Energjia, BE i kërkon Shqipërisë bursë dhe nisje të përdorimit të gazit si burim

Publicitet
Publicitet
Energjia, BE i kërkon Shqipërisë bursë dhe nisje të përdorimit të gazit si burim
Në Shqipëri duhet që të funksionojë një bursë energjie. Dhe gazi të nisë të përdoret sa më shpejt, si një burim efikas i saj.

Këto janë vetëm dy nga kërkesat kryesore që Bashkimi Evropian i ka caktuar palës shqiptare në lidhje me sektorin e energjisë, si të tillë.

Të cituara në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2018-2020, ato synojnë mbi të gjitha qëllimin final: Që popullata shqiptare ta ketë të sigurt furnizimin me energji gjatë viteve në vijim.

“Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në sektorin e energjisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në përgjithësi, gjatë dy viteve të fundit ka pasur njëfarë përparimi në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit dhe në linjat e interkoneksionit. Zbatimi i masave të buta ka vazhduar dhe përgatitjet po bëhen për ngritjen e bursës së energjisë”, cilësojnë ekspertët lidhur me situatën aktuale në të cilën gjendet energjetika shqiptare.

Duke shtuar këtu se ndërsa Shqipëria është anëtare e Komunitetit të Energjisë dhe si rezultat i kësaj, rrjeti energjetik i saj është pjesë e rrjetit evropian të energjisë, prandaj ajo po ndihmohet prej tij që të zbatojë edhe masa të buta në kuadër të Procesit të Berlinit.

Por ky Komunitet ka edhe kushtet e veta ndaj vendit tonë e një i tillë është pikërisht ai i ngritjes së bursës së energjisë.

“Ligji i energjisë është ndryshuar në shkurt të këtij viti, për të lejuar ngritjen e bursës së energjisë elektrike. Bursa do të organizohet dhe do të funksionojë si një platformë e tregut elektronik për energjinë, duke plotësuar një nga angazhimet e Shqipërisë në kuadrin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Kjo masë do të liberalizojë më tej tregun e energjisë në vend”, saktësojnë ekspertët lidhur këtë fakt.

 

Të vihet në zbatim plani i gazit, të garantohet furnizimi sipas TAP-it

“Për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri, Këshilli i Ministrave do të miratojë vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të zhvillimit të sektori të gazit natyror në Shqipëri dhe identifikimin e projekteve prioritare”, citohet në Planin Kombëtar të Integrimit. Duke shtuar se legjislacioni i ri në sektorin e gazit natyror do të shoqërohet me masa zbatuese që synojnë të garantojnë ndërtimin sipas planit të projektit të gazsjellësit TAP. “Përveç kësaj, Shqipëria do të përfundojë studimin e parafizibilitetit për projektin e gazsjellësit Shqipëri-Kosovë (ALKOGAP) financuar nga ËBIF. Në bashkëpunim me Malin e Zi do të kryhet edhe përgatitja e dizajnit paraprak teknike dhe projektimit për Projektin e Gazsjellësit Adriatiko-Jonian (IAP). Shqipëria synon të ndjekë aplikimet për dhënien e statusit PECI/PMI 2018 në projektin e gazsjellësit IAP, gazsjellësit ALKOGAP dhe magazinimin e gazit nëntokë në zonën e Dumresë (UGS Dumrea Project)”, pohojnë gjithashtu ekspertët e integrimit lidhur me ecurinë e sektorit të gazit.

 

Interkonjeksioni, linjat brenda tregut të integruar rajonal

Ekspertët e integrimit përcaktojnë gjithashtu se paraqitet me mjaft rëndësi fakti që Shqipëria të bëhet pjesë e një tregu të integruar rajonal të energjisë. “Linja e interkoneksionit Shqipëri-Kosovë përfundoi më 28 qershor 2016. Ndërtimi i kësaj linje synon të përmirësojë balancën e tregut të energjisë mes dy vendeve dhe të reduktojë rrezikun hidrologjik në Shqipëri. Ndërtimi i kësaj linje interkonjeksioni është pjesë e krijimit të një tregu të integruar rajonal të energjisë elektrike. Linja e energjisë 110 kV Albania Southern Ring është, gjithashtu, funksionale. Do të ndërtohet linja transmetimit të energjisë 400 kV Elbasani (Shqipëri)–Bitola (Maqedoni), pjesë e korridorit “Lindje–perëndim”, është prokuruar konsulenti për ndërtimin e kësaj linje transmetimi”, sqarojnë ekspertët lidhur me këtë çështje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: