“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Fate Velaj: Ilir Meta e Gramoz Ruçi ma kanë borxh...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Fate Velaj: Ilir Meta e Gramoz Ruçi ma kanë borxh...!
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë, sidomos për Partinë Socialiste. Gjatë qeverisjes së Rilindjes, numri i pikave të basteve është mbi katërfishuar.

Themi lajm i mirë, pasi siç e ka thënë edhe ish-gazetari i shquar italian me ide liberale, Indro Mantanelli: Të majtët i duan aq shumë njerëzit e varfër, sa përherë kur kanë pushtetin, e shtojnë numrin e tyre.

E kuptohet, duke u shtuar numri i të varfërve, shtohet edhe vota për forcën që mendon për ta, që këtu në Shqipëri është pa asnjë dyshim, PS-ja.

E meqë ra llafi te "italiani". Ne biseduam me shokun Fate Velaj, vlonjatin që rrezaton kulturën e rilindjes italiane, veç asaj të Rilindjes sonë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Fate dhe urime!

Fate Velaj: Hë, o derman! E more vesh edhe ti që këndova dhe tunda dynjanë me zërin tim! Jam mjeshtër në këngë, unë.

Antena: Nuk ju urova për këtë, por që jeni milioner. Morëm vesh që keni mbi 1.4 milionë euro pasuri të tundshme dhe të patundshme.

Fate Velaj: Kujtova se më urove për zërin tim. I qaj këngët greke, megjithëse i jap theks italian.

Antena: Si i keni vënë ato pará, mund ta dimë?

Fate Velaj: Milioni i parë nuk tregohet se si bëhet, por unë meqë jam një njeri i veçantë, do ja u them. Kam shitur piktura.

Antena: Këtë e mora vesh nga kolegët e mi. Ma tha edhe financierja jonë simpatike Jona, që i ka fiksim pikturat...

Fate Velaj: Nuk kam shitur vetëm pikturat e mia, mor jo! Kam shitur edhe pikturat e Edi Ramës.

Antena: Ju ka dhënë përqindje për pikturat që i shisnit ju, d.mth., meqë ai s'ka dashur t'i deklarojë si të tijat, se mos...

Fate Velaj: Po ku jep përqindje Edi, o derman! Ai që sa erdhi nga Franca e deri tani, vetëm merr. Ta kisha llafnë që, shisja edhe pikturat e tij. Ai, shumë prej krijimeve të tij, i hedh në kosh. Unë i marr dhe i shes. Paratë i mbaj vetë. Tani e tutje do i jap edhe ca lekë Skënderbeut.

Antena: Cilit Skënderbe do i jepni le...?!

Fate Velaj: Atij pra, që do sjell çdo vit në Kaninë, për të festuar përvjetorin e dasmës. Do lekë ai boti, që të aktrojë si Skënderbeu i vërtetë. Këtë vit nuk i dhashë shumë.

Antena: Ndaj edhe dasma e improvizuar, nuk doli mirë. Apo po?

Fate Velaj: Nuk kisha kohë të merresha me të gjitha elementët e dasmës, ndaj pati disa probleme ajo. Kam qënë shumë i zënë.

Antena: Sigurisht që keni qënë. Të jesh ligjvënës, është përgjegjësi që merr shumë kohë.

Fate Velaj: Shpirti im e di se ç'ka hequr gjithë këto vite! Ilir Meta, ta paça borxh!

Antena: Pse i thoni këto fjalë?! Ju ka bërë gjë të keqe Iliri?

Fate Velaj: Më ka sorollatur për 4 vjetë, kur ishte kreu i Kuvendit. Mirë Iliri atëherë, por këtë gjë po më bën edhe Gramozi tani.

Antena: E di që jam aguridhe në këto punët politike... Ç'ju kanë bërë këta të dy?

Fate Velaj: Nuk më miratojnë kërkesën për të më dhënë lekët që më takojnë, për qiranë e shtëpisë në Tiranë. Mbeta duke nxjerrë lekë nga xhepi.

Antena: Po ju jeni milioner, ç'i doni ato kacidhe?!

Fate Velaj: Ç'a thua, o derman! Mos t'i marrim neve të majtët paratë, kush do t’i marrë! Ne për këtë gjë e rrëzuam të parët fare, komunizmin. S'kishim ç'i merrnim më, ndaj...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: