“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Edi Rama: Babalja na dëmtoi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Edi Rama: Babalja na dëmtoi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë nga Berati. Atje, numri më i lartë i vdekjeve, shkaktohet nga problemet në zemër. Themi lajm i mirë pasi, duke ditur këtë gjë, mund të luftohet pasoja. Lajmi është bërë i ditur nga INSTAT dhe sigurisht edhe nga neve.

Në fakt, ky lajm ishte i pritshëm. Populli beratas dhe ai shqiptar, jo më kot thonë "mistrec Berati", për beratasit që krijojnë shere nga koti. Siç edhe u provua tashmë institucionalisht, ky karakter sanguin i popullsisë atje, sigurisht që ndikon në problemet me zemrën.

E meqë ra llafi te zemra. Dje në Kosovë, u arrestua "Babalja", ose ndryshe ai që u quajt Dëshmitari X, i cili i dha zemër PD-së për disa ditë.

Për këtë fakt folëm me Kryeministrin dhe njëkohësisht Kryeprokurorin e Përhershëm, shokun Edi Rama:

Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Edi! E keni marrë vesh besoj se...

Edi Rama: Po, po, më tha Taulanti, në krye të herës. Pastaj më tha edhe Taipi, i cili më telefonoi pikërisht për këtë çështje.

Antena: Taipi?! E keni llafin për Taip Erdoganin? Po ai ç'ne?

Edi Rama: Do që ta marrë Babalen në Turqi.

Antena: Shoku Taip ju kërkoi të marrë Babalen në Turqi? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! A ju tha arsyen se përse e donte atje?

Edi Rama: Po, po, më tha sigurisht. Ku lë gjë pa më thënë Taipi mua.

Antena: Na i thoni edhe neve, ju lutem!

Edi Rama: Ma sill Babalen këtu më tha, se më mori më qafë ekonominë. U ul lira turke në kursin e këmbimit...

Antena: D.m.th., sipas Taipit, fajin e ka Babalja për rënien e lirës turke. E çuditshme!

Edi Rama: Ça ka për t'u çuditur këtu, o derman! Babalja mori në qafë Turqinë, por edhe Aeroportin e Vlorës!

Antena: Më falni, shoku Edi, por si aguridhe që jam në këto çështjet politike, nuk...

Edi Rama: E çfarë vështirësie ka për t'u kuptuar kjo gjë. Sapo foli Babalja për drogën në Vlorë, rritën kontrollet autoritetet europiane. Turqit nuk po sillnin dot "mall" në Shqipëri, sepse shqiptarët nuk e kalonin dot lehtë si më parë, në Itali.

Antena: D.m.th., tani të qajmë edhe Aeroportin e Vlorës, ne! Po mirë, si do i thotë Taipi të huajve? E kam llafin, ç'arsye do gjejë për të justifikuar kërkesën për deportimin e Babales në Turqi? A jua tha këtë...?

Edi Rama: Ku lë gjë pa më thënë Taipi mua! Taipi do ju thotë që, Babalja ka thyer ligjet e Turqisë laike.

Antena: Babalja ka thyer ligjet e Turqisë. Po Babalja, e para e punës. nuk është shtetas turk.

Edi Rama: Nuk është problem, ja bëjmë një pasaportë turke. As miku im Luli, s'do jetë kundër, jam i bindur.

Antena: Po cilin ligj turk ka thyer Babale mavriu?

Edi Rama: Ataturku pasi hypi në pushtet në Turqi, ndaloi vendosjen e titujve osmanë. E ke parasysh kur Babalja i thoshte gjasme vëllait të Fatmirit, "O Pasha!".

Antena: E kam, po. Por mesa di unë, Taipi nuk është fort laik dhe nuk e ka problem që...

Edi Rama: Ç'rëndësi ka si hiqet Taipi! E mor, Babale! Mirë që more në qafë Shqipërinë, por i ule vlerën lirës dhe na godite edhe Turqinë...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: