Ataku kardiak, kolesteroli dhe hipertensioni, shkak për sëmundjen

Publicitet
Publicitet
Ataku kardiak, kolesteroli dhe hipertensioni, shkak për sëmundjen
Shtrëngime të dhimbshme në qendër të gjoksit, të cilat zgjasin disa minuta, edhe pse mund të shfaqen dhe zhduken herë pas here. Dhimbje të forta të kraharorit të cilat përhapen dhe përgjatë krahëve, shpatullave dhe duarve, në qafë, në stomak, ndjesi të ftohti, pengim frymëmarrjeje; shenja këto që shoqërohen me ndjesi të fikëti,  janë simptomat kryesore të atakut kardiak

Sonila Isaku

Shumë shpesh, ataku kardiak që realizon ndalimin e zemrës, sidomos kur shfaqen simptomat e para dhe pacienti nuk i drejtohet spitalit qysh në çastin kur ndjen shqetësimet e para, të cilat vazhdojnë për më tepër se dhjetë minuta,  por është e vërtetë se, ataku i zemrës nuk është përherë i paparashikueshëm. Përkundrazi, më shpesh fillon me një intensitet të moderuar të lokalizuar në qendër të kraharorit, që herë shfaqet e herë zhduket. Kur këto shenja “alarmi” i shfaqen çdo personi, i lind dyshimi se diçka po ndodh. Për këtë arsye është e rëndësishme të njihen mënyrat sesi shfaqet ataku kardiak dhe çfarë duhet bërë në ato momente.

Ataku kardiak

Para se të ndodhë ataku kardiak, trombociti i mpiksur i gjakut mbyll arterien e zemrës duke bllokuar kalimin e gjakut nga zemra për në vena dhe arterie. Në këtë situatë, muskuli i kësaj zone fillon të vdesë dhe ky është ataku miokardiak. Ekzistojnë mjekime farmaceutike që ulin mundësitë e mpiksjes së këtyre trombociteve, po ashtu ka mjekime që lirojnë arterien nga koagulimi i gjakut, si dhe është e mundur që vena e bllokuar të hapet me një operacion kirurgjikal. Në këtë mënyrë, ataku kardiak mund të parandalohet përkohësisht. Trajtimi mund të jetë më shumë efikas kur ndërhyrja kirurgjikale bëhet në orët e para kur shfaqen shenjat e atakut kardiak.

Simptomat

Shenjat që mund të hetohen në rastet e atakut kardiak, kanë të bëjnë me shtrëngimet e forta, ndjesi rëndese në kraharor. Shtrëngime të dhimbshme në qendër të gjoksit, të cilat zgjasin disa minuta edhe pse mund të shfaqen dhe zhduken herë pas here. Dhimbje të forta të kraharorit të cilat përhapen dhe përgjatë krahëve, shpatullave, duarve, qafë, stomak, ndjesi të ftohti, pengim frymëmarrjeje - shenja këto që shoqërohen me ndjesi të fikëti. Jo të gjitha këto shenja shfaqen në çdo rast ataku kardiak, por janë tregues shumë të dobishëm për ta rinjohur atë. Në qoftë se pas shfaqjes së simptomave, shqetësimet në kraharor vazhdojnë edhe për 10 minuta, e këshillueshme është t’i drejtoheni mjekut.

Mjeku

Koha është e çmuar dhe për këtë në momentin kur shfaqen simptomat e para, nuk duhet të prisni më shumë se dhjetë minuta për t’iu drejtuar mjekut apo për të shkuar në spital sa më shpejt të jetë e mundur. Por cilat janë avantazhet e një ndërhyrjeje të shpejtë? Një ndërhyrje e shpejtë parandalon atakun kardiak, si dhe ndihmon në fillimin e një kure sa më të shpejtë. Në rastet kur zemra ndalon gjatë rrugës kur bëhet transportimi për në spital, ambulancat sigurojnë një trajtim të shpejtë, i cili i paraprin trajtimit të kardiologut.

Hipertensioni dhe moshat ku shfaqet

Nga tensioni vuan gati 12-20 për qind e popullatës. Me rritjen e moshës rritet dhe përqindja e të prekurve. Por më të predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje, është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50–55 vjeç për gratë. Te gratë, kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, përdorimin e kripës, duhanit, alkoolit.

Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut. Kohët e fundit, po vihet re se, hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja. “Fajtorët” për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.

Kolesteroli

Kolesteroli është yndyrë e pranishme në trupin e njeriut. Bëhet fjalë për një substancë shumë të rëndësishme për organizmin tonë. Në fakt, është një pjesë shumë e domosdoshme për ndërtimin e membranës qelizore, të disa hormoneve e strukturave nervore, përveç faktit që është ushqyes për disa tipa qelizash. Nga ana tjetër, kolesteroli njihet si përgjegjës për disa sëmundje patologjike që kanë të bëjnë me zemrën, si dhe ataku kardiak. Kolesteroli është i nevojshëm për organizmin, por duhet të mbahet në nivelin e duhur, sepse kur ky nivel kalohet për një kohë të gjatë, sjell probleme për shëndetin, duke e transformuar këtë substancë të rëndësishme për organizmin në një rrezik për të.

Infarkti miokardial

Pika në zemër e njohur në anatomi si “infarkti miokardial”, është shprehje popullore për paraqitjen e befasishme të çrregullimit të funksionimit të zemrës. Kjo shprehje përdoret në rastin e paraqitjes së të rrahurave të vështirësuara të zemrës, frymëmarrjes së vështirësuar dhe disa dukuri të pakëndshme në afërsi të zemrës. Termi “i ka ra pika në zemër” përdoret për shpjegimin e vdekjes nga infarkti ose sëmundjeve si angina pectoris, çrregullimet e ritmit të zemrës, helmimet me nikotinë dhe kafeinë. Infarkti miokardial është nekrozë e parikthyeshme e muskulit kardiak, që shkaktohet si pasojë e një ishemie të zgjatur. Kjo zakonisht ndodh si pasojë e mosbalancës të oksigjenit të ofruar dhe të kërkuar.

Infarkti, shpjegimi dhe llojet e tij

Me fjalën infarkt nënkuptohet vdekja e një organi (lat. nekrozë), për arsye të mungesës së oksigjenit, si pasojë e mungesës së furnizimit me gjak (lat. ishemi). Në shumicën e rasteve ndodh infarkti si pasojë e bllokimit të pjesshëm ose të plotë të enëve të gjakut, si pasojë e një tromboze ose embolie. Dallohen dy lloje të infarktit: Infarkti anemik (indi mbetet pa gjak ose “infarkti i bardhë”) dhe infarkti hemorragjik (indi përmbytet nga gjaku ose “infarkti i kuq”). Shfaqja e tij shoqërohet me dhimbje të gjoksit. Shpesh mund të përshkruhet si një dhimbje substernale, e paqartë, shtypëse në gjoks, djegëse dhe ndonjëherë edhe e mprehtë. Një dhimbje që zgjat rreth 30 minuta. Rrezatimi në krahun e majtë edhe në qafë ndodhin në isheminë miokardiale. Dhimbja e gjoksit mund të shoqërohet me të vjella, lodhje.

 

Faktorët

-Një tromb që bllokon totalisht ose pjesërisht lumenin;

-Mosha, seksi;

- Histori familjare për sëmundje aterosklerotike;

-Duhani, përdorimi i kokainës;

-Diabeti melit;

- Hipertensioni;

-Obeziteti;

-Rritja e nivelit të homocisteinës;

- Jeta sedentare;

- Stresi psikosocial;

- Sëmundjet perivaskulare;

- Higjiena e varfër orale.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: