“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Hrushovi na sabotoi Bibliotekën Kombëtare!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Hrushovi na sabotoi Bibliotekën Kombëtare!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Shiu i rënë gjatë muajit qershor do të jetë më i paktë, gjatë korrikut. Themi lajm i mirë, pasi me pakësimin e shiut, pakësohet ndoshta edhe rreziku në Bibliotekën Kombëtare. Themi "ndoshta", sepse vërtet mund të zvogëlohet mundësia e përmbytjes, por mund të shtohet ajo e rirënies së zjarrit.

E meqë ra llafi te BK, me biseduam me zëvendës-kryetarin e Bashkisë, shokun A. Mazniku.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Arbër! Deshëm të dinim diçka rreth përmbytjes së sheshit “Skënderbe” dhe Biblotekës Kombëtare. Përse ndodhën dhe cilat janë...?

Arbër Mazniku: E nga mos të ndodhë. Kjo punë do jetë përherë, tani dhe tutje.

Antena: E keni llafin që për shkak të ndryshimit të klimës, ka shumë reshje dhe...

Arbër Mazniku: Nuk e kanë fajin reshjet. E kanë themelet e Bibliotekës. Na i la të pasigurta Hrushovi. I kemi bërë analizën tullës së parë, që vendosi ai në themelet e godinës dhe na doli se ajo tullë ishte shumë e butë.

Antena: Keni kryer analizat e tullës?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua.

Arbër Mazniku: Sigurisht që i kryem. Morëm një kampion prej saj. Sipas arkitektëve të huaj që kemi kontaktuar, ajo tullë ka mungesë vitaminash.

Antena: Tulla ka mungesë vitaminash?! Më falni shoku Arbër, por si aguridhe që jam në këto çështjet tullore, ja ku po ua them tullë fare, që nuk ju kuptoj. Si mund të ketë tulla, mungesë vitaminash? Mos po talleni gjë me mua?

Arbër Mazniku: Aspak! Atë tullë, siç dihet e vendosi në themele, Hrushovi. Ti e di besoj që ai vetë, vinte i verdhë në fytyrë. Kjo, sepse kishte mungesë vitaminash. Meqë vetë ai e kishte këtë problem, e transmetoi edhe te tulla që vendosi. E bëri me dashje, apo pa dashje, këtë ta zbulojnë historianët. Unë mendoj se na e sabotoi me dashje.

Antena: Ju kuptoj, shoku Arbër. Po tani si do veprohet, apo siç i themi neve në gazetari, procedohet? Cilat do jenë hapat tuaj, për...?

Arbër Mazniku: Tullën, nuk e heqim dot. Po hoqëm atë tullë, bie gjithë ndërtesa. Inxhinierët e huaj, nga më të shquarit në botë, na sugjeruan që, në krahun lindor të Pallatit të Kulturës, duhet të ndërtojmë disa kate në thellësi.

Antena: Do bëni parkim, d.m.th. Shumë mirë do bëni se ka nevojë kryeqyteti për të tilla...

Arbër Mazniku: Edhe parkim do bëjmë, sigurisht. Katër kate, do jenë të tilla. Kjo do sigurojë që, tullës që vendosi Hrushovi, mos t'i futet ujë nga ajo anë.

Antena: Ju kuptova! Pra aty ku është lulishtja, poshtë do ketë parkim. Shumë bukur!

Arbër Mazniku: Të huajt na thanë që mbi katër katet e parkimit duhet të ndërtojmë e pakta një pallat të madh, 25 kate.

Antena: Tjetër kullë d.m.th?!

Arbër Mazniku: Nuk kemi ç'bëjmë! Jemi të detyruar të mbrojmë godinën e Operas. I vjen lagështira nga Mali i Dajtit. Po e lamë ashtu, do na shembet fare ajo godinë.

Antena: Si i vjen lagështirë nga...?

Arbër Mazniku: Vjen pra. Era përplas në Dajt, bulëzat e ujit që merr në det. Ato kthehen dhe përfundojnë te Opera. Ndaj ajo godinë ka lagështirë.

Antena: Pra. së shpejti pas godinës së Operas, do ndërtohet kullë, dmth. Apo po?

Arbër Mazniku: Që do ndërtohet, i ka vdekur mami atij muhabeti. Nuk kemi ç'të bëjmë! Nuk mund t'i lëmë artistët dhe librat, në lagështirë. Edhe inxhinierët e huaj, kështu na thanë.

Antena: Nuk e vë në dyshim që kështu u kanë thënë. Sa kate do të jetë kulla?

Arbër Mazniku: Atë nuk e di unë, e di i madhi, Erioni. Siç ka thënë edhe ai: A nuk është më inteligjente që të ndërtojmë në lartësi?

Antena: Vallahi shoku Arbër, akoma vazhdoj të mos kundërshtoj. Se nëse e bëj, atëherë kam frikë se do thonë që unë nuk jam inteligjent...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: