“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Turistët rrinë mesatarisht 2-3 ditë, sepse kaq mjafton të ndihen mirë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Turistët rrinë mesatarisht 2-3 ditë, sepse kaq mjafton të ndihen mirë
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë nga fusha e turizmit. Siç na spiunoi gazetarja jonë simpatike Eglantina, shoku Edi Rama i ka vënë vetes detyrë që të arrijë të sjellë në vendin tonë, 10 milionë turistë. Themi lajm i mirë pasi këta turistë që do vijnë këtu, do kenë mundësinë që të takohen edhe me të afërmit e tyre.

E themi këtë gjë, pasi mendojmë se shumica e tyre, sigurisht që janë ish-emigrante. Përse e themi këtë?

Siç edhe gazeta jonë spiunoi dje, hoteleria e vendit tonë ka afërsisht 41 mijë e ca shtretër.

Dihet që tre herë në katër vjet, viti ka 365 ditë. Duke bërë një shumëzim të thjeshtë, kuptohet me telefon, pasi shumica jonë e racës së gazetarëve, nuk mund të bëjë veprime aritmetike në letër, del që në total, në hotelerinë tonë mund të flenë jo më shumë se 15 milionë vetë, në vit.

Duke pasur para sysh se shoku Blendi Klosi ka thënë se Shqipërinë e vizitojnë 6 milionë turistë në vit, pra 6/15=x/7. Pra, e thënë ndryshe, turistët qëndrojnë në vendin tonë, afërsisht 2-3 ditë. Kuptohet se më këto ditë ndihen aq të plotësuar, sa nuk e kanë të nevojshme të rrinë më gjatë.

E bëmë pak lëmsh, por ju betohemi që përfundimin e dhamë të saktë.

Kush e ka bërë shkollën 8-vjeçare në sistemin e kaluar, do na besojë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: