Botërori 2026: Në SHBA, Kanada e Meksikë. Anglia injoron Putinin

Publicitet
Publicitet
Botërori 2026: Në SHBA, Kanada e Meksikë. Anglia injoron Putinin
FIFA vendosi në Moskë për finalet e 2026-ës, që do të mbahen në tre shtete njëkohësisht dhe për herë të parë do të kualifikohen 48 ekipe.

Aranit Muraçi

Ishte vendosur më herët për Katarin, vendi organizator i finaleve të Kupës së Botës, 2022. FIFA publikoi dje vendimin për finalet e Kupës së Botës 2026, që do të mbahen për herë të parë si asnjëherë tjetër në histori, në tre shtete njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, vende që formojnë gati të gjithë kontinentin e Amerikës Veriore. Të tre këto vende fituan ndaj kandidaturës së Marokut, me një diferencë prej 69 votash për të fituar të drejtën e organizimit të turneut. Botërori 2026 do të zgjerohet për herë të parë me 48 ekipe pjesëmarrëse nga 32 ekipe që janë aktualisht në garë. Tre shtetet e Amerikës Veriore morën 134 vota nga 65 që mori ajo e Marokut.

Oferta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u vlerësua nga një grup pune i FIFA-s që thanë se ishte shumë më superior ndaj rivalëve të saj afrikano-veriorë për arsye teknike, me gjithsej 23 stadiume, tashmë të ndërtuara ose në ndërtim e sipër. Maroku, ndërkohë që joshi disa federata me angazhimin e tij, do të duhej të ndërtonte ose rinovonte të 14 stadiumet. Oferta e Amerikës së Veriut premton të gjenerojë një fitim mbi 12 miliardë dollarë për FIFA-n, në krahasim me 5.7 miliardë që kishte parashikuar Maroku. SHBA (1994) dhe Meksika (1970, 1986) kanë pritur këtë aktivitet më herët, ndërsa Kanadaja do të përfshihet për herë të parë në emocionet që dhuron Kupa e Botës. Kreu i FIFA-s, Infantino, shfrytëzoi mundësinë për të thënë se peizazhi i FIFA-s ka ndryshuar në mënyrë drastike që kur ai pasoi Sepp Blatter. “Ishte klinikisht e vdekur kur e mora dy vjet më parë,” tha ai. “Tani është bërë e gjallë. Nuk ka më shpenzime shtesë në bilanc.” Tetë vjet më parë, kur Rusia u nderua me organizimin e Kupës së Botës 2018 në Zyrih, Putini falënderoi audiencën “nga thellësia e zemrës” për vendimin. Dje Infantino e Putin shkëmbyen mesazhe falënderimi e vlerësimi për botërorin, ndërsa presidenti rus e mbylli fjalën e tij në anglisht, “Mirë se erdhët në Rusi”.

Anglia injoron Putin

Kur Vladimir Putin u fut në sallën ku FIFA mori vendimin për organizimin e Kupës së Botës 2026, të gjithë u ngritën në këmbë për të përshëndetur ardhjen e presidentit rus, me përjashtim të  delegacionit të Federatës Angleze, i udhëhequr nga shefi ekzekutiv, Martin Glenn.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: