FALJA E MADHE – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

FALJA E MADHE – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vdekja e Liri Belishovës u bë lajm i parë në të gjitha mediat e Tiranës këtë 23 prill. Rëndësia që mori lajmi nuk lidhej me faktin se në moshën afro 92-vjeçare iku nga kjo botë një ish-funksionare e lartë e regjimit komunist. Më shumë se kaq, nga kjo botë iku i vetmi person që ndjeu deri në eshtër “të mirat” dhe të këqijat e regjimit komunist, për të cilin kishte mbrujtur idealet e veta: suksesin në karrierë, pushtetin e lartë, por edhe përndjekjen, dënimin, internimin deri shkatërrimin e familjes. Dhe kur arriti në zgrip të jetës,  bëri një gjest si askush tjetër, duke e futur veten në histori në një pikëvështrim tjetër. Iu drejtua popullit shqiptar publikisht, me zë dhe figurë duke thënë hapur: “Popull shqiptar, më fal! Më fal për të gjitha vuajtjet që të shkaktuam me komunizmin tonë, që e instaluam në Shqipëri. Më fal për dëmet e mëdha që i shkaktuam vendit”.

Po përse Liri Belishova e bëri këtë falje të madhe? Cilat ishin arsyet që e bëri këtë falje? Në fakt, emri i Liri Belishovës në Shqipëri nuk i thotë asgjë brezit të lindur pas vitit 1990. Madje as atyre që e jetuan sadopak regjimin komunist, e për më tepër atyre që sot janë më pak se 20 vjeç. Tekstet e shkollës shqiptare vazhdojnë të mos e pasqyrojnë të saktë historinë të vjetër dhe të re, por sidomos atë të regjimit komunist. Kurrikulat e mësimdhënies vazhdojnë të mos tregojnë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë nga viti 1944 dhe deri në 1990, periudhë që funksionoi regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Por kjo grua që ishte pjesë e pushtetit të lartë të regjimit komunist, si në një rregull të pashkruar pësoi atë që pësuan pothuajse të gjithë nga dora gjakatare e Enver Hoxhës. Arriti në majë të pushtetit, por pa me sytë e saj dhe “shijoi” edhe ferrin e atij pushteti. I vranë burrin, Nako Spiru, duke i thënë zyrtarisht se ai vrau veten. E graduan pas kësaj, si anëtare të Byrosë Politike për të justifikuar këtë vrasje. Por më pas, vetë Liria kaloi një kalvar vuajtjesh, që u bë mëse normale me ata që qëndronin afër Enver Hoxhës. E arrestuan dhe e internuan edhe vetë. Dhe krimi më i pashpirt ishte kur nuk e lejuan të shikonte vajzën e vet 20 vjeçe teksa jepte shpirt. Ngritja dhe rënia e Liri Belishovës ndoqi të njëjtin rregull si gjithë të tjerët që dikur ishin bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës, por pas një periudhe, u bënë viktima të tij. Megjithatë, Liri Belishova vetëm në liri e ndryshoi rregullin. U bë e vetmja që tha “Më fal”. Pa e detyruar kush, pa e pyetur kush, nga zemra e trupit të vogël tha “më fal” për “bëmat” dhe gjëmat negative të atij sistemi që jetoi 46 vjet. Ngjasimi i vetëm i kësaj faljeje me të ishte Bedri Spahiu, edhe ky një ish-funksionar që u shpall armik, i cili në vititn 1991 në gazetën “Republika” shkroi “Bedri Spahiu revizionon Bedri Saphiun”, duke shkruar hapur gabimet dhe krimet, por duke kërkuar edhe falje. Megjithatë, Liri Belishova shkoi edhe më larg. Ajo u tha ballazi me zë dhe figurë shqiptarëve “Më fal”, e bindur se rruga që kishte zgjedhur për të luftuar fashizmin ishte e drejtë, por që kishte zgjedhur komunizmin ishte jo vetëm e gabuar, por edhe kriminale. Kjo grua me trup të vogël, por me zemër të madhe ktheu edhe një herë në vëmendje diskutimin për institucionin e faljes. Falja në Shqipëri është një institucion që nuk njihet fare, ose njihet pak. Nuk ka thënë “më fal” asnjë politikan. As Enver Hoxha që bëri gjakderdhjen. As Mehmet Shehu, kryeministri që ka vrarë njerëz me dorën e vet, duke marrë damkën “kasapi shqiptar”. Nuk kanë thënë “më fal” as ministra, sekretarë,  deri edhe ekzekutorë e drejtues të armës famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, autorja direkte e atyre krimeve. Nuk kanë thënë “më fal” as pasardhës të tyre. Madje, ka sot syresh që pa pikë turpi mburren me ato krime, me justifikimin se ashtu ishte sistemi dhe që aq bukur regjisori Saimir Kumbaro e fiksoi në filmin “Vdekja e kalit”. Dhe mungesa e pendesës vazhdon edhe sot. As në kulturën e re nuk njihet fjala “më fal”. Të gjithë funksionojnë njësoj dhe gati të gjithë thonë “përse të them unë më fal, kur ai tjetri është më i lig se unë dhe ka bërë më shumë të këqija se unë”. Një sindromë e përhapur thellë në shoqëri si një plagë që mavijoset dhe nuk shërohet, sepse është shndërruar në gangrenë. Sot faji është i tjetrit dhe faljen duhet ta bëjë tjetri. Askush nuk e  nis nga vetja.

Pas viti 1990, në Shqipëri kanë ndodhur gjëma, jo ngjarje të gjitha për faj të politikës, por vetëm falje dhe pendesë nuk kemi parë e dëgjuar kurrë. A është sot dikush që të thotë “më fal” për të gjitha shkatërrimet që ndodhën në vitin 1991, duke kthyer në gërmadhë deri dhe furrat e bukës? Po dikush që të ketë thënë “më fal” përse u lejuan firmat piramidale duke sjellë krimin dhe mashtrimin më të madh në historinë e Shqipërisë ndaj një populli? A ka sot dikë vendi që të ketë thënë “më fal” për trazirat e marsit 1997, kur shteti ra si një pirg rëre, teksa turma të eksituara digjnin ndërtesat e shtetit, grabisnin gjithçka që gjenin brenda dhe ekzekutonin punonjësit e shtetit? A ka sot dikë të thotë “më fal” për faktin se në 28 vjet Shqipëria i afrohet dhe largohet BE-së si në një pikë horizonti? A ka dikë sot të thotë “më fal” si përgjegjës për ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, duke e kthyer atdheun e tyre si një vend të përkohshëm? Askush nuk e bën këtë. Liri Belishova e bëri e para, pa ia kërkuar kush. Ndoshta vlera e jetës së saj të çuditshme për shoqërinë tonë nuk ishte për vuajtjet, sesa për dy fjalët sinqerta që nxori nga goja kur fitoi lirinë: “Më fal”. Nuk kushtojnë fare, prandaj gruaja me trup të vogël na u duk e madhe këtë 23 prill kur u nda nga kjo jetë. Kishte thënë të paktën “Më fal”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: