“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Sondazhet tregojnë se, shtimi i pikave të basteve ka lehtësuar gratë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Sondazhet tregojnë se, shtimi i pikave të basteve ka lehtësuar gratë...
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Sapo kemi marrë vesh se, Policia ka përgjuar shokun Edi Rama. Themi lajm i mirë pasi, kjo tregon se do kemi për çfarë të shkruajmë edhe disa ditë. Ja, ne si rubrikë p.sh., detaje rreth këtij lajmi do t’i bëjmë me dije nesër, pasi ta analizojmë.

E meqë ra llafi tek analiza. Sot po sjellim bisedimin me analistin tonë duarartë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Diçka rreth lajmit që botoi edhe gazeta jonë, donim të dinim. Rreth shumëfishimit të pikave të basteve këto 5 vitet e qeverisjes rilindëse. Ç'mendim keni ju, si i artë në analizat statistikore?

Analisti: Ekselent njuz! Nuk ka më mirë! Kam pyetur 1119 gra e 1 mijë prej të anketuarave, janë totalisht të kënaqura që pikat e basteve janë shtuar. Madje, ato duan që të shtohen më shumë. Pritshmëritë e tyre, për të qënë transparent, janë të dimensioneve të larta.

Antena: Përse keni pyetur 1119 vetë dhe jo, le të themi, 1120?

Analisti: Një grua nuk mundëm ta pyesnim, pasi në momentin që anketuesit e mi i trokitën në derë, ajo po bërtiste e po i fuste një dru të mirë burrit të saj.

Antena: Po rrihte të shoqin? Meqë ai kishte humbur lekë në baste, besoj?

Analisti: Anketuesit e mi, u larguan pa e marrë vesh shkakun. Kështu i kam instruktuar, në raste të tilla. Mospërgjigjen e shënova te marzhi i gabimit, 1/1120. Kuptohet, kur publikoj edhe marzhin e gabimit, besohem më shumë nga publiku që më lexon dhe i vjen ora të më shikojë në tv.

Antena: Cilat ishin përgjigjet e grave të pyetura, shoku analist?

Analisti: Atëherë, 74% e tyre deklaruan me kompetencë se, tani që pikat e basteve janë hapur në çdo pallat, ato mund t'i gjejnë pa u lodhur, burrat e tyre. Kur ju duhen, kuptohet. Më parë, siç thanë të anketuarat, ju duhej të largoheshin nga pallati dhe të kërkonin bashkëshortët e tyre, në pallatet më larg. Pikërisht rreth këtij veprimi, shumë gra përfliteshin për imorale. Sidomos në qytezat e vogla. Fqinjët i shikonin që largoheshin nga pallati i tyre dhe ju hapnin namin. Kështu është jeta në qyteza.

Antena: Ashtu është, vërtet...

Analisti: Tani, falë punës së mirë të qeverisë, shtimi i pikave te basteve dhe vendosja e tyre afër vendbanimit të qytetarëve, nuk i lodh gratë si më parë. Kuptohet, këtë e deklaruan vetë të anketuarat

Antena: Po tjetër, ç'thanë të anketuarat?

Analisti: Pyetjes sime të hapur sociologjike, gratë ju përgjigjen se, shtimi i pikave te basteve ju ka krijuar mundësinë që të jenë më të lira. Sidomos kur gatuajnë, apo kur shikojnë telenovelat. 87% e 74% që thashë më parë, u përgjigjen se, tani që burrat e tyre nuk mblidhen në shtëpi, ato kanë forcuar shoqërinë me shoqet e tyre.

Antena: Më falni, shoku analist, por si aguridhe që jam në këto çështjet sociologjike-televizive, nuk kuptoj faktin se përse...?

Analisti: Dëgjo! Në kohën kur kishte më pak pika bastesh, burrat nuk dilnin shumë nga shtëpia. Ç'të dilnin! Nuk kishte numër optimal karrigesh ku të uleshin. Kishte pak lokale...

Antena: Ja u thanë vetë të anketuarat këtë?

Analisti: Sigurisht! Tashmë që janë shtuar pikat e basteve, burrat tanë dalin më shpesh, thanë ato. Kjo ka bërë që, gratë të kenë mundësi të shikojnë telenovelat, të pashqetësuara nga burrat e tyre. Ata, më parë, meqë rrinin në shtëpi, rrallë jua linin grave të tyre pultin e televizorit.

Antena: Ju kuptoj. Desha të dija, sa anketues keni në terren dhe sa i paguani? Se meqë jam vetë si biçim sociologu, mbase më intereson që të vij të punoj ca orë. Dhe e dyta, kur do e publikoni këtë studim të artë, shoku analist?

Analisti: A, ti qenke tamam aguridhe, siç edhe thua! Po ku kam anketues unë! Sa për botimin. Do e bëj publike, sapo të shkoj të takoj dikë në qeveri, që të me japë ca lekë për misionin që i kryej. Në varësi të sasisë, do varet edhe publikimi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: