“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Paratë në makinën Jaris, ishin të Bujar Nishanit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Paratë në makinën Jaris, ishin të Bujar Nishanit
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Një ish-bashkiak në një qytezë të Italisë, i kishte lënë trashëgimi qytetit gjithë pasurinë e tij. Themi lajm i mirë, pasi kjo do shërbejë si shembull që edhe kryebashkiakët tanë, t’i lënë në të ardhmen në Zvicër, ku kanë mbyllur paratë e tyre.

E meqë ra llafi te paratë. Siç është bërë e ditur, në një makinë u kapën afërsisht 4 milionë euro. Udhëheqësi i madh i opozitës, vetë shoku Lulëzim Basha, foli për këto pará, duke ia ngopur autorësinë, shokut Taulant Balla. Ne biseduam me këtë të fundit, sipas traditës së rubrikës sonë, tashmë 1-vjeçare.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Taulant!

Taulant Balla: Më fal se po shkoj në Prokurori. Nuk kam kohë shumë...

Antena: Mbetët përherë i edukuar. Përse po shkoni? Çfarë është ajo revistë që keni në dorë? A mund të na ...?

Taulant Balla: Është revista “Monitor”. Kolegët tuaj të kësaj reviste kanë botuar një studim. Me këtë do t’ia çjerr fare maskën Lulit.

Antena: Po ai të çjerrë e ka, o shoku Lanti. Humbet çdo zgjedhje. Nejse! Çfarë thuhet në të, shoku Taulant? Besoj se do na i...

Taulant Balla: Këtu në këtë revistë, thuhet që sipërfaqja pyjore është ulur me 109 kilometra katrorë, krahasuar me 10 vite më parë.

Antena: Na falni shoku Taulant, por si aguridhe që jam në këto çështjet pyjoro-politike, nuk ju...

Taulant Balla: Ke mbetur dru, me një llaf. Ja pra, kjo shpjegon që llafet e Lulushit që unë merrem me drogë, janë shpifje. Shpifjeee! Nuk kam nevojë unë të merrem me drogë. Kur kam pyjet, s'kam pse të rrezikoj me shitje droge. Ja pra, fakti. Në këto vitet e fundit, "naaaa", janë bërë pyjet. Këtë do ia paraqes edhe Artës së Prokurorisë.

Antena: Ashtu mendoj edhe unë, shoku Taulant. Kur keni mundësi të bëni euro me lëndën drusore, s'keni përse të ...

Taulant Balla: Ato paratë që u kapën në makinë, ishin të Bujar Nishanit.

Antena: Paratë e kapura në sediljen e makinës, ishin të ish- Presidentit?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua, shoku Taulant. A keni ndonjë gjë më shumë, lidhur me...?

Taulant Balla: Si quhej makina? A ishte e markës Tojota dhe quhej Jaris? A nuk i thonë Bujarit, shkurt Jari? Ja pra, që paratë në atë makinë ishin të ish-presidentit të Saliut, Jarit.

Antena: Tani po qartësohem pak. Tani po e kuptoj se përse Prokurori që shkoi në vendngjarje, ishte vëllai i Bujarit.

Taulant Balla: Pas Prokurorisë, do shkoj brenda ditës, ta llafos me disa gazetarë, që këtë temë, ta bëjnë report në tv...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: