ÇËSHTJA E EMRIT/ Marrëveshja Cipras-Zaev, Maqedonia do quhet “Maqedonia e Veriut”

ÇËSHTJA E EMRIT/ Marrëveshja Cipras-Zaev, Maqedonia do quhet “Maqedonia e Veriut”
“Maqedonia e Veriut” pritet që të jetë emri i ri zyrtar i Ish-Republikës Jugosllave e Maqedonisë. Duke i dhënë fund kështu çështjes mjaft të përfolur të emrit të vendit fqinj, falë një marrëveshje, e cila pritet që të nënshkruhet në Prespë deri në fund të kësaj jave, nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ai grek, Aleksis Cipras.

Siç bëhet me dije paraprakisht, emri i ri do t’u nënshtrohet ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, por edhe në Greqi, për të marrë më pas formën e tij zyrtare përfundimtare.

Fillimisht, pas firmosjes mes dyshes Zaev-Cipras, marrëveshja do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Maqedonisë. Dhe nëse ajo finalizohet brenda javës aktuale, qeveria e kryeministrit Zaev do të duhet t’i dërgojë letër mbi 190 shteteve që e kanë njohur vendin si “Republikën e Maqedonisë”, për t’i njoftuar se emri “Maqedonia e Veriut”, tashmë do të përdoret për përdorim në marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, në fund të shtatorit ose fillim të tetorit do të organizohet referendum, ku qytetarët do të mund të deklarohen nëse e pranojnë ose jo emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Menjëherë më pas, Greqia do të heqë veton dhe do të japë pëlqimin që Maqedonia të marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe datë për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, marrëveshja në fjalë, përmban edhe këto pika: -Referenca “të mbrohen pakicat maqedonase”, hiqet nga Kushtetuta e Greqisë. Ndërsa pjesa e hemogjenitetit të harmonizohet në mënyrë analoge me kushtetutën greke.

- Periudha e tranzicionit përcaktohet me ndryshime të dokumenteve të brendshme të vendit fqinj dhe ky proces do të ndërlidhet me hapjen e negociatave paraprake me Maqedoninë e Veriut.

- Do të formohet Komision për përdorimin e termave tregtare në të dyja vendet.

-Gjuha maqedonase është pranuar, me vërejtjen se Maqedonia e Veriut pranon në marrëveshje se ajo gjuhë ka prejardhje sllave (ashtu siç është nënvizuar në kornizën e OKB-së).

- Në pjesën e nacionalitetit, termi maqedonas / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut/ do të zbatohet me notë sqaruese plotësuese se bëhet fjalë për popullatë të këtij vendi që nuk ka lidhshmëri me kulturën greke.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: