Çereku i familjeve tona mbahet nga emigrantët, secili 100 euro çdo muaj

Çereku i familjeve tona mbahet nga emigrantët, secili 100 euro çdo muaj
1.1 miliardë euro dërguan së bashku vitin e kaluar 1.15 milionë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ose nga 1 mijë euro secili

Çereku i familjeve shqiptare mbahet nga emigrantët. Nuk janë pak, por rreth 1.15 milionë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Gati sa gjysma e popullatës zyrtare që raportohet se jeton në Shqipëri. Dhe të gjithë së bashku, brenda një viti kanë dërguar plot 1.1 miliardë euro.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, i bie që secili prej tyre t’i ketë dhënë familjes në “tokën mëmë”, të paktën 1 mijë euro, ose rreth 100 euro në muaj. Shifra këto që konfirmohen në një studim të posaçëm të Bankës së Shqipërisë për remitancat dhe që flasin pikërisht për peshën ende të madhe që ato luajnë në ekonominë e vendit, sidomos atë familjare.

“Rreth 26% e familjeve në territorin e Shqipërisë, përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave”, është konstatimi zyrtar i ekspertëve. Duke përmendur më tej edhe një pohim të  Bankës  Botërore se remitancat, ose siç njihen ndryshe, dërgesat e emigrantëve përfaqësojnë rreth 13% të buxhetit vjetor të familjes në Shqipëri.

E thënë më thjesht, një familje shqiptare gati 1/10-tën e parave që i duhen për të jetuar gjatë një viti, i siguron pikërisht nga fëmijët që ka në tokë të huaj. Për më tepër sipas ekspertëve, këto pará “peshojnë” më shumë sidomos në fshat, aty ku edhe ato kanë një vlerë të veçantë për jetën më të varfër, krahasuar me qytetin.

“Remitancat e shpenzuara në zonat rurale mund të kenë një efekt më të madh se ato të shpenzuara në zonat urbane, pasi ato priren më shumë drejt konsumit të mallrave dhe shërbimeve lokale”, argumentojnë ekspertët lidhur me një dukuri të tillë.

Po përse i “prishin” familjet shqiptare paratë e emigrantëve?

“Për bukën e gojës”, do të mund të shpreheshim në gjuhën popullore, teksa shifrat tregojnë se ato shkojnë kryesisht për t’u ushqyer.

“Familjet  që  marrin remitanca shpenzojnë më shumë për konsum (mallra ushqimore, pije dhe veshje), për strehim (shpenzime për mirëmbajtje dhe mobilim banese) dhe shërbime shëndetësore”, citojnë në mënyrë zyrtare ekspertët rreth kësaj dukurie. Duke konfirmuar në këtë mënyrë, se në Shqipëri, ende nuk është kthyer në trend, që paratë e emigrantëve të shkojnë për investime apo për zhvillim. Por vetëm për të mbajtur frymën gjallë të prindërve, motrave dhe vëllezërve të tyre, që në Shqipëri jetojnë në varfëri. Madje ekstreme, nëse mund të përmendim qarqe të tilla si ai i Kukësit apo i Dibrës, për të cilët thuhet se remitancat arrijnë deri në   nivelin prej 20% të totalit të të ardhurave të familjeve. Dhe gati gjysma e familjeve të tyre, mbahet me të tilla pará.

 

Ekspertët: Vetëm 4% e tyre i dërgon paratë me banka, 40% ende “dorazi”

Që emigrantët shqiptarë, ende i dërgojnë paratë pranë familjeve të tyre “dorazi”, kjo konfirmohet edhe nga vetë Banka e Shqipërisë në mënyrë zyrtare. Madje, ajo raporton edhe një shifër mjaft të lartë të kësaj mënyre, deri në nivelin prej 40% të dërgesave gjatë një viti. “Në Shqipëri, pjesa më e madhe e remitancave transferohet në rrugë joformale. Nga  analizimi i mënyrës së dërgimit të remitancave, vlerësohet se 39% e flukseve të remitancave kanalizohen përmes kanaleve  të parregulluara, ndërsa 57%  kalojnë  përmes institucioneve financiare jobanka dhe vetëm 4% nëpërmjet  bankave”, cilësojnë ekspertët e saj. Duke shtuar se “Shqipëria  ka  përdorimin  më  të  ulët  të  bankave  për  kanalizimin  e  remitancave në krahasim me rajonin”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: