ÇËSHTJA E TEATRIT/ Artistët debat në Kuvend, Presidenti: Transparencë dhe dialog!

ÇËSHTJA E TEATRIT/ Artistët debat në Kuvend, Presidenti: Transparencë dhe dialog!
Përfaqësues të komunitetit të artistëve janë thirrur dje në një seancë në komisionin parlamentar të Kulturës, ku kanë debatuar me deputetët lidhur me çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar. Nga ana tjetër, kreu i shtetit Ilir Meta, ka lëshuar një apel publik ndaj institucioneve, që çështja në fjalë të zgjidhet me dialog dhe transparencë

Çështja e shumëdebatuar e Teatrit Kombëtar, i ka drejtuar dje artistët në selinë e Kuvendit, ku janë përballur me deputetët.

Ka qenë kryetarja e komisionit parlamentar të Kulturës, Albana Vokshi, ajo që organizoi një dëgjesë me disa artistë, që janë kundër shembjes së teatrit dhe e cilësoi një vendim të tillë si skandaloz.

“Skandali më i madh është që gjithë pjesa e sipërfaqes së tokës së teatrit, do të jepet sipas termave të përcaktuar, ndaj privatit”, tha ajo.

Kurse mes artistëve, i njohuri Robert Ndrenika, paralajmëroi se nëse qeveria nuk tërhiqet nga projektligji që parashikon shembjen e Teatrit, atëherë artistët do të uzurpojnë ambientet e godinës.

“Me keqardhje, por këtu fillon lufta, s’na dëgjon kush, s’na përfill, na përbuzin, na braktisin. Kjo është grabitje, ka 20 vjet kjo tentativë për grabitje. Ajo tokë vërtet është e shtetit, por është e komunitetit teatror, kanë lënë kockat njerëzit atje dhe të vijë një ta grabisë... Më falni për tonin, por këto fjale i kam nga shpirti”, tha Ndrenika.

Ndërkaq, nga ana e tij, presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka lëshuar dje një mesazh për situatën e nderë të krijuar kohët e fundit midis komunitetit të artistëve dhe shtetit, pikërisht për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Ai bën thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje, por edhe  apel qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës që ta zgjidhin siç duhet atë.

Konkretisht, kreu i shtetit kërkon që të dëgjohen sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare.

Kujtojmë sakaq, se Meta organizoi edhe një takim me një përfaqësi të artistëve kohë më parë dhe ka dëgjuar shqetësimet e sugjerimet e tyre për zgjidhjen e kësaj çështje të ndjeshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: