“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Pasagjerët e urbanëve do të lahen në liqenin e Farkës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Pasagjerët e urbanëve do të lahen në liqenin e Farkës
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Diktatori Putin, siç lexuam në median e kazanit rus, pasi inauguroi urën që lidh Gadishullin e Krimesë me pjesën tjetër të Rusisë, tha se kjo urë do jetë pa pagesë. Themi lajm i mirë, pasi nëse do merrnim vesh se edhe Putin do e bënte atë rrugë me pagesë, atëherë i binte që ai të vepronte si Rama, i cili e bëri Rrugën e Kombit me pagesë. Pra, i binte që Putin të mos ishte një autoritar, por një udhëheqës demokrat, ashtu si edhe Rama.

E meqë ra llafi te Rama. Ne biseduam me shokun Arbër Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së kryeqytetit, ku ai ka qenë kryetar. Shokun Arbër e takuam te Liqeni i Farkës, ndërsa shefi i tij po fliste për një ngjarje me rëndësi të madhe, siç ishte gara e notit, që u zhvillua në këtë liqen. Teksa shoku Erion fliste, ne zhvilluam me shokun Arbër këtë bisedë të shkurtër.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Arbër! Urime për këtë nismë! Është vërtet bukur që njerëzit të vijnë dhe të notojnë në këtë liqen.

Arbër Mazniku: Faleminderit nga antena juaj! Asnjë antenë tjetër nuk më ka marrë në intervistë, megjithëse puna ime është e dukshme. Modestisht e them se idenë për këtë larjen në liqen, shef Erionit, ia dhashë unë.

Antena: Ju lumtë! Si ju lindi kjo ide?

Arbër Mazniku: Procesi i vëzhgimit na karakterizon neve të diplomuarve në gazetari, që për momentin nuk shkruajmë në gazetë. Vëreja njerëzit, teksa pija kafe që, sapo dilnin nga autobusët urbanë, kullonin djersë. Të të tregoj diçka. Njërit madje desh i ra koka në filxhanin tim. Ujë, ujë!, - bërtiti dikush. Mirëpo lokali s'kishte depozitë që të mbante ujë pa orar.

Antena: Po më çudisni! Si nuk kishte depozitë uji...?!

Arbër Mazniku: E kishin hequr para dy vitesh e ca, kur dëgjuan shef Erionin që do çmontonim ne si Bashki, depozitat e ujit që mbanin njerëzit në tarracat e pallateve. Kështu është kur beson para kohe...

Antena: Po më pas ç'ndodhi? A shpëtoi ai...?

Arbër Mazniku: E shpëtova unë, se ndryshe... I hodha ujë nga shishja që po pija.

Antena: Shyqyr, se do ikte për fiq mavriu! Ju lumtë!

Arbër Mazniku: I shpëtova Bashkisë edhe lekë, nga ato që japim për ata që ikin në atë dynja. Ja, i tillë jam unë. Nejse, mos të mburrem! Aty më lindi ideja që për pasagjerët, duhet bërë diçka. Nuk mund të vazhdohet më kështu.

Antena: Të drejtë keni, derman! Kushtet në autobusët urbanë janë problematike. Kullon njeriu i shkretë në këtë vapë. Duhen vënë kondicionerë, me patjetër.

Arbër Mazniku: Ça thua mer plak! Nuk e shikon sa po shkon litri i naftës, sidomos pas problemeve me Iranin! Kush është ai pronar automjetesh që do ndezë kondicionerët në gjithë këtë vapë?!

Antena: Me dëshirë ata nuk i vënë, është e vërtetë. Detyrojini ju si Bashki, shoku Arbër!

Arbër Mazniku: Ashtu thua ti, se nuk je në karrige, si unë. Po kur të vjen një çantë me lekë prej tyre, pa e shikoje. Rri mer plak, se nuk është kaq e thjeshtë! Ndaj gjeta këtë zgjidhje...

Antena: Cilët zgjidhje gjetët?

Arbër Mazniku: Këtë zgjidhjen me të larë në Liqenin e Farkës, pra. Në të ardhmen çdo pasagjer që udhëton me autobusët urbanë, do të mund të vijë dhe të lahet këtu, pas udhëtimit. Kështu, edhe freskohet. Sot e kishim provë. Me ç'vumë re, gjithçka kaloi me sukses.

Antena: Dmth, ata që u lanë ishin pasagjerë?

Arbër Mazniku: Jo, jo! Ata që u lanë tani, ishin simpatizantët e Erionit, që kanë kondicionerë në makinat e tyre personale. Por Liqeni i Farkës në të ardhmen, mirëpret pa problem gjithë pasagjerët që gjatë stinës së verës, kullojnë djersë në autobusët urbanë të kryeqytetit...

Për këtë bashkëllafosje u shfrytëzuan: https://www.rt.com/business/429077-crimea-prices-bridge-putin/, si dhe, http://www.gazetatema.net/2016/03/21/veliaj-do-cmontojme-depozitat-e-ujit-neper-pallate/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: