i mirëfilltë. Ndërsa kur flasim për elementë të tjerë që mund të ndikojnë te kjo sëmundje, mund të themi për shkaktarë shpërthyes që ndikojnë në avancimin e sëmundjes. Pra, për gjendje të organizimit të cilat mund të bëhen shkak për shpërthimin e këtyre elementëve. Këto elemente kanë të bëjnë me stresin fizik ose emotiv, p.sh., lindja e një fëmije. Duhet të theksojmë se, femrat janë 7 herë më të prekura sesa meshkujt dhe fasha e moshës është nga 35-50 vjeç. Po kështu, elemente të tjera janë ndërhyrjet kirurgjikale, humbja e një njeriu të dashur ose një patologji me ndikim të rëndë në aspektin shëndetësor.

Artriti dhe sëmundjet  e tjera

Sindroma e fibromialgjisë gjendet shpesh në pacientë të cilët kanë sëmundje të tjera inflamatore autoimune sistemike siç është artriti reumatoid, lupusi spondiliti ose edhe patologji që prekin sistemin artikular. Pra, kjo sëmundje mund të jetë bashkëshoqëruese me një sëmundje tjetër, por duhet thënë se mjekimi duhet të bëhet në linja të ndryshme, duke pasur parasysh se duhet të bëhet nga mjekët neurologë në bashkëpunim me ata reumatologë.

Diagnoza

Në të shkuarën, mjekët kontrollonin në 18 pika të trupit për të gjetur se sa prej tyre janë të dhimbshme. Rekomandimet e fundit nuk kërkojnë gjetjen e pikave të dhimbshme në trup. Fibromialgjia kërkohet në një person i cili paraqet dhimbje të përhapura në trup për më shumë se tre muaj, në mungesë të një patologjie specifike që t’i shkaktojë këto simptoma. Nuk ka një test (analizë) laboratorik i cili konfirmon diagnozën e fibromialgjisë, por rekomandohet që të realizohen disa teste laboratorike të cilat përjashtojnë sëmundje të tjera që paraqesin simptoma të ngjashme me ato të fibromialgjisë. Disa nga këto teste të cilat rekomandohen, janë: gjaku komplet, shpejtësia e sedimentimit të rruazave të kuqe (eritrosedimentaconi), faktori rheumatoid (FR), ÇP (cyclic citrullinated peptide), analizat për funksionin e gjëndrës tiroide (fT4, fT3, TSH).

Simptomat

Dhimbje muskulore të vazhdueshme (kronike), tërheqje (spazma) muskulore ose ndjesinë e ngurtësimit të muskujve;

Lodhje të moderuar ose të shprehur dhe ndjesinë e rënies së “energjisë” nga dita në ditë;

Çrregullime të gjumit ose e demonstruar edhe në formën e ndjesisë së lodhjes kur ngrihesh në mëngjes nga gjumi, e njëjtë me ndjesinë që ke kur shtrihesh për të fjetur;

Ngurtësim kur zgjohesh në mëngjes nga gjumi ose kur qëndron gjatë në një pozicion të caktuar;

Vështirësi në përqendrim ose në performimin e aktivitetit të përditshëm, çrregullime të kujtesës, të gjitha këto përbëjnë atë që quhet “mjegullia e fibromialgjisë”;

Dhimbje të barkut (abdominale), ndjesinë e fryrjes së barkut, të vjella, konstipacion e alternuar me diarre, duke imituar simptomat e sindromës së zorrës së irrituar;

Dhimbje koke tensive ose migrenoze;

Ndjesi të shtuar në fytyrë aq sa edhe irritohen, kur u kalon rryma e ajrit në fytyrë ose kur ekspozohen në diell kanë ndjesinë e djegies së saj;

Ndjeshmëri të shtuar ndaj aromave, zhurmave, medikamenteve, të ftohtit, disa ushqimeve, dritës së shndritshme ;

Ndjesinë e gjendjes së ankthit ose depresionit;

Mpirje në fytyrë, krahë, duar, këmbë;

Sapo kanë ndjesinë për të urinuar duhet të shkojnë menjëherë me urgjencë në tualet, urinim të shpeshtë pa ndjesinë e djegies së urinës (irritim i fshikëzës së urinimit);

Ulje të aftësive ushtrimore dhe dhimbje muskulore pas ushtrimeve qoftë edhe të lehta;

Ndjesinë e ënjtjes në këmbë dhe në duar, por pa patur një ënjtje të vërtetë.

 

Më të rriskuar për të zhvilluar fibromialgji, janë:

Gjinia, fibromialgjia diagnostikohet më shpesh te femrat sesa te meshkujt;

Historia familjare, ka më shumë mundësi të zhvillosh fibromialgji, nëse ke një familjar ose një të afërm të rrethit të parë, i cili vuan me këtë çrregullim;

Faktorë të ndryshëm risku përfshijnë edhe nëse vuani nga patologji të tjera, si osteoartritis, artriti rheumatoid, lupusi eritematoz sistemik etj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: