“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Lulëzim Basha: Ja përse dua që të vijnë sirianët në Shqipëri!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Lulëzim Basha: Ja përse dua që të vijnë sirianët në Shqipëri!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Filluan punimet për qepjen e rrugës nga Tirana në Durrës. Sigurisht, këto punime duhet të kryheshin tani që vijnë turistët, që edhe ata ta shikojnë me sytë e tyre e të binden që qeveria punon.

E meqë jemi te lajmet e mira, po japim edhe një, të botuar sigurisht edhe në median e vendit tonë. Vetëm para disa orësh, mami Mbretëreshë në Londër, ka festuar 92-vjetorin e lindjes së saj. Kjo ngjarje na ka gëzuar pa masë edhe stafin e redaksinë e gazetës tonë dhe së shpejti do e botojmë edhe neve si lajm.

E meqë ra llafi te bota. Ne biseduam me shokun Lulëzim Basha, udhëheqësin e PD-së, i cili na tha që është i gëzuar dhe i gatshëm që në Shqipëri të vijnë refugjatë sirianë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Luli: Ju shoh shumë të gëzuar! Keni parë ndonjë gjë mbresëlënëse gjatë vizitës suaj në Holandë?

Lulzim Basha: Jo mo, ç'Holandë! Asgjë s'më bën më përshtypje atje mua.

Antena: Po atëherë, a mund të na thoni se...

Lulzim Basha: Më në fund erdhi dita ime. Zoti është i madh!

Antena: Cila ditë? A mund të jeni pak më i qartë, shoku Lulzim?

Lulzim Basha: I ka vdekur mami atij muhabeti! Do fitoj zgjedhjet. Oh, më në fund!

Antena: Ju do fitoni zgjedhjeeet? Do ua lënë vetë d.m.th? Kështu e keni bërë marrëveshjen me Ramën, mesa po kuptoj. Apo po?

Lulzim Basha: Marrëveshja ashtu ishte, por tani që do vijnë refugjatë sirianë në Shqipëri, zgjedhjet do i fitoj, bash me ta.

Antena: Më falni shoku Lulzim, por si aguridhe që jam në këto çështjet zgjedhore, nuk po ju kuptoj. A mund të jemi pak më i qartë?

Lulzim Basha: Shiko or ti! Këta sirianët që do vijnë në Shqipëri, janë kundër Basharit. E di ti kë parti përfaqëson ai në Siri?

Antena: Partinë e parasë, si shumica e politikanëve.

Lulzim Basha: Ai përfaqëson Partinë Socialiste. D.m.th, këta refugjatët që do vijnë në Shqipëri, janë kundër kësaj partie. Më kuptove tani?

Antena: Pak fare...!

Lulzim Basha: Ja pra! Me këta sirianët do e rrëzoj PS-në unë!

Antena: Po si do e rrëzoni PS-në këtu, kur ata sirianët, nuk e kanë rrëzuar dot PS-në në vendin e tyre, shoku Lulzim?

Lulzim Basha: E kam menduar edhe këtë gjë. Do kërkoj që sapo sirianët të hyjnë në vendin tonë, të pajisen me nënshtetësinë shqiptare. E kam biseduar edhe me Monikën. Ajo më dha llafin që do e bisedojë me Ilir Presidentin, sapo ta takojë.

Antena: Do u jepni sirianëve pasaportë shqiptare? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po pastaj?

Lulzim Basha: Sapo sirianët të marrin nënshtetësinë shqiptare, do kenë të drejtën të votojnë në Shqipëri. Kuptohet, ata si antisocialistë që janë, do votojnë për mua...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: