“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Armando Subashi: Kryeministri po e lë Fierin pa jetë!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Armando Subashi: Kryeministri po e lë Fierin pa jetë!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Gazetarja jonë simpatike, Eglantina na spiunoi se INSTAT-i kishte nxjerrë që ekonomia e Qarkut të Fierit, vjet ishte ulur me -4%, krahasuar me një vit më parë. Këtë na e pohoi edhe kreu i Bashkisë së Fierit, bashki e cila është më e madhja në këtë qark. Ne biseduam me shokun Armando edhe rreth kësaj çështjeje.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Armando! Së pari, ju uroj për karrierën tuaj politiko-administrative! Deshëm të dinim diçka rreth uljes së ekonomisë në Qarkun e Fierit. Ju megjithëse nuk jeni Prefekt, por si një njeri që punon perfekt, mund të na thoni se cilat janë shkaqet e kësaj uljeje?

Armando Subashi: Ideja për të ulur ekonominë është e udhëheqësit tonë të shquar të Rilindjes, vetë shokut Edi Rama, të cilin dua ta...

Antena: Ka qenë ideja e tij?! Kur ua tha këtë ide?

Armando Subashi:  Kur erdhi këtu për vizitë, para 20 muajsh. Unë isha në makinë me të dhe po i flisja për projektet, për të zhvilluar Fierin. Ai mori një laps dhe një bllok dhe...

Antena: Filloi të mbante shënime për ç'ka po flisnit ju...?

Armando Subashi: Ashtu kujtova edhe unë. Në fakt, po vizatonte.

Antena: Po vizatonte? A e patë se çfarë ishte objekti në letër?

Armando Subashi: Nuk ma mbajti ta pyesja. Edhe ajo më duhet mua, që të mërzis Kryeministrin. Atij po nuk i ndenjte "lepe, peqe", siç themi neve në Fier, të lë me punë jurist në Levan. Mirëpo. Ma tha vetë, “të pëlqen kjo bretkoska?”, -më tha.

Antena: Po ju ç'i thatë?

Armando Subashi: E ke vizatuar shumë bukur, i thashë. Pastaj ai filloi të vizatonte ca gjethe.

Antena: Nuk besoj se ishin gjethe hashashi. Apo po?

Armando Subashi: Ashtu kujtova edhe unë në fillim. Pastaj mora vesh që nuk ishin të atilla.

“Shikoji këto gjethe”, më tha Kryeministri. “Për kokën e Rilindjes që nuk kemi hashash këtu, shoku Kryeministër. Ato që vijnë nga rrethet e tjera, nuk rrinë në Fier, por ikin nga grykëderdhja e Semanit drejt Italisë”, i thashë unë.

Antena: Të drejtën i keni thënë. Për Fierin nuk kam dëgjuar që të ketë patur shumë sipërfaqe të mbjella me hashash. Këtë kompliment nuk ua them, meqë ju njoh që kur ishim studentë. Puna juaj duket qartë në begatimin e qendrës së qytetit.

Armando Subashi: Shumë faleminderit për vlerësimin e drejtë të punës sime! Jo të gjitha bëjnë pjesë te "Media e Kazanit"... Ku e lamë bisedën?

Antena: Te vizatimi i bretkoskës dhe te bima që juve, ju duk hashash.

Armando Subashi: Ah, po! Nuk ishte hashash. Në vizatim ishte bima që quhet, fier.

Antena: Dmth, Kryeministri ynë meqë ishte për vizitë në Fier, vizatoi bimën e fierit. Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. I fortë është për të shoqërizuar gjërat ai njeri. Po bretkosat, shoku Subashi! A e pyetët ju për...?

Armando Subashi: Edhe ajo më duhej mua, që ta pyesja, e më dërgonte policë në kthesën e Subashit. Kujt ia mban të pyes Edin, ere! Ma tha vetë shpjegimin.

Antena: Çfarë ju tha si shpjegim?

Armando Subashi: "Kjo bimë e fierit në letër, simbolizon Fierin e ardhshëm", më tha. "Bashkë me këtë bretkoskën këtu, tregojnë se qytetin do e kthejmë në identitet. Do e mbushim me bretkoska dhe fier, siç ka qenë më parë". Dhe po e mban llafin. Është i madh Kryeministri...!

Antena: Që është i madh e di, por nuk e kuptoj mirë këtë punën e kthimit në identitet, shoku Armando. Si po arrin ta mbajë llafin?

Armando Subashi: Me uljen e ekonomisë në Qarkun tonë, pra. Nuk e lexove INSTAT-in ti?!

Po vazhdoi edhe disa vite që të na ulet me këto ritme, Fieri do kthehet siç ka qenë. Mbushur me fierë dhe bretkoska...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: