DEBATI NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ “A duhet një Teatër i ri Kombëtar? Intelektualët, pro edhe kundër

DEBATI NË “ALBANIAN FREE PRESS”/ “A duhet një Teatër i ri Kombëtar? Intelektualët, pro edhe kundër
FORUM/ Vijon ende debati publik për ndërtimin apo jo të një godine të re për Teatrin Kombëtar. Japin mendimin e tyre rreth tij për “Albanian Free Press”, intelektualët Xhelil Aliu, Xhevat Mustafa, Jani Tane dhe Enver Shëngjergji

Në qarqet kulturore, tashmë edhe në ato politike, çështja e ndërtimit apo jo të një godine të re të Teatrit Kombëtar vazhdon të jetë e nderë. Ende vijon debati rreth saj, teksa artistët dhe intelektualët shfaqen sërish të ndarë në opinionet e tyre. “Albanian Free Press” ka kontaktuar me disa prej tyre, për të dëgjuar argumentat pro dhe kundër një nisme të tillë. Ndërsa nuk denjojnë të pohojnë faktin se vetëm një pjesë e njerëzve të përfshirë në debatin e Teatrit, u dhimbset vërtet ai dhe janë të interesuar për të. Shumica sipas tyre, “i janë futur atij” vetëm për të manipuluar opinionin publik...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. Zholi

 

XHELIL ALIU, Gazetar:

Teatri të bëhet, por jam kundër kullave

“Tema kryesore e debateve mediatike këto ditë është bërë godina e teatrit. Është krijuar një situatë absurde që ka në esencë dilemën: Ta shembim godinën e Teatrit, apo të mos e shembim. Të bëjmë një teatër të ri, apo të mbajmë këtë që kemi? Dhe këtu, në këtë kazan llafazan, vijnë e kullosin lloj-lloj gjallesash, të bindjeve nga më të ndryshmet, të orientimeve nga më të çuditshmet, të cilët mezi presin të dalin para kamerave dhe mikrofonave për të shpalosur idetë e tyre lidhur me problemin për të cilin diskutohet. Shumë të pakët, për të mos thënë të papërfillshëm, janë ata që janë të lidhur shpirtërisht e mendërisht me Teatrin dhe ndjejnë shqetësim të vërtetë për të. Pjesa dërrmuese dhe më absurde janë një tufë fjalamanësh e grafomanësh që tjerrin hartime pafund për vlerat kulturore, historike e artistike të godinës së teatrit, duke manipuluar opinionin publik. Dhe pikërisht, këta kapardisen me teza interesante për vlerat e këtij teatri, për historinë që ka bërë, saqë e zhvlerësojnë edhe shqetësimin e vërtetë që kanë artistët rreth këtij problemi. Mua më duket matje me hijen e mëngjesit edhe krahasimi me Globus, apo me teatro të tjerë madhorë, të cilët, tek e fundit, u bënë të mëdhenj nga autorë të tillë si Shekspir, Molier, Bernard Shou, Çehov etj, por jo nga pllakat e ndërtimit, apo llaçi e tullat me të cilat janë ndërtuar. Teatri shqiptar nuk është shumë i vjetër. Siç dihet në vitet 1920-30 ishin disa amatorë në pak qytete kryesore, që luanin ndonjë pjesë para Çlirimit. Kurse historia e vërtetë e tij nis atëherë kur u krijua teatri i parë profesionist në Shqipëri. Dhe kjo histori nuk u bë as nga godina ku interpretohej, as nga pllakat e pupulitit me të cilat ajo është ndërtuar, as nga forma apo stili i godinës etj. Historia e teatrit u bë nga ata që e nisën nga hiçi dhe u bënë artistë të kalibrit botëror, siç ishte M. Popi, K. Roshi, N. Frashëri, S. Prosi, P. Mima, B. Çela, V. Manushi, M. Logoreci, S. Pitarka, P. Gjoka, I. Shyti, M. Xhepa, R. Ndrenika, R. Arbana, R. Trebicka, A. Qirjaqi, e të tjerët më të rinj pas tyre, të cilët u bënë të njohur me realizime rolesh, jo vetëm nga dramaturgjia jonë, por edhe nga kryeveprat e asaj botërore. Të nisur pa kushtet dhe arsimin e duhur, por me një punë kolosale dhe pasion të admirueshëm, ata bënë realizime që kanë mbetur si monumente të interpretimit aktorial në Shqipëri. Në sajë të tyre ka folur shqip Hamleti, Mbreti Lir, Jago, Dezdemona, Ofelia, Tartufi, Zhyrden, Harpagon, Osipi, Klestakovi, Gertruda, Nora, Bernarda Alba etj, etj. Dhe historia do të vazhdojë të shkruhet në çdo kohë nga ajo që do të bëhet brenda godinës së Teatrit, nga rolet që do të interpretohen dhe idetë që do të përcillen për publikun e gjerë. Të gjithë e thonë dhe askush nuk mund ta fshehë që ai teatër tashmë nuk mund të mbahet më si i tillë. Sepse nuk plotëson as kushtet më minimale për të bërë art e për të argëtuar publikun brenda tij. Me ato kushte mizerabël, tepër të ftohta në dimër dhe përvëluese gjatë verës, s’është çudi që ai u bë shkak i sëmundjeve për disa emra aktorësh që ikën shumë shpejt nga kjo botë. Atëherë, pse ngulet kaq shumë këmbë ndaj bërjes së një teatri të ri? Se është Edi Rama kryeministër? Pse nuk e keni kërkuar ta bënte ndonjë qeveri tjetër, atëherë kur ka qenë Berisha apo ndokush tjetër? Pse pranoni të nderuar artistë, qoftë edhe aq sa jeni, që të bëheni kërma për të kullotur politikanët hiena, të cilët luftojnë vetëm për interesat e tyre dhe kurrsesi për tuajat? Ndjehem i keqardhur që artistët e nderuar nuk kthjellohen për të bërë arsyetimin dhe zgjedhjen e duhur. Edhe unë jam kundra kullave. Por kjo nuk do të thotë që të kundërshtojmë çdo gjë që serviret nga qeveria apo Bashkia, siç ndodhi edhe me Parkun te Liqeni Artificial. Protestuan sa u shembën, sa u dolën rrylat e fytit. Dhe tani nuk lënë rast pa shkuar të çlodhen e argëtohen andej, së bashku me të vegjlit e tyre. A duhet bërë një teatër për së mbari? Po! Atëherë, lëreni të bëhet. Artistët të kërkojnë që ai të plotësojë të gjithë parametrat e një teatri modern për kryeqytetin. Përveç sallës, të kërkohen edhe anekset e saj, me skenë, me prapaskenë, me sallë provash, me prapavijë, me garderobë, me dhoma zhveshjeje me dhoma shërbimi për elektrikun, për ujin, për gjithçka të domosdoshme për një teatër. Këtë të kërkojnë artistët e jo të ndalojnë ata që kanë drejtimin e vendit për realizimin e atyre planeve qe janë të nevojshme për komunitetin në tërësi. Pra, të bëhet Teatri i ri dhe pikë.

 

XHEVAT MUSTAFA, Analist:

Teatri të rikonstruktohet, por duke mbetur në vendin e vet

“Po bëhet çdo ditë e më e qartë se "disa po luajnë teatrin e opozitës", duke dëshiruar të mbrojnë një institucion historik e kulturor, burim kënaqësie dhe nostalgjie prej dekadash. Por, disa të tjerë po luajnë trashë e pisët lojën e qeverisë, ndoshta duke pritur rritje rroge apo ndonjë përfitim tjetër prej saj. Mundet edhe një pension të posaçëm me firmën e vetë kryeministrit, që e ka për kompetencë. Problemi, për mua subjektivisht, është që në emër të modernizmit dhe kullëzimit të mos shkatërrojmë objektet e pakta historike, monumentale, arkitekturore, identifikuese. Personalisht jam me grupin e atyre që mendojnë se TK duhet rikonstruksionuar thuajse tërësisht, por duke mbetur në vendin e vet dhe pa u futur në "shalët" e njërës prej kullave të "rilindjes" apo të "kanabisit".

 

JANI TANE, Regjisor:

Teatri i ri, jo i futur në kafazin e kullomanisë

“Artistët kërkojnë të ndërtohet teatri i ri në vendin që ndodhet dhe jo i futur në kafazin e kullomanisë. Idea e Bujar Kapexhiut është shumë e pranueshme, edhe ruhet historia e godinave anësore për hyrje-dalje të rindërtuara, edhe ndërtohet teatri i ri që lidh të dy faqet ekzistuese me një godinë moderne teatri tek pishina apo zdruktharia. Po u ndërtuan kullat, do të prishet pedonalja dhe qendra do të duket si xhirafa”.

 

ENVER SHËNGJERGJI, Kompozitor:

Tirana e bukur kërkon një teatër të bukur

“Kjo çështje nuk duhet të monopolizohet nga asnjë parti. Për këtë duhet të merret më shumë mendimi i komunitetit të artistëve të papolitizuar. Teatri duhet të rindërtohet, pasi tashmë është bërë si karakatinë. Por ka një problem që të gjithë ndalen, problemi i kullave. Dhe kulla, dhe teatër? Kjo nuk funksionon. Besoj se nuk ka askund në qytetet europaine pranë apo poshtë kullave një Teatër Kombëtar. Ai duhet të ndërtohet aty ku ka historinë dhe pa ndryshuar historinë. Kullat s'duhet ta mbysin më Tiranën. Koha kërkon Teatrin, të jemi gjakftohtë në këtë arsyetim, pasi koha do na gjykojë. Te toka e teatrit duhet ndërtuar vetëm teatri, ajo është pronë e artistëve. Tirana e bukur kërkon një teatër të bukur”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: