“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Saimir Tahiri: Në shtator do jem ministër i Brendshëm

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Saimir Tahiri: Në shtator do jem ministër i Brendshëm
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë, ndodhur përtej kufirit tonë shtetëror.

Një deputeti në Kosovë, i hynë në shtëpi dhe i vodhën 100 mijë euro.

Themi lajm i mirë, pasi mund të ndodhte që, hajduti i cili tashmë është kapur prej policisë, mund të hynte edhe në shtëpinë e mamit të ndonjë deputeti, siç i hynë mamit të deputet Damianit dhe ku i dihej si do kishte përfunduar grabitja. Hajduti ishte edhe i mitur dhe pa shumë eksperiencë në fushën e grabitjes. Neve në anën këtej të kufirit, jemi me fat që kemi hajdutë të rritur, që dinë të vjedhin, pa shkaktuar pasoja për jetën.

E meqë ra llafi te hyrja në shtëpi. Dikush hyn e dikush del prej saj, kështu është kjo jetë.

Para dy ditësh doli prej shtëpisë, ish-ministri i Brendshëm, shoku Saimir Tahiri. Neve sapo morëm vesh këtë lajm, shkuam dhe e takuam në Kombinat.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Saimir! Urime për daljen nga shtëpia!

Saimir Tahiri: Më paske parë! I fortë je! Si më pe që dola? Asnjëri nuk e mori vesh kur hyra...

Antena: E kisha llafin që dolët nga arresti i shtëpisë, shoku Saimir.

Saimir Tahiri: Aaaa, kujtova tjetër gjë. Nejse, ku e lamë? A po, te dalja ime. Po që do dilja, i kishte vdekur mami atij muhabeti.

Antena: E dinit që do dilnit?! E çuditshme! Po si e dinit, kur vetë Ambasadori amerikan bëri presion dhe shkruajti që, trupi gjykues të mos hajë presionin, e ta gjy...

Saimir Tahiri: Ku pyesim për presion neve! Le që gjyqtarët nuk futen në facebook e twitter, që të lexojnë se ç'thotë tjetri e ç'thotë njëri. Nuk i lë puna. Kanë për të gjykuar 10 çështje në ditë.

Antena: Si do ta kaloni kohën tani që dolët?

Saimir Tahiri: Ka qënë një periudhë e vështirë dhe do qetësohem, së bashku me Edin.

Antena: Do qetësoheni me Edin? Me kryeministrin d.m.th.?

Saimir Tahiri: Sigurisht, edhe për të ka qënë periudhë e vështirë. Mjaftonte një hapje e gojës e imja dhe gjithçka... Që ta dish ti. Ai ndërhyri në përzgjedhjen e trupës së gjyqtarëve, madje.

Antena: Ndërhyri shoku Edi në përzgjedhjen e tyre? Nuk e besoj! E si e ka bërë këtë...?

Saimir Tahiri: Ju tha atyre që hidhnin shortin e gjyqtarëve, që mos të përzgjidhnin gjyqtar mashkull, por femër.

Antena: E përse jo gjyqtar mashkull, shoku Saimir?

Saimir Tahiri: Meqë unë i kisha thënë me kodin tonë të fshehtë që, "nuk ka burrë nëne...". Ai e kuptoi që unë nuk pranoja një gjyqtar burrë. Ndaj vendosi siç doja unë, një gjyqtare femër.

Antena: Ju kuptova. Thatë që do pushonit së bashku me Kryeministrin. Ku do shkoni me pushime? Besoj se do na e thoni.

Saimir Tahiri: Ca ditë në Dhërmibrakë. Pastaj në Sarandbrakë, e në fund në Velipojbrakë!

Antena: Më falni. shoku Saimir, por përse ju shtoni "brakë", vendeve?! Mos keni ndonjë mesazh të fshehur në to, që ne njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojmë?!

Saimir Tahiri: Pasi të mbarojë pushimet në ato vende, do shkoj për xhiro në Xibrakë.

Antena: Do shkoni në Xibrakë? Uuuueeee, tani e mora vesh unë se pse shtonit prapashtesën "brakë". Për të dhënë idenë që nëse shoku Edi bën ndonjë gjë kundër jush, ju do nxirrni ndonjë video që ka lidhje me atë historinë, me drogën e kapur me pahir nga gjermanët, në Xibrakë.

Saimir Tahiri: No comment! Ika tani të qetësohem, se do nisem me pushime. Në shtator do marr prapë kolltukun, si ministër i Brendshëm...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: