Çelen punimet e Rrugës së Arbrit, në listë edhe pesë koncesione të tjera rrugësh këtë vit

Çelen punimet e Rrugës së Arbrit, në listë edhe pesë koncesione të tjera rrugësh këtë vit
Rruga e Arbrit, e njohur si aksi kyç i verilindjes së vendit, ka çelur dje zyrtarisht punimet për ndërtimin e saj. Duke qenë kështu projekti i parë rrugor, në listën e atyre që qeveria ka parashikuar të realizohen gjatë këtij viti, përmes koncesioneve. Ndërsa pas saj, figurojnë edhe pesë projekte të tjera të kësaj natyre, të programuara gjithashtu përmes formave koncesionare, ose siç njihen ndryshe PPP, Partneritet Publik Privat. Konkretisht, në listën që ministria e Ekonomisë dhe Financave ka hartuar për buxhetin e këtij viti, ka lançuar edhe pesë akse të tjera të rëndësishme rrugore që do finalizohen me një mënyrë të tillë.

Me një vlerë totale prej 140 miliardë lekësh, ata janë përfshirë brenda programit “1 Miliard euro” dhe synojnë rindërtimin e infrastrukturës në rang vendi.

Njëri prej tyre është ndërtimi dhe operimi i aksit Tiranë-Thumanë- Vorë, i cili kap një vlerë rreth 34.3 miliardë lekë. Për t’u pasuar nga aksi tjetër Kardhiq-Delvinë, për të cilin qeveria ka vendosur në fakt që ta përballojë me fondet e saj dhe për momentin të mos kërkojë partneritet me privatin. Bëhet fjalë konkretisht për një vlerë prej 8.6 miliardë lekësh. Por me një rëndësi të veçantë vlerësohet edhe ndërtimi dhe operimi i aksit rrugor Milot-Balldren, pasi ajo konsiderohet edhe si pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë. Me një gjatësi prej 18.2 kilometrash, ajo paraqet një kosto prej 14.2 miliardë lekësh. Pa harruar këtu as edhe aksin tjetër rrugor që parashikohet të finalizohet përmes PPP-ve, ai Orikum-Himarë, me një kosto prej 17.8 miliardë lekësh.

Që të gjithë, në funksion të një rrjeti të ri rrugor në rang vendi, i cili sipas ekspertëve të qeverisë, tashmë synon të jetë në funksion edhe të atij rajonal, përveçse me interesa vendore. Në këtë këndvështrim, investimet në to, edhe pse me një vlerë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit shqiptar, po shihen me rëndësi rajonale dhe prandaj, ato synohet që të realizohen patjetër, pavarësisht kostove.

 

 

Si do të jetë Rruga e Arbrit? Distanca me Tiranën arrin vetëm në 80 minuta

“Rruga e Arbrit” kushton sot, me gjithë mirëmbajtjen e saj për 10 vjet dhe operimin e tunelit, plot 250 milionë euro. Shifra u dha dje nga kryeministri Edi Rama. “Do të ketë tunele më të gjatë dhe në standardet më rigoroze nga 2.6 në 3.2 kilometra, me gypat e standardizuar dhe ata të emergjencës. Do të plotësohet me të gjithë segmentet,  do të ndërtojmë degëzimin e Klosit dhe Maqellarë-Bllatë; do të mirëmbajë gjithë veprën dhe tunelit për 10 vjet dhe monopati i  torturës prej 118 kilometra, sot është 69 kilometra”, sqaroi ai lidhur me detajet e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore në vend. Duke shtuar se kjo rrugë do ta shkurtojë lidhjen e Klosit me Tiranën në më pak se 30 minuta dhe atë të Bulqizës në më pak se 40 minuta. Po ashtu, sipas tij, Peshkopia do të jetë shumë më afër dhe do të lidhet me Tiranën për 80 minuta. Sikundër, parashikohet që ajo të çlirojë energji të shumëfishuara zhvillimi edhe për Burrelin, që do të lidhet me Tiranën për 1 orë.

 

Afati, Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda tre viteve

Rruga e Arbrit parashikohet që të jetë gati brenda tre vitesh, nga 44 muaj që parashikohet në kontratën e lidhur për ndërtimin e saj. Ky afat u përmend gjatë ceremonisë së djeshme për çeljen e punimeve të saj. Ka qenë vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i cili e pohoi publikisht atë, duke theksuar se ndërtimi i kësaj rruge do ta shndërrojë Dibrën në qarkun më të afërt të Tiranës. “Jam i bindur se ky projekt do të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme. Jo për qëllime elektorale, por sepse është mënyra jonë e të punuarit e tillë që një projekt kur ta nisim ta çojmë deri në fund”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: