Botërori, 32 ekipe dhe tifozët që presin anembanë planetit

Publicitet
Publicitet
Botërori, 32 ekipe dhe tifozët që presin anembanë planetit
Rusia 2018/ Sot startojnë në stadiumin Luzhniki të Moskës finalet e Kupës së Botës me ndeshjen e parë, Rusi- Arabia Saudite, ora 17:00

Aranit Muraçi   

Moska mund...të surprizojë çdo ditë. Parashikimet flasin më tepër për Brazilin dhe Gjermaninë. Por janë edhe Spanja dhe Franca favorite të turneut. Megjithatë asnjë skuadër nuk ka udhëtuar për turizëm në Rusi. Finalet e Kupës së Botës po pritet me padurim nga tifozët anembanë botës. Tifozët e secilës prej tyre nuk presin zhgënjime, por në një garë si botërori, gjithçka mund të ndodhë mes 32 ekipeve pjesëmarrëse dhe sigurisht do të ketë edhe dështime edhe zhgënjime. Ja disa nga parashikimet për secilën prej 32 ekipeve pjesëmarrëse:

Rusia

Rusia kërkon të kalojë të paktën grupin. Nëse shmang Spanjën, mund të shkojë edhe më larg. Tifozët presin shumë nga Alexey Miranchuk, lojtar inteligjent. Sulmuesi Fyodor Smolov mund të ketë një shpërthim, po ashtu.

Egjipti

Kuptohet që ky ekip nuk është Liverpuli. Salah arriti me ekipin e tij turneun e rëndësishëm, por edhe pse ka entuziazëm nuk parashikohet të kalojë grupet.

Uruguai

Luan me emocionet e një kombi të tërë, teksa bizneset në  Montevideo kanë zbukuruar ambientet me ngjyrat e kombëtares. Luis Suárez e Edinson Cavani mbajnë në supe shpresat e kombit, me dëshirën për të shkuar sa më larg.

Arabia Saudite

I tëri kombi është i lumtur me pjesëmarrjen në botëror, pas USA 94. Kalimi i grupit do të ishte arritje e jashtëzakonshme.

Irani

Do të kërkojë kalimin e grupeve për herë të parë në histori. Pritet shumë nga emra si Sardar Azmoun, Alireza Jahanbakhsh, Saman Ghoddos e Masoud Shojaei.

Maroku

Sheh shanset ndaj Portugalisë dhe Iranit, pasi Spanja është në një planet tjetër. Pritet shumë nga Hakim Ziyech, talent i Ajaksit.

 Portugalia

Minimumi i parashikimeve është arritja në çerekfinale. Ronaldo mund të luajë një rol të madh, por tifozët presin shumë edhe nga Bernardo Silva.

Spanja

Brazil 2014 ishte një zhgënjim, që nuk duhet përsëritur më. Botërori 2010 ishte historia vetë dhe Spanja e ka të qartë misionin. Ka edhe potencial të përsërisë të njëjtin sukses si tetë vite më parë. David Silva, Andrés Iniesta e Isco japin garanci për Spanjën.

Australia

Zemra e mesfushës, Aaron Mooy, mund ta ndihmojë të kalojë grupet, sikurse përgatitja taktike dhe fizike e ekipit vlerësohet edhe nga tifozët.

Danimarka

“Faktori X”, Christian Eriksen, shihet nga tifozët si një forcë më shumë pë sukses. Lojtarë si Pione Sisto, Thomas Delaney e Andreas Christensen japin besim.

Franca

Tifozët mendojnë se e vetmja gjë që ndal ekipin e tyre është besimi i tepruar. Trajneri Didier Deschamps, kampion bote në vitin 1998, ka recetën e duhur. Gati të shpërthejë Olivier Giroud; problem mbetet mbrojtja, megjithatë parashikimet janë të mëdha. Griezman shihet kërcënimi.

Peruja

Rikthehet në botëror pas vitit 1982. Tifozët presin shumë. Paolo Guerrero e Jefferson Farfán mund të jetë sulmues potent të këtij ekipi.

Argjentina

Entuziazmi sa vjen dhe shtohet, edhe pse Messi me shokë nuk shihen si favoritë të turneun. Por një komb që jeton i tëri me futbollin, finalist i katër viteve më parë, dy herë kampion bote, mund të jetë edhe i paparashikueshëm.

Kroacia

Ekipi që shkroi historinë në Francë ’98, beson se mund t’ia arrijë sërish. Me Luka Modric, Ivan Rakitic, Dejan Lovren e Mario Mandzukic, gjithçka mund të ndodhë por aventura mund të ndërpritet më shpejt përballë favoritëve.

Islanda

Nëse një rezultat pozitiv ndaj Argjentinës, tifozët islandezë thonë se askush nuk mund të parashikojë se ç’mund të ndodhë në këtë botëror. Albert Gudmundsson, pika e referimit.

Nigeria

Tifozët mendojnë se do të jetë surprizë kalimi i grupit. Ekipi afrikan karakterizohet nga optimizmi dhe pesimizmi, pasi shfaq luhatje të shpeshta. Shpresohet shumë te Vilfred Ndidi.

Brazili

Rrugët e Brazilit janë mbushur me simbolet kombëtare. Shkollat dhe universitetet kanë njoftuar se do të jenë pushim kur të luajë Brazili. Botërori do të thotë shumë për tërë kombin e tyre dhe ata presin që ekipi i futbollit t’iu rikthejë krenarinë e zakonshme, pas problemeve politike që pa has ky vend, korrupsionin dhe pasiguritë ekonomike. Me Neymar, Coutinho, Firminho, Marcelo, Fernandinho e Thiago Silva, brazilianët besojnë se kanë një ekip më të mirë se në vitin 1982.

Kosta Rika

Lojtarët mbajnë në supe shpresat e një kombi të tërë. Bryan Ruiz, Joel Campbell e Oscar Duarte, nëse do të luajnë do ta bëjnë të vështirë misionin për Zvicrën dhe Serbinë. Ndaj Gjermaninë në këtë grup askush nuk sheh shanse.

Serbia

Trajneri Mladen Krstajic e di se ka një ekip me lojtarë të talentuar dhe tifozët serbë presin shumë, pas mungesës në Brazil 2014. Serbia kërkon kalimin e grupeve, por beteja do të jetë me dy ekipe: Zvicra dhe Kosta Rika. Sergej Milinkovic-Savic shihet si ndër mesfushorët më të mirë në Europë.

Zvicra

Tifozët duan që skuadra e tyre të arrijë të paktën deri në çerekfinale. Xherdan Shaqiri konsiderohet lojtari më i preferuar i tifozëve. Të rinj si Manuel Akanji, Steven Zuber e Breel Embolo premtojnë shumë në ecurinë e Zvicrës gjatë këtij botërori.

Gjermania

Tifozët mendojnë se nëse do të luajë me potencialin që ka, Gjermania do të shpallet sërish kampione e Botës. Franca dhe Spanja kanë më shumë talentë, por përballë Gjermanisë të dy këto ekipe e kanë të vështirë fitoren. Leon Goretzka, Timo Verner, Joshua Kimmich e Niklas Sule kërkojnë të shfrytëzojnë shansin e të shkëlqejnë.

Meksika

Shqetësimi kryesor i Meksikës është trajneri. Tifozët janë optimistë por i druhen vendimeve të trajnerit, i kritikuar para botërorit. Meksika shpreson shumë te lojtari i PSV-së, Hirving Lozano. Suedia

Tifozët mendonin se nuk do të kualifikohej para ekipeve si Holanda dhe Italia, që mbetën jashtë prej saj. Tani Suedia kërkon të kalojë edhe fazën e grupeve, bashkë me Gjermaninë.

Koreja e Jugut

Tifozët e saj janë shumë optimistë. Por ka presion mbi ekipin dhe grupi është i vështirë, po aq sa edhe kalimi për më tej.

Belgjika

Ende nuk e kemi parë gjeneratën e artë të këtij ekipi, për të cilën po flitet shumë. Parashikohet që të shkojë deri në çerekfinale. Pasi për më tej do të jetë e vështirë të kalojë ekipe si Gjermania e Brazili. Suksesi do të varet edhe nga Eden Hazard.

Anglia  

Gjithçka varet nga trajneri Gareth Southgate. Pas shumë zhgënjimesh, Anglia për të arritur të paktën në gjysmëfinale, duke qenë se ka lojtarë që garantojnë një sukses të tillë, do të ndikohet nga vendimet e trajnerit. Lojtari që pritet të shkëlqejë: Marcus Rashford.

Panamaja

Kualifikohet për herë të parë. Pjesëmarrja është sukses. Disiplina do të jetë sfida e tyre e vetme. Panamaja pret shumë nga lideri dhe kapiteni Roman Torres.

Tunizia

Vendi që kualifikohet në botëror që pas 2006. Pas një zhgënjimi 12-vjeçar, kalimi i fazës së grupeve do të ishte historik për Marokun. Mesfushori Naim Sliti, mbetet për t’u parë.

Kolumbia

Kujtohet ende Carlos Valderrama. Pas suksesit në botërorin 2014, kolumbianët janë edhe më të etur të shkojnë më larg se çerekfinalet. Ekipi i janë shtuar lojtarë të talentuar si Yerry Mina, Davinson Sánchez, José Izquierdo e Mateus Uribe, kurse nga James Rodríguez pritet shumë.

Japonia

Në botërorin 1998 kualifikohet për herë të parë. Mediat japoneze parashikojnë një rezultat pozitiv edhe ndaj Kolumbisë më 19 qershor. Solidariteti i ekipit mund ta çojë përtej grupeve. Për t’u parë, Takashi Usami, mesfushori lider i Japonisë.

Polonia

Dështoi në Euro 2012, edhe pse ishte vend organizator, por kaloi fazën e grupeve në Euro 2016. Vështira të parashikohet, por mund të mjaftohet me kalimin e grupeve. Robert Levandovski ka shansin e vetëm në një botëror.

Senegali

Në 2002, Senegal shtoi shpresat e Afrikës duke shkuar në çerekfinale. Për shkak të një vendimit të gabuar të gjyqtarit, skuadra afrikane mund të kishte avancuar më tepër. Senegali rikthehet në këtë botëror me synimin, për të avancuar më tepër se në 2002. Sadio Mane.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: