Aziz Nesin, si u detyrua Dritëroi ta gënjente shkrimtarin e madh turk kur erdhi në Shqipëri

Publicitet
Aziz Nesin, si u detyrua Dritëroi ta gënjente shkrimtarin e madh turk kur erdhi në Shqipëri
HISTORI/ Jeta e rrallë e njeriut të njohur të letrave turke! Ai që, përveç gëzimit të të shkruarit, për shkak të bindjeve politike, shijoi njëra pas tjetrës “dhuratat” e hidhura të pushtetit si përndjekjet, internimet, deri edhe burgimet e ashpra

Një shkrimtar jo vetëm me një talent të rrallë, por edhe me një jetë po të tillë. Aziz Nesini, me famën e tij i kapërceu kufijtë e Turqisë, duke u bërë një simbol i letrave në gjithë botën. Sidomos i atyre që mbartin kritika të ashpra dhe therëse ndaj sistemit politik shoqëror, për t’u bërë më pas edhe shkak përndjekjesh, gjatë pjesës më të madhe të jetës, siç ka ndodhur edhe me jo pak shkrimtarë në vendin tonë. Në veprat e tij kritikon qëndrimet e gabuara, burokracinë, oportunizmin, padrejtësitë dhe probleme të tjera shoqërore. E pikërisht për këto ai pati një jetë jo fort të lehtë. Ai është mjaft i njohur edhe për Shqipërinë, përmes botimeve të shumta. Ndërsa shumë vite më parë, ai edhe e ka vizituar atë, i pritur nga vetë i madhi Dritëro Agolli, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në atë kohë, i cili ka rrëfyer edhe një incident lidhur me këtë vizitë të tij...

 

Nga Vasil Premçi*

Kush është Aziz Nesini?

Ai u lind më 2 janar të vitit 1916 në Hejbeliada, në një ishull në detin Marmara afër Stambollit. Bir i një imami dhe një shtëpiakeje, Nesini u diplomua në shkolla dhe akademi ushtarake. Gjatë karrierës së tij në forcat e armatosura, shërbeu në qytete të ndryshme në Anadoll. (Duke ndërmendur karrierën ushtarake të shkrimtarëve të tjerë të famshëm, si Tolstoji e Lermontovi dhe braktisjen e saj prej tyre, padashur na vjen të pyesim: Edhe Aziz Nesini paska qenë ushtarak?!). Në vitin 1944, ai dënohet me dhjetë muaj burg, për shkelje të disiplinës ushtarake dhe pas kësaj ngjarje jep dorëheqjen nga forcat e armatosura. Pasi kthehet në Stamboll, fillon të merret me mbarëvajtjen e një dyqani ushqimor, por edhe të bashkëpunojë me gazetat Karagëz dhe Jedigyn. Pas kësaj përvoje, Aziz Nesini zbuloi gëzimin e të shkruarit, veçanërisht në fushën e humorit. Gjithashtu, ai nisi të botojë reportazhe, skica, fejtone dhe tregime në revista dhe gazeta të ndryshme. Në vitin 1946 filloi botimin e revistës humoristike “Marko-pasha”. Veprat e tij paraqesin me mjeshtëri tipa të ndryshëm të shoqërisë turke. Nëpërmjet botimeve të shumta, fama e emrit të tij i kapërceu shumë shpejt kufijtë e Turqisë. Për shkak të bindjeve politike, Nesini do të shijonte njëra pas tjetrës “dhuratat” e hidhura të shtetarëve të asaj kohe, si përndjekjet, internimet dhe burgimet. Në vitin 1947, ai burgoset për një shkrim ende të pabotuar “Ku po shkojmë?” në të cilin kritikonte Amerikën për ndihmën që po i jepte Turqisë së asaj kohe. Bëri tre muaj e dhjetë ditë paraburgim dhe dymbëdhjetë muaj burg. Në vitin 1948, nxori librin “Azizname”. Duke qenë se ky libër përcillte tek lexuesi kritika të forta ndaj shtetit turk, u gjykua sërish, kur ndërkohë ishte i pandehur për katër muaj, por që pas vendimit të gjykatës u la i lirë. Në vitin 1949, denoncohet zyrtarisht nga Princesha e Anglisë, Elizabet, Mbreti i Iranit, Reza Pehlavi dhe ai i Egjiptit, Faruk, për shkak të shkrimeve të tij ndaj tyre. Nga ky “zemërim mbarëmbretëror”, në mund të shprehemi kështu, pra në shkallë ndërkombëtare, Nesini dënohet sërish, por me 6 muaj burg. Kritikat e ashpra dhe therëse ndaj sistemit politik shoqëror turk të kohës, që përshkojnë veprat e tij letrare, bëhen edhe shkaku i përndjekjeve gjatë pjesës më të madhe të jetës. Për këtë arsye, u detyrua të botonte me emra të ndryshëm. Aziz Nesini shkroi satira me tema dhe tipa të spikatur, të cilët i ndesh kudo në shoqërinë njerëzore. Ai përshkruan situata qesharake që lindin prej tyre, anët e kundërta të ngjarjeve që përjetonin çdo ditë shtresat e ndryshme të shoqërisë. Në veprat e tij kritikon qëndrimet e gabuara, burokracinë, oportunizmin, padrejtësitë dhe probleme të tjera shoqërore. Me krijimtarinë e tij të begatë, Aziz Nesini krijoi stilin e tij të veçantë, aq sa, sapo nis të lexosh një shkrim të tij e dallon fare lehtë “miellin e thesit të tij”. Por, edhe nëse të qëllon të lexosh shkrimin e një autori tjetër, të ngjashëm me atë të Aziz Nesinit, nëse shprehesh se ai është shkruar “alla Aziz Nesinçe”, i ke thënë të gjitha, madje në mënyrën më kuptimplote. Karakteristikë e tregimeve dhe gjinive të tjera të Aziz Nesinit është gjetja e një fundi të papritur. Ky tipar i veçantë artistik të kujton një shkrimtar tjetër të famshëm, amerikanin O’Henrin (Uiliam Sidni Poter), por si një lule e rritur në një kontinent tjetër, me veçoritë përkatëse. Jeta e burgut, letërsia dhe fundi i papritur i numrit më të madh të tregimeve të tyre, janë dhe dy prej karakteristikave të përbashkëta. Ndoshta sepse pasuria e tyre e vetme në qelitë e burgut, ishin ëndërrimet, që fati t’u dhuronte një fund të lumtur pas atij realiteti të hidhur. Një dukuri e tillë do të nxiste e seliste tek ata edhe stilin e një “fundi të lumtur”, si të vetmin shpërblim për lundërthyesit e ndëshkuar hap pas hapi në vitet e rinisë, sepse vetëm nëpërmjet letërsisë mund t’i shpërblenin heronjtë e tregimeve të tyre (alter-egot) me lëndën shpirtërore që u kishte munguar aq shumë në jetë...

Me kalimin e viteve, krijimtaria e Aziz Nesinit u bë më e freskët dhe më e shëndetshme, përsa i përket tematikës, zhdërvjelltësisë dhe mënyrës së të shkruarit, për të cilat ai do të vlerësohej brenda dhe jashtë vendit. Tregime, si “Njerëzit po zgjohen” shënojnë për autorin një cak të lartë zhvillimi e pjekurie. Në qendër të këtij tregimi vihet një copëz nga jeta e autorit, që pasi del prej njërit prej burgimeve të shpeshta, internohet në një vend të largët dhe të shkretë. Qeveria “kujdeset” ashtu siç dinë “të kujdesen” për kundërshtarët e tyre të gjitha qeveritë në botë, duke e vlerësuar si një njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për këtë arsye, i vënë atij nga pas një numër policësh, që e ruajnë “si sytë e ballit”, këtë njeri të papunë që detyrohet të marrë borxh për të mbajtur frymën gjallë. Befas, në zonën ku ishte syrgjynosur heroi i tregimit dërgohet edhe një duzinë tjetër policësh për të survejuar policët e parë të cilët i ndjek nga pas dyshim dhe rreziku i “korrupsionit” nga shkrimtari popullor Azis Nesini, por që tashmë është një armik i rrezikshëm i qeverisë turke. Si pasojë e këtij popullimi të detyruar, tani zona nuk është më e shkretë, madje nisin të pastrohen edhe rrugët nga mbeturinat. Pikërisht në këto rrethana, heroi ynë i papunë, i mbytur në borxhe dhe pa asnjë lek në xhep, vendos të largohet pranë një qyteti ku jetonte një shok i tij, me të cilin do të mund të ndante përgjysmë shpenzimet e dhomës së fjetjes. Por, ideja e heroit të tregimit bie në vesh të pronarëve të lokaleve të shërbimeve, të cilët të pushtuar nga “paniku” mbërrijnë papritur në derën e shtëpisë së tij, të ngarkuar me kafe, sheqer e ushqime të tjera. Ata i luten të mos largohet, ndryshe qyteti i tyre do të shkretohej sërish, sepse do të largoheshin edhe policët me familjet e tyre, që dashur pa dashur i dhanë jetë atij vendi. Për heroin e tregimit, kërkesa e pronarëve të lokalit ishte dhurata më e bukur që i ishte bërë ndonjëherë në jetë. Tashmë, njerëzit po zgjoheshin sepse e kishin kuptuar rolin dhe peshën e njerëzve që punonin për të mirën e popullit. Sigurisht, një përfundim kaq intrigues dhe i papritur për rrjedhën e ngjarjeve, fatin e heroit dhe fundin e tregimit, mund ta peshkojë në oqeanin e letërsisë vetëm “grepi” i artë i Aziz Nesinit. Të gjitha tregimet e këtij shkrimtari fshehin midis rreshtave nëntekste të forta. Stili i tij është një kombinim i guximit krijues dhe i kritikës së papajtueshme ndaj veseve dhe dobësive të shoqërisë. Nesini ishte një mjeshtër i fjalës dhe i gjuhës së folur që e ndihmoi atë për të fituar një popullaritet nëpërmjet një letërsie të ndërtuar mbi dukuritë e shoqërisë turke që kërkon të divorcohet nga trashëgimia e veseve konservatore dhe të prapambetura. Aziz Nesini shkroi një numër të madh novelash e romanësh, por emri i tij do të bëhej i njohur nëpërmjet tregimeve të shkurtra, plot nerv e dinamizëm. Me të vërtetë është një aftësi e rrallë dhe një tipar i spikatur Çehovian ndërtimi i tregimit me detaje të imta, në dukje të parëndësishme, por që në rrethana, të cilat mund t’i shohë dhe t’i pasqyrojë emocionalisht vetëm një penë e hollë mjeshtërore, ato marrin në tregim një zhvillim, peshë dhe rëndësi të veçantë, njësoj si ai topi i dëborës që shndërrohet në një ortek të fuqishëm gjatë rrugëtimit të vet.

Krijimtaria që dinamizmi letërsinë turke

Krijimtaria e Aziz Nesinit në letërsinë turke të fund shekullit XX shënoi një risi dhe e dinamizoi atë. Nëse do të ndaleshim sadopak tek veçoritë e krijimtarisë së Aziz Nesinit, vërejmë se ajo përshkohet nga një larmi e pasur linjash, në të cilën mbizotërojnë komikja dhe tragjikja, si kategori estetike, gati të skajshme dhe që përplasen me njëra-tjetrën, ashtu sikundër ngjet në jetë, duke shkaktuar herë trishtim e lot dhe herë të tjera të qeshura gazmore. Edhe në ndonjë fushë tjetër të rëndësishme të artit, bie fjala, në pikturë, e vërejmë kombinimin dhe shkrirjen mjeshtërore të ngjyrave bazë, të së kuqes, të verdhës, jeshiles dhe të zezës, nëpërmjet të cilës janë krijuar tablo të jashtëzakonshme. Ndoshta edhe këtu duhet kërkuar sekreti i suksesit të tregimeve të Nesinit… Por, në këtë pikë, ne jemi krejt të pafuqishëm, sepse një sekret i tillë, jo vetëm nuk gjendet si një madem i rrallë në thellësitë e tokës, ca më pak në vitrinat e ndonjë dyqani valute, por as nuk mund të tregohet me fjalë. Ai vetëm mund të shijohet gjatë leximit të tregimeve të Nesinit. Kjo mënyrë të shkruari, që, për hir të së vërtetës, nuk është shpikur nga Nesini, por është përdorur edhe më parë nga shkrimtarë të tjerë të famshëm, si Mopasani në Francë, Anton Çehovi në Rusi dhe O’Henri në Amerikë, u shndërrua në një karakteristikë dhe stil i veçantë nga ai. Duke u njohur me teknikën e një fundi befasues, një lloj teknike e ndërtimit, si shkrepje rrufeje, njëfarë “blickrigu” (luftë rrufe), krijimtaria e Nesinit mund të rrezikohej nga krijimi i një skeme apo i njëfarë monotonie që mund të shpinte në zotërimin lehtësisht edhe të çelësit të saj prej lexuesit. Por, gjatë leximit të tregimeve të tij, nuk ndodh aspak kështu, duke dëshmuar triumfin e autorit, që e shpie lexuesin në shtigje të reja të një realiteti të larmishëm dhe të pafund. Ndër veprat më të shquara të Nesinit, mund të përmendim:  “Hapni rrugën! Po vjen socializmi!”, “Përrallat e Nastradin Hoxhës”, “Istanbul Boy”, “Bulgaristan”, “Histori turke të katër shekujve”, etj.

 

CILËSITË

Armiku numër 1 i veseve njerëzore

Duke qenë armiku numër një i veseve njerëzore, i ligësisë, keqdashjes, koprracisë, shtirjes, gjoja të një njeriu human e fisnik, apo përparimtar e modern, etj. Është vendi të sjellim në vëmendjen e lexuesit, krahasimin e goditur që shkrimtari P. Risto pati bërë dikur në parathënien e shkurtër mbi krijimtarinë në llojin e analizës kritike të një shkrimtari, duke e krahasuar atë me punën e dobishme të një qukapiku durimtar, që me “çukitjet” e tij, pastron “drurët e pyllit” nga vemjet dhe krimbat, figurë që do t’i shkonte për shtat mrekullisht krijimtarisë së begatë të shkrimtarit Aziz Nesin në mbrojtjen e vlerave të shoqërisë njerëzore. Aziz Nesini shkroi mbi njëqind vepra letrare, tregime, romane, satira, pjesë teatrore, etj. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës, Ndër to mund të përmendim tregimet: “Ajo që mbeti pas”, “Arrestimi i Fil Hamdiu” (vlerësuar me çmim), “Kolltuku”, “Ceremoina e kazanit” (vlerësuar me çmim), “Njerëzit po zgjohen” (vlerësuar me çmim), “Përbindëshi i Babialit”. Ndërsa nga romanet, mund të përmendim: “Jashari edhe jeton edhe s’jeton”, “Burri-grua”, etj. Ka shkruar këto poezi: “Nga fillimi në fund”, “Mirëmbetshi”, “Dhimbja e Sivas-it”, etj. Ndonëse në tërësinë e saj krijimtaria e tij është e plotë dhe e realizuar, duke qenë e shumtë dhe e larmishme, disa prej tregimeve të tij nuk kanë mundur t’u shpëtojnë paraqitjes skematike në rastin kur nuk i kalojnë kufijtë e një skice apo një pamfleti, në rreshtat e të cilëve shpërthen vetëm sarkazma dhe ironia e autorit. Mungesa e një subjekti apo lënia e tyre “në shpërgënj” ende të pazhvilluar me elementët e tregimit, ka bërë që ato të mos arrijnë nivelet e krijimtarisë së tij më të mirë. Si të tillë, do të veçonim tregimet “Liria”, “Mos fol!”, “Kafeja dhe demokracia”, “Kudo që të jesh”, “Mirësevjen plehraxhi!”. Ndërsa tregimet “Gruaja nëpunëse” dhe “Pjesët e këmbimit të qytetërimit”, -ndonëse janë të realizuar artistikisht, i përcjellin lexuesit mesazhe konservatore që bien ndesh me kohën dhe trendin e zhvillimeve të shoqërisë moderne.

 

 

Lidhjet e tij me Shqipërinë

Vizita e rrallë në Tiranë edhe takimi me Agollin e Kadarenë

Falë përkthimeve me nivel të lartë artistik në shqip, Aziz Nesin u bë shumë shpejt i njohur edhe në vendin tonë. Për humorin fin që i përcjellin lexuesit, po risjellim më poshtë kujtimet e poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar Dritëro Agolli për rreth tij. Disa orë para mbërritjes së tij në Shqipëri, kur do vinte me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë së asaj kohe, u mësua se shkrimtari turk kishte në vendin tonë një shok të vjetër, të cilin mund të donte ta takonte. Problemi qëndronte se shoku i tij 80-vjeçar, turkologu dhe njeriu fisnik, Myqerem Janina në ato vite ishte dënuar për agjitacion e propagandë. Dritëroi dhe shkrimtari i fushës së humorit, Niko Nikolla, për çdo të papritur, nisën të hartonin disa variante për kapërcimin e situatës së pritshme. Një variant ishte që të sajonin, sikur miku i vjetër i Nesin, kishte vite që dergjej në varreza, ndaj propozuan të vendosnin, ashtu thjesht e natyrshëm në njërin prej varreve një pllakë mermeri me emrin e tij.

-Po sikur të kërkojë t’i bëjë një vizitë familjes së tij?, pyesnin papritur njëri-tjetrin dy mikpritësit.

-Atëherë do t’i themi se, miku juaj i vjetër vuan nga një sëmundje e keqe dhe mbahet izoluar në spitalin e Vlorës, - përgjigjej tjetri.

-Po sikur Nesini të thotë: “Po mirë, kur qenka puna kështu, më çoni deri tek dhoma e tij në spital sa ta përshëndes me dorë nga xhamat e dritareve”, çfarë t’i themi ne atëherë?

Dhe për fat të keq ndodhi varianti më i padëshiruar. Të nesërmen, me të zbritur nga avioni, Aziz Nesini shprehu dëshirën t’i bënte një vizitë mikut të tij të vjetër. Këtu filloi odiseja e gënjeshtrave nga mikpritësit shqiptarë, që këmbëngulnin si mushka se, miku i Azizit vuante nga një sëmundje e keqe, ndaj rronte i izoluar dhe nuk mund të takohej. Këmbënguljen e tyre, shkrimtari turk diti ta deshifronte në pak minuta, se pas saj fshihej diçka tjetër, e cila nuk ishte në dorën e mikpritësve, ndaj heshti dhe nuk e rrëmoi më këtë punë...

*Shkrimtar

Shpërndajeni me miqtë tuaj: