“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet raporti i përgjimit të Policisë: Ja ç'bën Kryeministri!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulohet raporti i përgjimit të Policisë: Ja ç'bën Kryeministri!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes”, siç ju spiunuam edhe dje, ka mundur të zbulojë se Policia e Shtetit, jo vetëm ka përgjuar udhëheqësin e madh të PD-së, shokun Lulzim, por këtë gjë e ka bërë edhe me Kryeministrin, shokun Edi. Ne kemi mundur të shtiem në duar, raportin e kësaj agjencie ligjzbatuese. Kjo përbën sigurisht një skandal të madh. Ja raporti:

Ora 7.00: Kryeministri hapi dritaren e vilës së tij. Duke qenë se dritarja ndodhet në pjesën e lartme, pasi siç e dimë vila ku ai banon, nuk ka dritare në pjesët anësore, agjenti ynë vëzhgues, ishte ngjitur në majë të një tarace. Vetëm prej saj mund të shikonte hapjen e dritares së atij bunkerit.

Sqarojmë se pasi dritarja u hap, agjenti ynë dëgjoi një të bërtitur të zgjatur "oooohhhh!". Kryeministri siç mund të marrim me mend, kishte këputur mish, në kohën që kishte zgjatur dorën në tavan, për ta hapur atë dritare. Mendojmë, por nuk jemi të bindur se është ky shkaku që kryeministri ka probleme të herëpashershme me mesin.

Ora 7.30: Kryeministri del nga vila-bunkeri i tij i shoqëruar nga disa makina. Në rrugë nuk ka asnjë lopë, megjithëse është fshat. Siç duket edhe lopët e fshatit e dinë që në atë rrugë kalon Kryeministri, ndaj nuk duan t'ia presin rrugën. Ndryshe do fajësoheshin prej tij, siç vazhdon të fajësohet Saliu, apo Iliri, për mosarritjet qeveritare në këto vite, që ai drejton.

Në gjykimin tonë kemi të bëjmë me lopë mjaft inteligjente.

Ora 8.00: Kryeministri arrin në selinë e tij.

Ora 8.01: Ministri i Ekonomisë, shoku Ben Ahmetaj (siç ai na u duk), futet me vrap si një tigër i vërtetë. Në krah mban një thes. Nuk mendojmë se në të ka lekë.

Ora 8.05: Shoku Ben Ahmetaj u pa tek doli nga Kryeministria, pa thes dhe duke qarë. Siç duket, thesin e ka harruar te zyra e të parit të qeverisë dhe nuk mund të kthehet dot pas që ta marrë. Mendojmë se ka frikë të kthehet, pasi Kryeministri do gjykojë se Ministri i Ekonomisë është njeri i shushatur dhe për këtë mund ta heqë nga posti ministror.

Ora 8.10: Shtriqje në kolltuk dhe pirja e një kafeje.

Ora 8.30: Lojë basketbolli. Agjenti ynë i hipur në Kullat Binjake vërejti një mori dokumentesh mbi tavolinën e kryeministrit. Ai i bënte shuk dhe i hidhte në drejtim të disa koshave me mbeturina, të shpërndara nëpër zyrë.

Ora 9.00: Nisja drejt zonave të banuara, për të dhënë llogari ata drejtuesit e institucioneve.

Këtu mbaron përgjimi ynë, pasi gjithkush e ka parë nëpërmjet televizioneve që lidhen drejtpërsëdrejti me ERTV, se ç'bën më pas kryeministri.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: