“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Petro Koçi: Agjentura ruse është lidhur me aktorët e Teatrit Kombëtar

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Petro Koçi: Agjentura ruse është lidhur me aktorët e Teatrit Kombëtar
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Dje takuam shokun Petro Koçi, afër godinës së Teatrit. Themi lajm i mirë pasi takimi me një udhëheqës partie të llojit socialist, është i tillë. Ishte maskuar dhe nuk e njohëm. Na foli vetë. Biseduam me zë të ulët.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Petro! Deshën mendimin tuaj për përgjigjen që na dha BE, lidhur me shtyrjen e bisedimeve për...

Petro Koçi: Është një përgjigje e shkëlqyer. Një arritje e qeverisë, ku marr rrogën time.

Antena: Nuk mendoni se shtyrja me një vit e procesit nuk është pozitive?

Petro Koçi: Aspak! E çfarë është një vit, për një popull të lashtë si i yni. BE, me këtë që na bëri, ka vlerësuar lashtësinë e vendit tonë. Ata e dinë që popujt e lashtë kanë njerëz të matur, që nuk e kanë fare problem të presin.

Antena: Lidhur me Teatrin, deshëm të dinim. A mendoni se...?

Petro Koçi: Aty më rri! Nuk e kuptoj se përse janë kundër. Nuk i lë militantizmi demokratikas. A e dini ju sa metra katrorë ndërtim do bëhen aty?

Antena: Jo, shoku Petro. Bashkia nuk e ka bërë publike projektin e kullave.

Petro Koçi: Nuk e ka bërë, se përndryshe do na ketë zili Londra dhe Moska.

Antena: Pak më i qartë, shoku Petro. Si aguridhe që jam në këto çështjet zili-gjeografike, nuk e kuptoj se përse...?

Petro Koçi: Hapësira ku do ngrihen kullat është 5700 metra katrorë. Në to do ngrihen e pakta tre kulla. Aty në fakt, unë dua që të ngrihen më shumë. Koeficienti i shfrytëzimit të tokës aty në qendër është 60%, e pakta. Pra, (60:100) x5700, bëjnë afërsisht 3500 metra katrorë. Ky do jetë bazamenti i kullave d.m.th.

Antena: Ju kuptoj, pasi shkollën fillore e kam bërë në sistemin monist. Pra, ju po thoni që...?

Petro Koçi: 3500 metra katrorë (që do jetë kati i parë) x 10 kate (e pakta që do ketë lartësia) = 35000 mijë metra katrorë.

Antena: Kaq pak?! Vetëm 6 metra katrorë ndërtim për 1 metër katror truall?!

Petro Koçi: Pikërisht këtu lind problemi. Për neve janë pak edhe kaq pak, por për armiqtë tanë janë shumë. Sa e morën vesh rusët që aty do ndërtohen e pakta 35 mijë metra katrorë kulla, filluan të vënë në lëvizje agjentët e tyre që kanë në Shqipëri.

Antena: Rusët rivunë në veprim agjentët e tyre?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua, shoku Petro. Si i vunë dhe përse...?

Petro Koçi: Se mos vetëm rusët. Edhe britanikët u bënë xhelozë. Mirëpo me ata i zgjidhi problemet shefe Olta, gjatë vizitës së saj në Londër, para disa ditësh. Me rusët do e kemi pisk punën. Ata kanë lidhje të fuqishme me PD-në dhe me shumë aktorë, që janë shkolluar në Bashkimin Sovjetik.

Antena: Problem do jetë në fakt, por unë mendoj se nëse këtë çështje e merrni ju në dorë, do e zgjidhni pa problem fare. Nuk më thatë. Përse rusët dhe britanikët janë të lidhur me çështjen e ndërtimeve të kullave, aty në Teatrin Kombëtar, shoku Petro?

Petro Koçi: Me ç'kam arritur të zbuloj deri më tani, ata duan të dinë sesi në një vend si Shqipëria, arrihet të ndërtohet kaq shumë. Duan të na vjedhin eksperiencën tonë të vyer.

Antena: Përderisa e thoni ju, e besoj.

Petro Koçi: Britanikët ndërtuan “Canary Wharf” që shtrihet në një sipërfaqe prej 390000 metra katrorë, vetëm 1.5 milionë metra katrorë ndërtim. Pra, me nje koeficent 4 metra ndërtim, për 1 metër katror truall.

Antena: E çuditshme! Kaq pak ndërtim.

Petro Koçi: Rusët nga ana e tyre, po ndërtojnë 2.5 milionë metra katrorë Qendrën Ndërkombëtare të Biznesit, në një sipërfaqe prej 600000 metra katrorë. Pra, afërsisht edhe këta, 4 metër katrorë ndërtim, në 1 metër katror truall.

Antena: Më bëtë lëmsh shoku Petro! D.m.th. me ç'kuptoj, ata duan të dinë sesi në një bythë vend, ne ndërtojmë dhe jetojmë.

Petro Koçi: Pikërisht! Nuk doja të përdorja fjalë banale, meqë jam kryetar partie. Nuk e dinë armiqtë tanë se ne jemi popull i lashtë dhe kjo lashtësi na ka bërë të habisim  botën në shumë fusha. E pse jo, edhe në fushën e ndërtimit...

P.S.: Për këtë material duam të falënderojmë shokun Petro, partinë e tij, si dhe të dhënat të marra nga shumë faqe web, që kush të na i kërkojë, do t’ia japim pa problem.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: