“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rama, Ahmetajt: Nise rrugën Tepelenë-Berat, kemi plot deputetë andej

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Rama, Ahmetajt: Nise rrugën Tepelenë-Berat, kemi plot deputetë andej
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Ekonomia e Qarkut të Kukësit u ul 2%, vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2016. Themi lajm i mirë, pasi megjithëse popullsia e këtij qarku, gjatë një viti pati rënie me e pakta 5%, ekonomia as nuk pyeti fare, që të ulej në ato nivele, kjo tregon punën e mirë që ka bërë mbi të gjitha, Gjigandi i Ekonomisë Socialiste, vetë shoku Arben Ahmetaj.

E meqë ra llafi te ai. Ne e falënderojmë publikisht atë dhe shokun Kryeministër, që vendosën të na japin me PPP, ndërtimin e rrugës së re, TP-BR dhe anasjelltas.

Mjaftoi vetëm një kërkesë e jona, e kopsitur ligjërisht dhe qeveria u tregua e gatshme, pa na kërkuar madje asnjë lek. Për kuriozitet, ne po sjellim bisedën që u bë midis dy figurave rilindase, rreth dhënies me koncension të kësaj rruge.

Edi Rama: Beni, si po ecën ekonomia?

Arben Ahmetaj: Top shef! Edhe Merkel më përgëzoi që vendi ynë po ecën kaq shpejt. Ngadalësoju pak, më tha.

Edi Rama: Po ku e takove Merkelin, ti mor kaqol! Kujt ia hedh ato! Të njoh mirë unë, s'është nevoja për këto filmat me Merkel, e Silvio. Ka ardhur një propozim. Ata të Antenës, duan të ndërtojnë rrugën nga Berati në Tepelenë.

Arben Ahmetaj: Propozim nga Antena? Po unë atë të Antenës dje e takova dhe nuk më tha gjë. Do i ketë shkrepur ideja pasi është ndarë me mua, siç duket.

Edi Rama: E kisha llafin për “Antena Jashtë Familjes”, o kaqol. Si thua, t'ia japim? 50 kilometra rrugë është ajo e të shkreta. Kemi plot deputetë tepelenas, që do të kënaqen nëse e bëjmë atë rrugë. Sa pará ta lëmë muhabetin?

Arben Ahmetaj: Ça thua o shef! Ata kanë 15 vjet pa ikur në vendlindje, se ju është katandisur rruga për në fshat, që as gomari nuk kalon dot. Nejse, ti e di!

Edi Rama: Sa thua t'i themi...?

Arben Ahmetaj: 20%, si përherë mendoj unë. Apo ta rrisim pazarin, meqë është rrugë që kalon nëpër male, e nuk e shikon njeri sa punime do kryhen.

Edi Rama: Ç'bëri se e bën rrugë fushe, ç'bëri se bëhet rruga te mali. Njëlloj janë. Atëherë e lëmë që nuk do marrim përqindje. Merru me procedurat dhe më lër të ditur sa më parë.

Dhe të fala Antenës!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: