“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet zyrtari i qeverisë: Ja sa gra do t’i lejohet të sjellë çdo refugjat

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet zyrtari i qeverisë: Ja sa gra do t’i lejohet të sjellë çdo refugjat
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë nga showbizi. Një vajze që hyn te ato të bukurat me operacione plastike, i kishin hequr një gisht, teksa i kishin rregulluar pamjen e fytyrës në kompjuter.

Themi lajm i mirë, pasi pati fat dhe i hoqën vetëm gishtin, se mund të ndodhte që gabimisht t'i kishin hequr buzët e fryra me silikon dhe nuk do shikohej me sy.

E meqë s'ra llafi te refugjatët, që flitet se do vijnë në Shqipëri.

Ne si rubrikë nuk jemi kundër ardhjes së hallexhinjve këtu. Thjesht, duam që ata të jenë me pará me vete, të mjaftueshme që të hapin ndonjë vend pune për shqiptarët që kanë mbetur akoma këtu.

Ne veç duam të dimë. Këtyre refugjatëve që do vijnë, vetëm një grua do t’u lejohet që të sjellin në Shqipëri, apo çdokush prej tyre, mund t'i fusë të gjitha gratë e tij së bashku. Derisa  të sqarohen këto teknikalitete, ka kohë.

Kështu na tha edhe një zyrtar i qeverisë, kur e pyetëm rreth kësaj çështje.

Lidhur me këtë temë. Ne mundëm të kapim një letër që një grua me banim në Afganistan, i dërgon burrit të saj në një kamp në Turqi.

Ja letra e saj, që nuk dimë se kush ia ka shkruar.

“I dashur Mazllëm! Mora vesh se do t'ju çojnë në Shqipëri! Ç'është kjo pataksi!

Në jetën tonë, ne nuk i kemi bërë keq askujt. Edhe tani që jemi larg njëri-tjetrit, unë të kam mbetur besnike. Nuk e vë dot dorën në zjarr a të kanë tradhtuar Shefqetja, Zylkadeja, Myrvetja dhe Sadikja.

Pse po na ndëshkon fati kështu! Më mirë hajde këtu, kthehu prapë në Afganistan, se të shkosh atje.

Të pres të më kthehesh sa më shpejt, e të më takosh, kur të më bjerë radha.

E jotja! Aqifja”.

Përgjigjia e Mazllëmit, drejtuar një prej grave të tij, në këtë rast, Aqifes:

“Qife! Mos u mërzit, se përndryshe, nga mërzia ikën në atë dynja! Po edhe nëse mërzitesh, as më plas fare. Jam unë ai që i marr vendimet.

Unë mora parasysh të vdisja në luftë me armë në dorë dhe jo më tani që s'ma bën syri tër-tër, që të shkoj e të jetoj ca kohë në Shqipëri.

Atje ka plot për të ngrënë. Do na trajtojnë mirë. Ata politikanët e BE-së, do e lëshojnë dorën. Edhe ata të Shqipërisë, po ashtu. Çdo 4 vjet do na japin një thes me miell, kur të votojmë. Neve si familje e gjerë, na bëhet mjaft mirë të shkojmë atje.

Armë ka sa të duash edhe në Shqipëri, kështu që nuk do më mungojë as atje kallashi. Pastaj, nëse mërzitemi, u hypim gomoneve dhe ikim për në Itali së bashku.

As mua, as ty, as grave të tjera mesa di, nuk na zë hashashi, kështu që nuk do e kemi problem që në gomone do ketë edhe kanabis.

Të puth me mall dhe mos lër njeri të të puthë tjetër!

I yti 1/5, Mazllëmi”.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: