“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Servet Pëllumbi: Ja si është PS-ja! Djali do i dorëzojë Gramozit mandatin!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Servet Pëllumbi: Ja si është PS-ja! Djali do i dorëzojë Gramozit mandatin!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë për bankat në ishujt, ku pasanikët shqiptarë shkojnë dhe mbyllin paratë e tyre. Qeveria ka vendosur që pensionet të rriten 2.8%. Themi lajm i mirë për pasanikët, pasi ndërkohë që qeveria shpalli me shokun Arben Ahmetaj se rritja reale ekonomike ishte 3.9 % dhe inflacioni 2%.

Në gjykimin tonë, që shkollën 8-vjeçare e kemi bërë në sistemin monist, rritja nominale e ekonomisë i bie që të jetë 5.9%. Kuptohet pra, që 3.1% e saj, ka shkuar në xhepat e të kamurve, (5.9-2.8=...).

Duke ditur që qeveria nuk do t’i lejojë që pasunarët ta mbajmë paranë të fshehur në vend, siç nuk i lejonte edhe shoku Sali, ata sigurisht që do bëjnë përpjekje t'i çojnë në vendet e tjera kapitaliste.

E meqë s'ra llafi te fukarenjtë. Ne biseduam me shokun Servet Pëllumbi, një nga ish-udhëheqësit e partisë që mbron fukarenjtë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Servet! Së pari, shëndet të mirë paçi! Nuk ju pashë në festimet për rithemelimin e partisë. A mund ta dimë, përse nuk shkuat?

Servet Pëllumbi: Shkova si jo! Veçse, mezi e gjeta vendin ku bëheshin festimet dhe shkova pak me vonesë, e ndaj s'më ke parë.

Antena: E gjetët me vështirësi vendin e festimit, d.m.th....

Servet Pëllumbi: Pashë një beze nga larg. U afrova. Ishte një beze mavi dhe jo rozë, siç e kishim neve kur rithemeluam partinë. Bëra të ikja, pastaj më erdhi në mendje

Antena: Çfarë menduat që ju ndërroi mendjen?

Servet Pëllumbi: "Rruga e Tretë" e Toni Blerit dhe Gordon Braunit, që bashkuan blunë liberale me rozën social demokrate dhe doli ngjyra lejla. Këtu u bëka festa, mendova.

Mirëpo nuk isha shumë i sigurt, e për këtë pyeta njërin që ishte mbështetur te një biçikletë, që kushtonte e pakta tre mijë euro: -Më falni, i thashë. Këtu bëhet festa e Partisë Socialiste?

-Ku di un' o xhaje! Unë jam mjaftist!,- më tha mbështetësi...i biçikletës.

U bëra gati të pyesja një tjetër, por sapo i pashë kostumin që kushtonte e pakta tre mijë euro, mendova. “Ja ky qenka drejtues socialist! Këtu u bëka festa”.

Antena: Nuk keni qenë aktiv në parti dhe shtypin e përmuajshëm, me ç'kam vënë re.

Servet Pëllumbi: Po gazetën ZP e mbyllën... Pastaj ç'të shkruaj?! Djalin, siç e di e kam deputet. Mbesën po ashtu. Po të bëhem leksionist dhe kritikoj partinë me leksione, rrezikoj karrierën e djalit dhe të saj. Këtu të gjithë janë si seminaristë Stalini.

Antena: T'i keni me jetë dhe i paçim edhe ne!

Servet Pëllumbi: Po të them një sekret. Djali së shpejti do japë dorëheqjen. Do ia dorëzojë mandatin Gramozit. Nuk duron dot më në Kuvend.

Antena: Djali juaj do japë dorëheqjen si deputet? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Le të plasin mediat e tjera! Po përse do e japë?

Servet Pëllumbi: Nuk ndihet mirë me shokët, ndaj. Ai vetëm 1.1 milionë euro ka. Shokët e tij, aq i kanë para xhepi. "Nuk mund të rri më me ata të babëzitur për kapital", më thotë shpesh. Dhe mirë do të bëjë, që do largohet. Nuk duhet të rrijë në një formacion politik që fut në burg fukaranë, se lidh telin e dritave, pasi s'ka për të paguar.

Antena: Po mbase ata milionerët i kanë bërë paratë me djersë. Kanë futur teknologji të reja në prodhim. Apo me aftësi menaxhuese...?

Servet Pëllumbi: Po ç'thua, mor djalë! Ke parë ndonjë biznes me teknologji ti? Me spekulime i kanë bërë, e di mirë unë. E ka shpjeguar Marksi te "Kapitali". Kanë prishur ekuilibrat në treg, se përndryshe fitimi nuk do ju rritej. Aftësi menaxhuese, thua! E kush për aftësi këtu! Po pate lidhje lart, fiton.

Antena: Po ku do shkojë, tani që do iki?

Servet Pëllumbi: Nuk e di se ku do shkojë. Unë di që sistemi kapitalist i sotëm duhet rimenduar. Nuk mund të ecet më kështu, që dikush të ketë miliona euro, e dikush, le të themi vetëm 1 milionë euro. Duhet të jenë të gjithë të barabartë. Në mos të barabartë si në komunizëm, të paktën me pasuri të përafërt. Nuk mund të vazhdohet kështu. Sidomos në PS...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: