BOTË E VOGËL GAZETARËSH – OPINION NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
Publicitet
BOTË E VOGËL GAZETARËSH – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mund ta kisha bërë titullin bota e vogël “e gazetarëve”, por nuk do të ishte krejt e saktë. Është ngushtuar bota e gazetarëve, por jo vetëm për faj të të tjerëve; në radhë të parë, për faj të vetë gazetarëve. Këta vetë e kanë ngushtuar botën e tyre, prandaj është më korrekt të thuhet “botë e vogël gazetarësh”, se sa .... e vogël e gazetarëve. Gazetarët po bëhen vetë shkak që të mos ketë më të vërtetë të besueshme dhe kjo është asfiksia e botës së tyre.

Nuk ka rëndësi ku ndodh fenomeni i mosbesimit, në një vend të vogël si Shqipëria ose në një pjesë tjetër të botës së “madhe”. Gazetarët po përdoren dhe po vetëpërdorën për të shkatërruar të vërtetën.

... Tani kemi në fushë tre gazetarë: Dy prej tyre të përdorur me vullnet prej makinës kriminale të politikës dhe një tjetër, i goditur prej politikës në vendin e tij të gabuar.

I treti është kryeredaktori i gazetës RD-së në Tiranë, gazeta e parë opozitare kundër diktaturës komuniste. Ky u godit nga dhuna në një protestë politike që dizajnoi Partia Demokratike (në opozitë), kundër qeverisë - me kërkesë për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Teksa gazetari ndodhej në mes të turmave protestuese, u godit keq dhe u mbyt në gjak, aq sa mund të kishte vdekur në vend...

Ndërsa, dy gazetarët e tjerë janë si dy siamezë: Njëri - shqiptar në Tiranë dhe tjetri - Rus në Kiev të Ukrainës. Të dy u vunë në shërbim të makinës së rëndë të shtetit, madje në pikën më “të turpshme” që quhet “spiunllëk”. Të dy jetojnë dhe deri tani nuk kanë asnjë rrezik për jetën, por të dy “nuk jetojnë më” profesionalisht. Nuk jeton motivi i jetës së tyre, për të mbledhur dhe përhapur të vërtetën. Në Shqipëri, një gazetar i ri, Jetmir Olldashi, kreu përgjime mes mafies së drogës dhe u keqpërdor në dy anët: Sa nga mafia aq edhe nga politika... Ndërsa i dyti është gazetari rus, Arkady Babckenko, 41 vjeç, reporter disident përballë Putinit të Rusisë dhe i strehuar në Kiev të Ukrainës.

Zotin Babchenko e shpalli shteti të vrarë në 29 maj, madje publikoi edhe një fotografi të Babchenkos shtrirë përtokë dhe mbytur në gjak. Shteti vuri edhe lajmërimet e vdekjes në shtyllat e rrugës..., komuniteti i gazetarëve vendosi edhe tufa lulesh e qirinj në vendin ku u tha se u vra gazetari Arkady. Gruaja e tij “qante” me dënesë për burrin e vrarë. Të gjitha i pranoi vetë gazetari... Brenda 24 orësh, gazetari “i vdekur” u shfaq në një konferencë për mediat, i renditur mes shefit të lartë të ushtrisë dhe shefit të shërbimit sekret shtetëror. Pas pak bëri edhe një fotografi me presidentin e Ukrainës, Petroshenkon. Të gjithë u shfaqen triumfalë - duke shkaktuar tërmet në botën e informacionit dhe të njerëzisë normale se si një gazetar, pasi është vrarë e varrosur (me vullnet), shfaqet i gjallë në gjirin e mekanizmit të dhunës shtetërore.

Kjo ishte. Thuajse njësoj si në Tiranë ku një gazetar i panjohur, por që thonë se ishte militant i nxehtë i njërës parti (PD), kishte spiunuar bisedën e dy trafikantëve të drogës, dhe përgjimin e solli triumfalisht në Partinë Demokratike, duke bërë edhe një foto mes liderëve të PD-së. Që atë moment, gazetari mund të shpallet “i pa jetë” në kuptimin profesional; edhe pse jeton shëndosh e mirë.

Të dy gazetarët, njësoj, shkaktuan jo akte profesionale informacioni, por provokime shtetërore. Në Tiranë, mbi bazën e videos së përgjimit të gazetarit, u ngrit një stuhi proteste opozitare, që sipas vetë opozitës “gati dogji institucionet e shtetit”. Ndërsa në Rusi, menjëherë pasi Ukraina ka vrarë gazetarin rus, Kremlini ka ngritur alarmin e “provokacionit shtetëror” me vrasjen e gazetarit. Një provokim pas krizës së aneksimit të Krimesë, e shkaktuar nga një gazetar, nuk i përket botës së informacionit dhe gazetarisë.

Në Tiranë dhe në Kiev, njësoj, gazetrët pranuan të përdoren nga shteti për të fshehur dobësitë e veta para njeriut. Në Kiev shteti deklaroi se “e vramë Arkady” me qëllim që ta fshehim nga një i paguar prej Rusisë për ta vrarë. Shumë e rëndë për shtetin. Të gjithë qytetarët që rrezikohen nga vrasjet, sipas këtij njoftimi, duhet të “vriten” për t’u shpëtuar nga shteti. A nuk i ka mbetur rrugë tjetër shtetit për të mbrojtur jetën e shtetasve të tij, që është detyra themelore e tij? Në instalimin e këtij lloji shteti makabër, ndihmoi gazetari. Edhe në Tiranë, gazetari Olldashi fshehu paaftësinë e partisë opozitare për të bërë opozitë të hapur dhe instaloi standardin e “gazetarit spiun” si “ndihmës i partisë. Christophe Deloire i “Gazetarëve pa kufi”në Paris, e përshkroi këtë si “marifet patetik”.

Të dy gazetarët, sipas “Gazetarëve pa kufi” vendosën standardin e ulët të “profilit të falsitetit”. Një editorial i të përditshmes ruse, Videmosti, argumentoi se operacioni Babchenko “njollosi kufirin mes të vërtetës dhe imagjinatës”, dhe do të na çojë drejt mosbesimit ndaj medias.

Të gjithë ata që komentuan aktin, kudo në botë, thanë se pas kësaj nuk mund të besohet më, jo vetëm media, por as shteti nuk mund të besohet. Si mund të besohen më deklaratat e shtetit të Ukrainës, pasi deklaroi se “gazetari është vrarë dhe varrosur” ndërsa e mbante në zyrat e veta të gjallë. Si mund të besohet më deklarata e Partisë Demokratike në Shqipëri, edhe po të vijë në pushtet, pasi ngriti një stuhi të tërë në vend të bazuar mbi përgjimin e blerë të një gazetari?...

“Vdekja” e gazetarit mund të shkaktojë vdekjen e vetë besimit te shteti...

Ndërsa gazetari i tretë, Blendi Kasmi, kryeredaktor i gazetës RD e Partisë Demokratike, mund të quhet viktimë edhe e dy gazetarëve të parë. Të dy të parët krijuan turbullirën e raportit të individit me të vërtetën dhe të vërtetës me shtetin... Në protestën e ngritur në Tiranë, pas përgjimit politik të gazetarit, gazetari Kasmi u qëllua gati për vdekje. Tani makina e shtetit nuk pranon se është autore, por kjo nuk besohet. Edhe makina e Partisë Demokratike deklaron se “nuk e kanë qëlluar protestuesit” nga brenda, por edhe kjo deklaratëështë e pabesueshme...

Gazetarët ia bënë “varrin” vetes dhe informacionit publik. Kaq e vogël është kjo botë e tyre tani e pas kësaj.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: