“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erion Veliaj: Pyes shpesh veten, si e ndërtoi Maqedonia teatrin, pa kulla?

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Erion Veliaj: Pyes shpesh veten, si e ndërtoi Maqedonia teatrin, pa kulla?
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Specialistë të Institutit të Ndërtimit bënë dje thirrje profesionale se godina e Teatrit Kombëtar nuk është e sigurt, sidomos nga zjarri.

Themi lajm i mirë pasi, tani specialistëve mund t'u shtohet ndonjë shpërblim, për këtë që thanë. Themi "mund", pasi edhe nuk mund t'u shtohet, se fundja ata, rrogën e shtetit për këto e marrin.

E meqë ra llafi te Teatri. Direkt pas takimit të shokut Erion me specialistët, shkuam dhe e takuam.

Biseduam me të duke lëvizur duart, sigurisht, për t'u dukur miqësorë, siç bën edhe ai.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Erion! Kur mendoni se do të fillojë prishja e Teatrit?

Erion Veliaj: Nuk e di, atë e di vetëm ai i gjati. Unë vetëm firmën ndërtuese i kam propozuar. Edhe atë, shyqyr që ma miratoi. Ku lë pjesë ai lubia. Kam vendosur ta prish. Të të them diçka që ka ndodhur në Amerikë. Në vitin 1977, autoritetet e Klevelandit donin të prishnin teatrin dhe të ndërtonin aty

Antena: Kulla, sigurisht!

Erion Beliaj: Jo mer plak, ç'kulla. Donin të ndërtonin parkim. U çuan njerëzit në protestë dhe shpëtuan teatrin.

Antena: Doni të thoni që...?

Erion Veliaj: Le të çohen edhe këtu! As 15 milionë nuk kushton ky i yni, për ta rregulluar. Unë di të them që nëse ky teatër do të kushtojë vërtet 30 milionë euro, ai do jetë dhe të themi, vetëm për burra.

Antena: Si për burra? E keni llafin, nuk do të lejohen të hyjnë gratë?

Erion Veliaj: Do të hyjnë vetëm nëse janë të veshura me pantallona, si burrat. Ndryshe, nuk ka shans të futen.

Antena: E kush do t’i ndalojë? Do ketë roje te dera, që do kthejë mbrapsht femrat me fustane?

Erion Veliaj: Edhe roje do të ketë, por ato sa të hyjnë, do kthehen vetë...

Antena: Më falni shoku Erion, por si aguridhe në këto çështjet e kthimit mbrapsht të femrave te hyrja e teatrit, nuk po ju kuptoj. Si do...?

Erion Veliaj: Shiko si do jetë puna. Nëse ky teatër do të kushtojë 30 milionë euro, siç ka thënë Kryeministri, d.m.th. do jetë i veshur i tëri me mermer cilësor. Ti e di që ky lloj mermeri është transparent dhe do pasqyrojë veshjen e çdokujt. Ndaj...

Antena: Ju kuptova! Po si do ia bëni, atëherë?

Erion Veliaj: Si do ia bëjmë, nuk e di akoma. Telefonova ata në Shkup që bënë teatrin e tyre, por nuk m'u përgjigj njeri. Si duket janë të zënë me çështjen e emrit të shtetit të tyre.

Antena: Përse do i pyesnit shkupianët?

Erion Veliaj: Thjesht për kuriozitet, desha t'i pyesja se ku i gjetën paratë që ndërtuan Teatrin e tyre Kombëtar, pa kullë.

Antena: Telefonojini më vonë, shoku Erion.

Erion Veliaj: Nuk e shikoni se ç'bëhet atje! Ata kanë hallet e tyre, s'kanë ngenë tonë...

Për këtë intervistë, ndihmoi pak si shumë: https://www.cleveland.com/arts/index.ssf/2011/09/the_renaissance_of_clevelands.html

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: