“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Ermonela Felaj: Le të bëjmë ndonjë lek prej refugjatëve që do vijnë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoqja Ermonela Felaj: Le të bëjmë ndonjë lek prej refugjatëve që do vijnë!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Para dy ditësh, ekipi përfaqësues i Zvicrës fitoi në futboll ndaj Serbisë. Themi lajm i mirë pasi nëse nuk do fitonte, nuk do gëzoheshim dot neve në Shqipëri. Sa të tundeshin retë dhe të na përmbytnin me shi edhe sheshin “Skënderbej”, që sapo kishte marrë çmim ndërkombëtar.

Ky ngazëllim më kujtoi: Regjisori me famë botërore, Sten Dragoti (Aliaj), që për mbiemër në Amerikë përdori emrin e fshatit tonë, kishte të jatin, i cili quhej Asllan. Ai në fshat kishte lënë të motrën. Kjo, siç çdo vjehrrë, zihej me nusen. Dhe kur zihej, i thoshte: "Ta tregon Asllani ty, kur të vijë nga Amerika!".

Mirëpo jeta e solli që Asllani nuk erdhi, sepse nuk e lidhte asgjë materiale me këtë vend. Prona nuk kishte. Familjen e ndërtoi në Amerikë. Si fis kishin dell artistik. Si Robert Aliaj Dragoti dhe plot të tjerë të dalë nga ai fis).

Kështu më ngjau dje histeria, pasi dy shqiptarë u gëzuan se i bënë dy gola Serbisë. Meqë nuk i bëjmë dot vetë gjë Serbisë, u themi: Ta tregon Asllani ty!

Dhe "Asllanët" do vazhdojnë të jetojnë larg e ne do vazhdojmë të kujtojmë sikur mbrohemi me ta. Nuk mësojmë nga historia.

E meqë ra llafi te të mësuarit. Mbi 1360 maturantë mbetën në provimin me shkrim të gjuhës shqipe. Themi lajm i mirë, pasi ata kur të emigrojnë nuk do ta dinë shqipen mirë dhe do ta kenë të lehtë të mësojnë gjuhën e vendit ku do shkojnë.

E meqë ra llafi te emigrimi. Ka disa ditë që është përhapur lajmi që vendin tonë do e vizitojnë, këtë herë jo si turistë, mijëra vetë të larguar nga vendet e luftës. Për të mësuar më shumë, ne biseduam me shoqen Ermonela Felaj, kreun e Komisionit të Kuvendit tonë Popullor, që mbulon Sigurinë Kombëtare.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoqja Felaj! Deshëm të dinim për ato llafet, të cilat qarkullojnë poshtë e lart që në vendin tonë do vijnë refugjatë. A janë të...?

Ermonela Felaj: Ku di unë ç'marrëveshje bën ky i madhi ynë. Eh, lum kush do përfitojë prej tyre! Mirë më tha Taulanti...

Antena: E keni llafin për shokun Taulant Balla besoj. Çfarë ju tha ai?

Ermonela Felaj: Megjithëse jam tip që e mbaj sekretin, se kot nuk do isha këtu, po ua them. Më tha "Ishallah janë dru me pre’, ata që do vijnë". Dmth që të jenë të pagdhendur.

Antena: Përse duhet të jenë kështu?

Ermonela Felaj: Po duke qenë "dru me pre’", fare mirë Lanti do i përdorë që të presin drutë.

Antena: Për shokun Lanti e mora vesh si i do që të jenë. Po juve si do të donit që...?

Ermonela Felaj: Unë sigurisht që do doja të ishin myslimanë tolerantë. Kuptohet, meqë jam njëshi i sigurisë. Kështu do na hapnin pak probleme.

Antena: Çfarë ju tha tjetër shoku Taulant?

Ermonela Felaj: “Ti Nela, meqë do vijnë këtu refugjatë nga Lindja e Mesme, merru me biznesin e sixhadeve. Meqë, të gjithë ne rilindasit merremi me diçka, pse mos të merresh edhe ti, por e shtyn kohën kot në Kuvend", më tha.

Antena: Më falni shoqja Ermonela, por si aguridhe që jam në këto çështjet me politiko-sixhadore, nuk e kuptoj... Përse shoku Taulant ja u dha këtë këshillë?

Ermonela Felaj: Meqë shumë prej tyre do të falen. Dhe kur e kryejnë këtë gjë, shtrojnë sixhade. Është i madh Lanti! Ku i ka shkuar mendja.

Antena: Pra, me ç'kuptoj, ju do merreni me importimin e sixhadeve? Nga Irani, apo vende të tjera të shquara për sixhade, do i merrni?

Ermonela Felaj: Vetëm aty ka hapësirë. Importet e produkteve të tjera, apo policitë private që do mbikëqyrin sigurinë e bizneseve, se mos vidhen, i kanë zënë deputetët e tjerë. Nuk e kam vendosur se nga cili vend do t'i marr sixhadet.

Antena: Meqë ju jeni kryetarja e Komisionit të Sigurisë, besoj se e dini. Sa refugjatë do vijnë? Dmth, cili është numri që...?

Ermonela Felaj: Se mos e di unë, sa. Çështja është tani të bëjmë ndonjë lekë, se shoqet e mia po ikin nga sistemi i drejtësisë me miliona euro pasuri, e unë mbeta këtu. Më rroftë deputetllëku...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: