Bien interesat e depozitave, rriten ato të kursimeve që ofron shteti

Bien interesat e depozitave, rriten ato të kursimeve që ofron shteti
Të kursesh në format e investimit që të ofron shteti, vazhdon të mbetet ende një alternativë e mirë për qytetarët. Kjo falë normave të interesit që ato ofrojnë, të cilat ndryshe nga trendi rënës i atyre të depozitave nëpër banka, gjatë këtij viti kanë pësuar një rritje të tyre.

Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit që ofron ministria e Financave, sipas të cilave bonot e thesarit dhe obligacionet që qeveria ofron për blerje ndaj qytetarëve kanë patur në muajt e parë të vitit norma më të larta interesi.

Konkretisht, rritja më e madhe u shfaq tek obligacionet, sidomos ato me afat maturimi 3-vjeçar, ku norma e interesit ishte 1.05% më e lartë se ato të shënuara në fund të vitit 2017.

Ndërsa për obligacionin 2-vjeçar, norma e interesit u rrit me një nivel prej 0.33% në tremujorin e parë të 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër, me një nivel prej +0.5% u rritën edhe normat e interesat për bonot e thesarit me afat maturimi 7-vjeçar.

Që të gjitha këto, shifra që tregojnë se qytetarët mund ta konsiderojnë ende si një investim me leverdi dhënien e parave të tyre borxh ndaj qeverisë, në formën e bonove të thesarit apo obligacioneve.

Ku këto të fundit janë me një afat më të gjatë kohor, deri në 2-3 vjet, ndërsa bonot janë me afate më të shkurtra.

Dhe pikërisht, këtu ndahet edhe forma që zgjedhin qytetarët, për t’i dhënë borxh qeverisë paratë e tyre, në një kohë më të zgjatur apo më të shkurtër.

Të mos harrojmë sakaq, se vetëm para pak kohësh, Banka e Shqipërisë informoi mbi uljen e radhës së normës bazë të interesit për monedhën vendase, duke e zbritur sërish atë me një nivel rënës prej -0.25%. Gjë e cila pritet të ndikojë edhe në uljen e radhës së normave të interesit të depozitave e kësisoj, edhe zgjedhjen e tyre si një formë investimi prej qytetarëve.

 

 

Qeveria po shton kërkesën për borxh, ndaj i rrit dhe interesat

Qeveria duket se po e shton me kalimin e kohës kërkesën e saj për të marrë pará borxh nga qytetarët. Dhe mesa duket, pikërisht për një arsye të tillë, ajo po rrit edhe normat e interesit për bonot e thesarit dhe obligacionet.

Kështu, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Financave, ndërsa gjatë tre muajve të parë të këtij viti, qeveria kishte planifikuar ta financonte deficitin buxhetor me 2.5 miliardë lekë nga burime e brendshme, ajo mori me shumë se 6.6 miliardë lekë, borxh nga qytetarët përmes bonove të thesarit dhe obligacioneve.

E në këtë mënyrë, ajo e rriti deri në nivelin prej 160% të financimit nga borxhi i brendshëm në raport me planifikimin.

Nga ana tjetër, po sipas këtij dikasteri, rezulton se shpenzimet e qeverisë për interesat e borxhit u rritën me nivelin prej 10% në krahasim me fundvitin e kaluar, ose në shifra, ato ishin mbi 10 miliardë lekë.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: